Prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme Adnan Kosova është konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pavarësisht pikëpyetjeve mbi justifikimin e një shume prej 1 milion lekësh.

Prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme Adnan Kosova është konfirmuar në detyrë të ejten nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i cili shqyrtoi një ditë më parë çështjen e tij në seancë dëgjimore.
Megjithëse gjatë seancës dëgjimore u ngritën pikëpyetje rreth një shume prej 1.5 milion lekësh të përfituara nga shitja e një shtëpie në Korçë dhe blerjes së një makine nga vëllai, KPK ka pranuar sqarimet e Kosovës i cili u hetua në të tre kriteret.
Kosova i cili është prokuror që prej vitit 1987 u përball me komisionin Veting të përbërë nga Xhensila Pine, Genta Tafa dhe Pamela Qirko me përfaqësues ndërkombëtar Theo Jackobs. Ky i fundit i bëri prokurorit disa pyetje rreth shitjes së apartamentit, duke vënë në dyshim deklaratën noteriale prej blerësit për një paradhënie të pa shënuar në kontratën e shitblerjes.
Kosova arsyetoi në seancë se kishte shpenzime modeste, nuk kishte udhëtuar prej vitesh jashtë vendit, ndërsa fëmijët i kishte shkolluar në shkolla publike. Kosova tha se kishte dorëzuar para komisionit pesë deklarata noteriale nga të afërm, por edhe nga blerësi i apartamentit në Korçë për të vërtetuar marrjen e 1.5 milionë lekëve paradhënie për apartamentin disa vite para transaksionit final.
Megjithatë kjo nuk e bindi përfaqësuesi ndërkombëtar Theo Jackobs i cili kritikoi nënshkrimin e kontratave fiktive nga prokurori. “Ju thoni se kontrata e makinës, e cila shkruan vlerën 1 milionë lekë të paguar jashtë zyrës noteriale, në fakt përbënte një pagesë prej 400 mijë lekësh. Ju jeni marrë me çështje etike dhe e kuptoni se një prokuror nuk mund të nënshkruajë diçka të pavërtetë. Kontrata nuk është letër higjenike,” komentoi Jackobs.
Kosova iu përgjigj duke thënë se transaksioni i makinës ishte bërë mes dy vëllezërve ndërsa paradhënia për apartamentin ishte e shoqëruar fillimisht me një dokument jonoterial, i cili ishte ruajtur deri në momentin që ishte nënshkruar kontrata finale. “Kjo është Shqipëria”, tha Kosova.