Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

KPK ngre pikëpyetje mbi profesionalizmin dhe pasurinë e prokurorit nga Korça

Gjatë seancës dëgjimore të vetingut për prokurorin Elsion Sadiku, njëherazi kandidat për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Komisioni i Pavaruar i Kualifikimi ka konstatuar probleme për kriterin e rivlerësimit të pasurisë dhe profesionalizmit.

Seanca dëgjimore e KPK ndaj prokurorit Elsion Sadiku | Foto nga : LSA

Prokurori Elsion Sadiku, me detyrë zv.kreu i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, u përball të martën me trupën gjykuese të KPK-së të udhëhequr nga kryesuesja Brunilda Bekteshi, relatori Olsi Komici dhe me anëtar Luan Hamiti.

Sadiku është përzgjedhur si pjesë e listës prioritare të vetingut si kandidat për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. KPK-ja e ka realizuar procesin e rivlerësismit për subjektin për të tre kriteret e vetingut, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.

Prokurori Elsion Sadiku ishte prezent gjatë seancës dëgjimore dhe relatori Olsi Komici nënvizoi se ai kishte qenë bashkëpunues përgjatë gjithë procesit të hetimit administrativ.

Si pjesë e hetimti administrativ të pasurisë, KPK ka administruar raportin e Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konflikit të Interesit, i cili ka konstatuar se subjekti ka bërë deklarim të saktë, ka burime të mjaftueshme financiare, s’ka deklarim të rremë, ska fshehje pasurie dhe as konflikt interesi.

KPK gjithashtu ka ndërmarrë një hetim të pavarur administrativ mbi pasurinë e deklaruar të prokurorit Sadiku, duke verifikuar deklaratat dhe burimet financiare për asetet dhe investimet e tij familjare, ku përfshihet një tokë bujqësore e përfituar në vitin 1992 me sipërfaqe 16500 m2 – ku prokurori zotëron 1/5, pajisje dentare të përdorura me vlerë 7500 euro, një apartament 108 m2 me vlerë 34,000 euro – ku mbeten për t’u paguar dhe 3800 euro, 900,000 lekë shpenzime mobilimi për apartamentin dhe një makinë Peugeot 307 e vitit 2002 me vlerë 400 mijë lekë.

Sipas deklaratave periodoke të subjektit pajisjet dentare të blera me një vlerë 7500 euro, janë mbuluar me kursimet e bashkëshortes deri në vitin 2008 të deklaruara në 1 milionë lekë dhe një dhuratë prej 500,000 lekë nga vjehrri. Sipas KPK-së nga dokumentet e mbledhura nga institucionet prublike, bashkëshortja e subjektit nuk rezulton e punësuar ligjërisht para vitit 2009 dhe si rrjedhim subjekti ka bërë deklarim të pasaktë për këtë aset dhe ka mungesë burimesh financiare.

Për apartamentin me sipërfaqe 108 m2, subjekti ka lidhur në vitin 2013 një kontratë kapari me vlerë 27,200 euro, e cila është mbuluar nga 13,000 euro të marrë mbrapsh nga anulimi i një kontrate të mëparshme, një hua 1 milionë lekë nga vjehrri, kursimet e vitit 2012-2013, si dhe një pjesë e shumës së lekëve të mbetura bashkëshortes nga blerja e pajisjeve dentare. Në vitin 2016 për këtë banesë janë paguar dhe 3000 euro me burim një overdraft bankar dhe kursimet e atij viti. Sipas KPK-së edhe për këtë aset prokurori ka bërë deklarim të pasaktë dhe ka mungesë burimesh financiare.

Për sa i përket automjetit Peugeot 307, relatori Olsi Komici u shpreh se subjekti kishte bërë deklarim të pamjaftueshëm në deklarimin periodik 2009 pranë ILDKPKI. Sipas KPK-së në deklrarimin periodik të subjektit për vitin 2006, të ardhurat nga Shkolla e Magjistraturës janë llogaritur dy herë – një herë si pjese e totalit 2004-2006 me vlerë 928 mijë lekë dhe gjithashtu si të ardhura për vitin 2006 në vlerë 354 mijë lekë. Kjo sipas Komisionit përbën deklarim të pasaktë të ardhurash.

Analiza financiare e KPK-së gjithashtu ka nxjerrë dy vite ku prokurori Elsion Sadiku ka një balancë negative financiare, 279,630 lekë në vitin 2011 dhe 317,328 lekë në vitin 2013.

Për sa i përket pastëritisë së figurës, në raportin e saj Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, e ka konsideruar prokurorin Sadiku si të “përshtatshëm’ për ushtrimin e detyrës.

Një raport pozitiv për profesionalzimin e subjektit ka dhënë dhe Prokuroria e Përgjithshme, duke e cilësuar si të aftë profesionalisht. Megjithatë, për sa i përket aspektit të profesionalizmit KPK ka ndërmarrë një hetim të pavarur duke u përqendruar në dy procedime penale.

Njëri nga procedimet lidhej me një denoncim të bërë në emisionin investigativ ‘Stop’ në Klan TV, në lidhje me vërtetësinë e diplomës master të dekanit të Fakultetit Ekonomik Universitet të Korçës, Frederik Çuçllari, dhe të bashkëshortes së tij Mirela Çuçllari, të cilët janë diplomuar me master në South-Western University “Neofit Rilski“ , në Bllagoevgrad, Bullgari, pa ditur gjuhën me të cilën jepeshin leksionet. Prokurori Sadiku ka vendosur pushimin e çështjes, me argumentin se nuk plotësohen elementët e veprës penale të falsfikimit të dokumente shkollore dhe të shpërdorimit të detyrës. Sipas KPK-së prokurori Sadiku ka bërë hetim të paplotë sepse nuk ka përcaktuar se si çifti kishte ndjekur leksionet në bullgarisht ose anglisht, pa ditur asnjërën nga këto dy gjuhë të huaja dhe duke depozituar si provë vetëm dy certikata – njëra për njohuri të italishtes dhe tjetra të rusishtes.

Një tjetër çështje e shqyrtuar nga KPK kishte të bënte me një denoncim të ardhur ndaj subjektit për pushim të padrejtë të një kallzimi penal të bërë ndaj dy ekspertëve për falsifikim aktesh. Prokuori Sadiku ka vendosur mosfillimin e hetimeve. Vendimi i tij është hedhur poshte nga Gjykata e Korçës dhe nga Gjykata e Apelit Korçë. Sipas KPK-së subjekti nuk ka kryer asnjë akt për hetimin e indicjeve në kallëzimin kundrejt ekspertëve.

Në përgjigje të gjetjeve të KPK-së për mosjutifikim të burimeve financiare nga bashkëshortja për blerjen e pajisjeve të klinikës dentare, në një argument të gjatë prokurori Sadiku u shpreh se e shoqja kishte punuar që nga viti 2007 e deri në vitin 2009 në të zezë pranë një klinike dentare me rroge 450 mijë lekë dhe se provë për këtë kishte sjellë bllokun e pacientëve të klinikës dhe deklaratat e disa prej tyre. Sipas subjektit, edhe pas vitit 2009 të ardhurat e deklaruara të bashkëshortes nuk ishin deklaruar të plota nga dentisti ku punonte.

Prokurori gjithashtu deklaroi se në vitet 2007-2011 kishte bërë deklarim të pasaktë sepse nuk kishte deklaruar shtimin e likuditieve cash në deklaratat periodike të ILDKPKI, pasi nuk ishte në gjendje të kuptonte saktë mënyrën se si plotësohet formulari.

Ai argumentoi se për sa i përket çështjes së diplomës së dekanit të Universitetit Korçës, e cila është hetuar edhe nga dy prokurorë të tjerë, letërporosia e drejtuar autoriteteve Bullgare nuk kishte sjellë prova që diplomat të ishin falsifikuar, duke insistuar se ai nuk mund të bënte objekt hetimi procedurat e universitetit Bullgar. Prokurori gjithashtu insistoi se i qendronte argumenteve të tij për mosfillimin e çështjes penale ndaj dy ekspertëve, pasi aktet e tyre ishin pranuar në një çështje civile në Gjykatën e Apelit Korçë dhe ai nuk e kishte tagrin të vinte në diskutim vendimmarjen e Gjykatës së Apelit.

Vendimi për prokurorin Sadiku do të jepet nga KPK me 27 korrik ora 10:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *