Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

KPK rrëzoi denoncimet kundër kryegjyqtarit Eriol Roshi

Denoncimet ndaj kreut të Gjykatës Administrative të Tiranës, Eriol Roshi, përfshi një denoncim publik nga një emision televiziv u gjetën nga KPK të pabazuara, duke i dhënë atij konfirmimin në detyrë.  

Kryetari i Gjykatës Administrative të Tiranës, Eriol Roshi pas seancës dëgjimore në KPK.

Kreu i Gjykatës Administrative të Tiranës, Eriol Roshi, është nga të paktët kryetarë gjykatash që i mbijetoi deri më tani vetingut. Vendimi i zbardhur i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit tregon se Roshi pati një përballje jo të vështirë me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, ndërsa procesi i hetimit administrativ konfirmoi si të sakta deklarimet e gjyqtarit.

Roshi u hetua nga KPK në të treja kriteret dhe u vlerësua pozitivisht nga treshja që gjykoi rastin e tij. Vendimi i zbardhur është fokusuar kryesisht në pasurinë e Roshit dhe personave të lidhur me të. Sipas KPK-së, Roshi arriti të bindë se pasuria e tij ishte e bazuar mbi të ardhura të ligjshme.

Trupa gjyqësore që hetoi rastin drejtohej nga Genta Tafa Bungo, me relatore Valbona Sanxhaktari dhe anëtar Lulzim Hamitaj. Eriol Roshi ka një karrierë 14 vjeçare në sistemin gjyqësor dhe prej vitit 2013 drejton Gjykatën Administrative të Tiranës. Ai ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës dhe ka punuar më parë si gjyqtar në Berat.

Në vendimin e zbardhur rezulton se Roshit iu kërkuan shpjegime për disa prej pasurive. KPK zbuloi se ai kishte përfituar 1.5 milionë lekë nga shitja e një apartamenti 79.9 metra katrorë. Roshi shpjegoi se apartamenti ishte blerë nga babai i tij me paratë e fituara nga biznesi i vogël i familjes dhe kishte qenë dëshira e prindërve që ai të merrte pjesë nga shitja e banesës.

Ai i tha KPK-së se nuk kishte ndihmuar në blerjen e shtëpisë dhe Komisioni thotë se e vërtetoi këtë pasi faturat e pagesave të kësteve ishin firmosur nga babai i subjektit. Po ashtu sipas Komisionit edhe pasaktësitë që rezultuan në deklarimet vjetore të Roshit në lidhje me këstet e paguara u sqaruan prej tij.

KPK po ashtu arsyetoi se babai i gjyqtarit i kishte pasur mundësitë financiare për të blerë apartamentin në fjalë. Komisioni pranoi në këtë pikë sqarime të subjektit mbi të ardhurat familjare, pasi Drejtoria e Tatimeve në informacionin e saj i tha KPK-së se nuk mund të llogaritej marzhi i fitimit për biznesin e vogël.

Analiza financiare e kryer nga KPK ishte pozitive për gjyqtarin dhe sipas saj, rezulton të kishte pasuri të justifikuara ligjërisht dhe pa probleme. Po ashtu, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar nuk gjeti probleme në figurën e Roshit.

Gjykatësi po ashtu mori vlerësim pozitiv në kriterin e aftësive profesionale. Komisioni madje vlerësoi veçanërisht aftësitë e tij menaxheriale. “Numri relativisht i kufizuar i rasteve të pazgjidhura, pa vendimmarrje, në pritje të gjykimit në gjykatën e tij, së bashku me faktin se gjykata është në gjendje të vendosë për aq raste sa janë regjistruar rishtazi në një vit, është një shenjë pozitive,” thuhet në vendimin e zbardhur.

KPK po ashtu u ndal te denoncimet ndaj gjyqtarit. Sipas Komisionit, një prej denoncimeve të bëra në media kishte të bënte me hedhjen e shorteve në Gjykatën Administrative të Faktit.

“Komisioni mori mediatikisht një denoncim nga emisioni “Boom” mbi shpërndarjen e ngarkesës për kryetarin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë z. Eriol Roshi, si dhe parregullsi në shortet e zhvilluara për vitin 2017,” thuhet në vendimin e zbardhur.

KPK shprehet se nga verifikimi i kryer prej saj “nuk rezultuan problematika të dukshme lidhur me këtë indicie të marrë”. Ndërkohë në vendimin e zbardhur Roshi pretendon se arsyet e denoncimit kishin të bënin me faktin se ai po shqyrtonte në atë kohë një çështje, ku ishte palë kompania që zotëronte median në fjalë.

“Në lidhje me këtë ankesë ose denoncim publik nëpërmjet këtij emisioni, më duhet të sqaroj paraprakisht Komisionin e nderuar se motivet e këtij emisioni dhe televizionit në fjalë nuk janë etike sa i takon denoncimit të tyre,” thuhet në shpjegimin e Roshit.

Sipas tij, kompania që zotëron televizonin Ora News ku u trasmetuan dy emisione mbi shortet në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë ishte palë paditëse në një çështje që po gjykohej prej tij.

Komisioni ka pranuar shpjegimet e Roshit sa i përket procedurës së hedhjes së shortit, ndërsa ka vlerësuar këtë të fundit për iniciativat e ndërmarra “për të përmirësuar funksionimin e kësaj gjykate”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *