Kryetarja e Gjykatës së Kavajës, Entela Shedula pas seancës së zhvilluar të premten në KPK.
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

KPK riçel hetimin për kryetaren e Gjykatës së Kavajës

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të riçelë hetimin, pas shpjegimeve të dhëna nga gjyqtarja Entela Shedula për burimin e pasurisë së saj.

Kryetarja e Gjykatës së Kavajës, Entela Shedula pas seancës së zhvilluar të premten në KPK.

E mbledhur mëngjesin e së premtes për të shpallur vendimin, trupa gjyqësore e KPK-së vendosi riçeljen e hetimit për kryetaren e Gjykatës së Kavajës, Entela Shedula. Kryesuesja e trupës, Xhensila Pine tha se vendimi për të rihetuar Shedulën u mor pas shpjegimeve të dhëna nga gjyqtarja.

Entela Shedula po përballet me vetingun për të tre kriteret e rivlerësimit. Megjithatë, në seancën dëgjimore të zhvilluar më 30 janar, gjetjet e Komisionit u fokusuan në problemet e pasurisë.

Relatorja Zhegu u ndal gjatë në hetimin e kryer nga Komisioni për burimet financiare të përdorura për ndërtimin e një shtëpie tri-katëshe nga gjyqtarja Shedula dhe bashkëshorti i saj në Kavajë.

Zhegu tha se gjyqtarja Shedula kishte deklaruar si burim krijimi të kësaj pasurie të ardhurat nga bashkëshorti si emigrant, të ardhurat nga aktiviteti i tij privat, një kredi si dhe paratë e përfituara nga shitja e pasurisë së patundshme.

Komisioni evidentoi mungesë burimesh të ligjshme në ndërtimin e kësaj prone si dhe mospërputhje të deklarimeve periodike me deklaratën “veting”. Në seancë u evidentua gjithashtu se dokumentet e kredive të deklaruara si burim për shtëpinë ishin marrë nga Fondi Besa për zhvillim biznesi.

Gjyqtarja Shedula kundërshtoi gjetjet e Komisionit për banesën tre katëshe si dhe kërkoi në seancë korrigjimin e analizës financiare.

“Për burimin e kësaj ndërtese s’ka pasaktësi thelbësore,” tha ajo, duke pretenduar se kreditë ishin përdorur për ndërtimin e shtëpisë, por ishin shënuar ndryshe pasi Fondi në fjalë nuk jepte kredi për shtëpi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *