Prokurorja Marsida Frashëri pas vendimit të konfirmimit në detyrë. Foto: Edmond Hoxhaj.
KP Lajme

Komisioneri Publik ankimon konfirmimin e prokurores Marsida Frashëri

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa ankimoi të martën më 17 tetor vendimin e konfirmimit në detyrë të prokurores së Shkodrës, Marsida Frashëri pas kryerjes së trajnimit të detyrueshëm 1-vjeçar në Shkollën e Magjistraturës, për shkak të gjetjes së probleme të shumta profesionale gjatë procesit të vetingut ndaj saj.

Në maj të vitit 2022, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi pezullimin e Frashërit për 1 vit nga detyra, me kushtin që të ndiqte programin e trajnimit në Shkollën e Magjistraturës. Vendimi u mor nga trupa e kryesuar nga Lulzim Hamitaj dhe me anëtare Genta Tafa Bungon dhe Valbona Sanxhaktarin.

Gjatë procesit të vetingut, prokurorja Frashëri u përball me barrë prove për kriterin profesional, pasi për 27 dosje nuk kishte kryer veprime hetimore sipas KPK-së. Frashëri këmbënguli se këto situata kishin ardhur prej ngarkesës së lartë dhe problemeve të sistemit.

Ajo u konfirmua në detyrë prej Komisionit më 11 shtator, pasi Shkolla e Magjistraturës e kishte vlerësuar me notën “mirë”.

Por, Komisioneri Ballhysa nuk ndan qëndrim të njëjtë me KPK dhe shprehet se nga shqyrtimi i vendimit përfundimtar, çmon se ka shkaqe ligjore për t’u paraqitur në Kolegj. Sipas tij, prokurorja Frashëri ka dështuar të ketë nivelin minimal kualifikues.

“Nga aktet e administruara në dosjen e Komisionit, […], Komisioneri Publik vjen në përfundimin se veprimtaria profesionale e subjektit të rivlerësimit, e materializuar në mosveprimet e saj vijuese në shkelje të detyrimeve ligjore, është e shoqëruar dhe vjen si pasojë e njohurive, aftësive, gjykimeve dhe qëndrime të tilla që përfaqësojnë haptazi një model të vepruari aq të dobët, sa kurrsesi nuk pajtohet me pozicionin e saj dhe se mangësitë e thella e të rëndësishme të verifikuara nuk mund te korrigjoheshin përmes programit njëvjeçar të edukimit, e për pasojë, duhet të zbatohet prezumimi në favor i masës disiplinore të shkarkimit”, citohet në ankim.

Sipas Ballhysës, subjekti në asnjë rast, nuk provoi të kundërtën e barrës së provës dhe për pasojë, duhet të konsiderohet si e papërshtatshme për të ushtruar funksionin e prokurores.

Në vijim, Komisioneri Publik vlerëson edhe në drejtim të cënimit të publikut tek drejtësia. Nw vlerwsimin e pwrgjithshwm tw çwshtjes, ai arrin në përfundimin se, shkeljet e lejuara gjatë ushtrimit të ndjekjes penale; problemet e përsëritura e të kthyera në një model pune gjatë viteve të ushtrimit të detyrës; ndikimi në veprimtarinë shtetërore i aktivitetit profesional të subjektit të rivlerësimit, duket se kanë cenuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë dhe, për këto shkaqe, duhet të konsiderohet e papërshtatshme për vijueshmërinë e detyrës.

Në përfundim, Komisioneri Ballhysa kërkon ndryshimin e vendimit të Komisionit për prokuroren Marsida Frashëri dhe shkarkimin e saj nga detyra.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *