Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

KPK konfirmon gjykatësin Enton Dhimitri

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të konfirmojë në detyrë gjykatësin e Apelit të Gjirokastrës Enton Dhimitri, pavarësisht problemeve të kunatit të dënuar në Greqi. KPK ka pranuar arsyetimin e Dhimitrit se nuk kishte kontakte dhe nuk kishte pasur dijeni për dënimin.

Gjyqtari i Apelit të Gjirokastrës, Enton Dhimitri në seancën dëgjimore përballë KPK-së.

Gjykatësi i Apelit të Gjirokastrës Enton Dhimitri është konfirmuar të ejten nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pas hetimit në të tre kriteret. Bazuar në relacionin e lexuar në seancën dëgjimore që u zhvillua të mërkurën, Dhimitrit nuk iu gjetën probleme në deklarimin e pasurisë dhe po ashtu u cilësua i aftë profesionalisht. Ai është konsideruar i përshtatshëm edhe sa i përket kriterit të pastërtisë së figurës edhe pse gjatë relacionit u tha se ai nuk kishte deklaruar dënimin me 20 vjet të kunatit në Greqi.

Mbrojtja e Dhimitrit se nuk kishte pasur dijeni për dënimin dhe se nuk kishte kontakte me kunatin prej vitesh është pranuar prej KPK-së, e cila ka vlerësuar se gjykatësi ishte i përshtatshëm. Dhimitri njëkohësisht anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi u gjykua prej trupës së përbëra nga Xhensila Pine, Genta Tafa dhe  Pamela Qirko e cila ishte edhe relatore.

Në seancë dëgjimore u zbulua se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ishte sinjalizuar nga denoncimi i një qytetari për arrestimin me kokainë të kunatit të gjyqtarit në Greqi në vitin 2016, ndërsa për verifikimin e këtij rasti u përfshinë vëzhguesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Policinë e Shtetit.

Sipas relatores së çështjes, Pamela Qirko, DSIK konstatoi fillimisht përshtatshmërinë e gjyqtarit Enton Dhimitri me detyrën, por raporti i pastërtisë së figurës ndryshoi dy herë të tjera në raport me gjetjet e depozituara pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Në proces, sipas relatimit u përfshinë edhe vëzhguesit e ONM-së, të cilët verifikuan përmes dy burimeve të pavarura se L.G ishte arrestuar në Greqi dhe se ky person ishte i përfshirë në krim të organizuar.

“DSIK konstatoi në fund papërshtatshmërinë për vazhdimin e detyrës. Shtetasi L.G është kontakt i papërshtatshëm dhe subjekti i rivlerësimit nuk e ka deklaruar këtë fakt në formularin e pastërtisë së figurës,” tha gjatë seancës dëgjimore relatorja Pamela Qirko.

Megjithatë ky qëndrim i paraqitur në relacion ka ndryshuar, pas sqarimeve nga vetë gjyqtari. Dhimitri u mbrojt para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit se nuk kishte pasur dijeni për arrestimin në Greqi të kunatit.

Ai shpjegoi se me kunatin kishte pasur marrëdhënie të acaruara dhe se njerëzit e bashkëshortes së tij nuk e kishin vënë në dijeni mbi problemet e tij ligjore në Greqi. Dhimitri shpjegoi se në kohën e arrestimit ishte përballur me sëmundjen e babait dhe sëmundjen e rëndë të bashkëshortes.

“Kam përjetuar një tonditje të madhe shpirtërore dhe psikologjike kur m’u bë e ditur nga Komisioni një fakt i tillë. Gjithashtu jam përfshirë në konflikt me njerëzit e bashkëshortes, që s’ma kanë bërë me dije një fakt të tillë,” tha para Komisionit Dhimitri. Gjyqtari shprehu gatishmërinë për të vënë në dispozicion tabulatet e tij telefonike, që vërtetojnë sipas tij humbjen e komunikimit me kunatin prej vitesh.

Gjithashtu, Dhimitri këmbënguli se ka qenë në pamundësi objektive për t’u informuar mbi kunatin për shkak se ngjarja ka ndodhur në Greqi, në regjistrat penalë shqiptarë ai rezulton i padënuar dhe se arrestimi i tij nuk është pasqyruar në mjetet e komunikimit publik dhe në media.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *