Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

KPK konfirmon në detyrë prokurorin Bujar Sheshi

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi të mërkurën në detyrë prokurorin Bujar Sheshi,  i cili ushtron funksionin e  prokurorit pranë Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda.

Genta Tafa Bungo, Pamela Qirko, Xhensila Pine, gjatë një seance të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK | Foto nga : LSA

Komision i Pavarur i Kualifikimit i udhëhequr nga Pamela Qirko si kryesuese,  Genta Tafa Bungo si relatorë dhe Xhensila Pine anëtare, konfirmoj të mërkurën në detyrë prokurorin e apelit Bujar Sheshi.

Prokurori Bujar Sheshi ka një karrierë të gjatë si jurist dhe përfaqësues i institucionit të akuzës në Shqipëri. Në vitet 1994-1997, ai ka punuar si avokat. Për më shumë se një dekadë mes viteve 2003-2015 ai ka punuar si prokuror i çështjeve të Gjykatën e Lartë pranë Prokurorisë së Përgjithshme, ndërkohë që në janar 2015 është emëruar si prokuror pranë Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda.

Procesi i rivlerësimit për prokurorin Sheshi është kryer për te tre kriteret e rivlerësimit, përfshirë pasurinë, kontrollin e figurës dhe profesionalizmin. Në këtë kontekst KPK ka kryer një proces të pavarur verifikimi pasi ka administruar raportet e Inspektoriatit i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI), Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) dhe atë të Prokurorisë së Përgjithshme

KPK rrëzoi pjesërisht në seancë dëgjimore gjetjet e Inspektoriatit të Lartë për Kontrollin dhe Deklarimin e Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI, i cili në raportin e tij për subjektin është shprehur se Sheshi ka bërë deklarim të pasaktë.

Përsa i përket vlerësimit të figurës, relatorja Tafa (Bungo) është shprehur se në raportin e DSIK theksohet se prokurori Bujar Sheshi nuk rezulton të ketë kontakte të papërshtatshme me persona me precedentë penalë apo anëtarë të organizatave kriminale dhe se është i përshtatshëm për vazhdimin e detyrës. Edhe për sa i përket kriterit profesional, subjekti ka marrë një vlerësim pozitiv nga Komisioni.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *