Ish-kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj pas seancës në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Foto: LSA
Analiza Artikull kryesor Analiza KPA Në Fokus

KPK rrëzoi ‘përpjekjen’ e gjyqtares Shpresa Beçaj për të anashkaluar vetingun

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit gjykoi se subjekti i rivlerësimit duhej shkarkuar pasi kishte detyrimin për të dorëzuar deklaratat për pasurisë, figurën dhe profesionalizimit brenda afatit të përcaktuar. Pretendimet e Beçajt se nuk ishte “gjyqtare në detyrë” në kohën e zbatimit të ligjit të vetingut dhe se statusi i saj ishte i paqartë u vlerësuan nga KPK si i pabazuar në ligj e të paprovuara.

Ish-kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj pas seancës në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Foto: LSA

Pretendimi i ish-kryetares së Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj se rasti i saj ishte “unik” dhe se nuk mund të penalizohej për mosdorëzimin e deklaratave në kuadër të procesit të rivlerësimit nuk e ka bindur Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, që vendosi më datë 3 korrik 2020 shkarkimin e saj nga detyra.

Trupi gjykues i KPK i përbërë nga Roland Ilia kryesues, Lulëzim Hamitaj relator dhe Olsi Komici anëtar, vlerësojnë se pretendimet e Beçajt se Komisioni nuk mund të marrë një vendim përfundimtar pasi statusi i saj profesional ishte i paqartë në kohën e fillimit të zbatimit të ligjit të rivlerësimit të magjistratëve, bien ndesh me frymën e dispozitave kushtetuese dhe se janë totalisht të pambështetura në ligj dhe në prova.

Paqartësitë e Beçajt lidhur me statusin e saj të magjistratit pas mbarimit të mandatit në Gjykatën e Lartë dhe vonesën e riemërimit në Gjykatën e Apelit cilësohen si të padrejta nga Komisioni. Sipas trupit gjykues, Beçaj ka fituar të drejtën e riemërimit në Gjykatën e Apelit Tiranë si dhe shpërblimin e pagave të prapambetura falë statusit që gëzonte.

Në vendim konstatohet se Beçaj, falë eksperiencës dhe statusit që gëzonte, mund të kishte vlerësonte në mënyrë të saktë detyrimet që mbartte në funksion të procesit të rivlerësimit.

Shpresa Beçaj ka përfunduar studimet në drejtësi në vitin 1983 dhe e ka filluar karrierën si gjyqtare nga Gjykata e Gramshit. Ajo u emërua gjyqtare në Tiranë në vitin 1990 ndërsa në vitin 1994 u promovua si gjyqtare e Apelit të Tiranës.

Në vitin 2004, Beçaj u dekretua gjyqtare në Gjykatën e Lartë ndërsa 4 vjet më pas u emërua kryetare e kësaj gjykate. Me përfundimin e mandatit në vitin 2013, Beçaj udhëhoqi një betejë ligjore kundër Këshillit të Lartë të Drejtësi për t’u rikthyer në Gjykatën e Apelit të Tiranës dhe e fitoi atë. Megjithatë, vendimi për emërimin e saj në Gjykatën e Apelit u shty deri në vitin 2018.

Pretendimet e Beçajt

Që në nisje të hetimit administrativ për rivlerësimin e gjyqtares Shpresa Beçaj, Komisioni konstatoi mungesën e dosjeve dhe raporteve të institucioneve ndihmëse. Pasi u kërkoi informacion, Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ; Inspektoriatin i Lartë i deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI dhe Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, raportuan se Beçaj nuk kishte depozituar formularë dhe dokumentacion shoqërues për vlerësimin e saj gjatë periudhës 21 tetor 2016 – 31 mars 2017, ashtu si parashikohej në legjislacionin e vetingut.

Beçaj ka fajësuar ish-KLD-në si shkaktare të situatës së saj “unike”.

“Që nga momenti i paraqitjes së kërkesës sime, KLD-ja kishte detyrimin ligjor, siç parashikonte neni 25 i ligjit organik i Gjykatës së Lartë (ligji nr. 8588/2000), të shqyrtonte kërkesën dhe të më emëronte në Gjykatën e Apelit Tiranë. Fakti që KLD-ja nuk mori në konsideratë dhe nuk e shqyrtoi prej rreth 5 (pesë) vjetësh kërkesën time për të më riemëruar në Gjykatën e Apelit përbënte cënim flagrant të të drejtave të mia të fituara për sa i përket statusit”, ka deklaruar Beçaj.

Ajo ka shpjeguar se, tre vite pasi kërkesa e saj nuk po shqyrtohej nga ish-KLD, i është drejtuar Gjykatës Administrative për të kërkuar rikthimin në sistemin e drejtësisë dhe përfitimin e pagave si gjyqtare për periudhën që nuk kishte qenë në punë.

Beçaj e ka fituar me vendim të formës së prerë rikthimin në detyrë si gjyqtare në Gjykatën e Apelit Tiranë. Gjithashtu, ajo ka fituar edhe të drejtën e statusit profesional dhe përfitimin e 43 pagave mujore.  Më 4 qershor 2018, ajo ka filluar rregullisht ushtrimin e detyrës dhe ka dorëzuar pranë ILDKPKI-së deklaratën e interesave private para fillimit të detyrës.

Beçaj pretendon se statusi profesional i saj në kohën kur nisi zbatimi i ligjit të rivlerësimit, nuk ishte i qartë.

“Në aspektin personal (subjektiv) unë e kam konsideruar personin tim si gjyqtar, status të cilin ma garantonte ligji i kohës, sepse nuk kam pasur asnjëherë shkëputje nga ky status,” tha ajo.

“Ndërsa në aspektin objektiv, unë nuk isha ‘gjyqtare në detyrë’, duke qenë se nuk e ushtroja realisht detyrën e gjyqtares,” shtoi Beçaj.

Ajo theksoi se shkëputja nga ushtrimi i detyrës erdhi si pasojë e veprimeve arbitrare të KLD-së, e cila nuk shqyrtonte kërkesën e saj për tu riemëruar në Gjykatën e Apelit Tiranë.

Beçaj ka shpjeguar se në datë 7 tetor 2016, është paraqitur personalisht pranë ILDKPKI-së për plotësimin dhe dorëzimin e tri formularëve sipas ligjit, por se aty ka marrë përgjigje se nuk ishte pjesë e subjekteve që i nënshtrohen rivlerësimit. Sipas Beçajt, në ILDKPKI atëherë i kishin argumentuar se emri i saj nuk figuronte në listat e dorëzuara nga institucionet.

Ajo ka shtuar se pas mbarimit të mandatit në Gjykatën e Lartë dhe pas përfundimit të pagesës kalimtare prej 3 vjetësh të përfituar nga statusi institucional, ishte detyruar që të ushtronte detyrën e avokatit për të siguruar të ardhura.

Beçaj ka deklaruar para Komisionit se deri më 18 maj 2017, ka pasur aktivitetin e saj, ndërkohë që në atë periudhë nuk figuronte në organikën e asnjë gjykate të vendit.

“Gjithashtu, duke qenë se kam konkurruar për t’u emëruar në Organet e Procesit të Vlerësimit të magjistratëve (KPK dhe KPA), një ndër kriteret për t’u zgjedhur ishte edhe kriteri i përcaktuar në germën ‘ë’, pika 1, e nenit 6, të ligjit nr. 84/20165, kriter i cili është konsideruar si i plotësuar, bazuar në filtrimin që i bënë kandidatëve institucionet përgjegjëse për ngritjen e organeve të vlerësimit të magjistratëve”, argumenton Beçaj.

Ajo thekson se në kohën e fillimit të zbatimit të ligjit për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve ‘nuk ka qenë gjyqtare në detyrë’ dhe se në këto kushte nuk mund të ishte subjekt i rivlerësimit.

“Në këtë aspekt nuk kam pasur të drejtën për të plotësuar dhe dërguar formularët në organet përkatëse shtetërore të ngarkuara me zbatimin e tij,”tha ajo. “Konfirmimin si gjyqtare në Gjykatën e Apelit Tiranë unë e kam marrë, siç thashë më sipër, shumë më vonë se fillimi i zbatimit të efekteve të ligjit për procesin e vlerësimit të magjistratëve,” shtoi Beçaj.

Gjithashtu, ajo pretendon se nuk mund të konsiderohet as si ish-gjyqtare për faktin se kishte iniciuar procedime administrative dhe gjyqësore për t’u rehabilituar dhe për t’u riemëruar në Gjykatën e Apelit Tiranë.

“Këto janë arsyet për të cilat unë nuk kam pasur mundësi të plotësoj dhe dorëzoj në kohë formularët që parashikon ligji për procesin e rivlerësimit të magjistratëve,” ka theksuar Beçaj.

Vlerësimi i KPK

Duke e konsideruar të pazakontë faktin e mosparaqitjes së deklaratave, për të arritur në konkluzionin përfundimtar Komisioni analizon fillimisht rrethanat që kanë të bëjnë me dinamikën e veprimeve apo mosveprimeve të gjyqtares Beçaj në raport me detyrimet e sanksionuara në legjislacionin për rivlerësimin e gjyqtarëve e prokurorëve.

Komisioni konsideron të nevojshme analizën paraprake e statusit funksional të Beçajt në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit nr. 84/2016 dhe evidentimin e detyrimeve ligjore që kanë rrjedhur nga ky status. Gjithashtu, trupi gjykues veçon në analizën e tij ekzistencën ose jo të shkaqeve të arsyeshme faktiko-ligjore që mund të kenë pamundësuar gjyqtaren Beçaj për të vepruar në kohë, si dhe lidhur me pasojat e mundshme juridike që rrjedhin prej fakteve që do të rezultojnë të provuara.

Në vendim thuhet se nga hetimi administrativ ka rezultuar se pasi ka përfunduar mandatin në Gjykatën e Lartë,  Beçaj e ka ruajtur në vijimësi statusin e gjyqtarit, ndonëse riemërimi i saj ka rezultuar i vonuar.

“Faktin e ruajtjes në vijimësi të statusit të gjyqtares prej largimit nga Gjykata e Lartë e deri në rifillimin e kryerjes së funksionit të gjyqtares në Gjykatën e Apelit Tiranë, e ka pohuar dhe pranuar edhe personalisht znj. Shpresa Beçaj,” shprehet KPK.

“Gjithashtu, ka rezultuar se në vijim të një procesi gjyqësor të ndërmarrë, lidhur me vonesën e riemërimit ka përfituar edhe një dëmshpërblim, pikërisht, për të gjithë periudhën e mosushtrimit të funksionit, për shkak të emërimit të munguar deri në momentin vendimmarrës”, shton Komisioni.

Sipas trupit gjykues, të drejtat e shpërblimit dhe rikthimit në detyrë Beçaj i ka gëzuar pikërisht  nga pasja e statusit të gjyqtarit.

Duke ju referuar qëndrimit të mbajtur nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, Komisioni konkludon se kur subjektet e gëzojnë statusin e magjistratit, mosushtrimi i detyrës nuk përbënë shkak për përjashtimin e tyre nga procesi i rivlerësimit.

Komisioni konkludon se Beçaj ka pasur detyrimin ligjor t’i nënshtrohej procesit të rivlerësimit, pasi ajo gëzonte statusin e magjistratit në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit të vetingut.

“Në përcaktimin e subjekteve që i nënshtrohen ex officio procesit të rivlerësimit, përfshin të gjithë gjyqtarët dhe kategoritë e tjera, pa bërë asnjë specifikim, ndarje në nënkategori apo dallim midis gjyqtarëve në detyrë dhe atyre jo në detyrë,” shprehet KPK.

“Për sa kohë ky përkufizim i përfshin të gjithë gjyqtarët që gëzojnë këtë status – ndryshe nga sa pretendon subjekti, Komisioni nuk konstaton arsye për të cilat znj. Shpresa Beçaj nuk do të duhej t’i nënshtrohej procesit të rivlerësimit ex officio,” vlerëson Komisioni.

Trupi gjykues thekson se fryma e ligjit parashikon edhe rivlerësimin e ish-gjyqtarëve apo ish-prokurorëve që aspirojnë të kthehen si aktorë në sistemin e drejtësisë, pavarësisht se e kanë humbur statusin e magjistratit.

“Në të kundërt nuk mund të konsiderohet në harmoni dhe në përputhje me këto dispozita dhe as në funksion të realizimit të qëllimit të reformës në drejtësi, moskryerja e procesit të rivlerësimit ndaj një gjyqtari që jo vetëm ka mbuluar funksione të rëndësishme në karrierë, por edhe gjatë mosushtrimit të funksionit është ndierë gjithmonë (siç është shprehur vetë subjekti) dhe është trajtuar në vijimësi dhe pa ndërprerje si një pjesë përbërëse e sistemit të drejtësisë, konform dhe në sajë të të drejtave dhe efekteve që kanë buruar pikërisht nga statusi i gjyqtarit/magjistratit”, citohet më tej në vendim.

Komisioni konsideron se pretendimi i Beçajt për anashkalimin e procesit të rivlerësimit, jo vetëm që bie ndesh me frymën e dispozitave kushtetuese dhe ligjit të vetingut, por gjithashtu do të rezultonte totalisht i pambështetur në ligj dhe në prova.

“Shpresa Beçaj, në momentin e futjes në fuqi të ligjit nr. 84/2016, ishte një subjekt që duhej t’i nënshtrohej procesit të rivlerësimit ex officio, për shkak të statusit që gëzonte dhe, për rrjedhojë, mbartte edhe detyrimin ligjor…, për paraqitjen e deklaratës së pasurisë, të deklaratës për kontrollin e figurës dhe formularin e vetëvlerësimit profesional, brenda afatit 30-ditor, nga hyrja në fuqi e tij”, shprehet Komisioni

Trupi gjykues konstaton se nuk qëndron pretendimi i Beçajt lidhur me komunikimin e drejtpërdrejtë me funksionarëve të ILDKPKI, që sipas saj i kanë pohuar se nuk mund të plotësonte deklaratat pasi emri nuk gjendej në organikat e gjykatave, duke qenë se mbeten në nivel deklarativ.

Komisioni shton se bazuar në legjislacionin për vetingun, deklarata e pasurisë në ILDKPKI mund të dërgohej me postë dhe se nuk ishte e detyrueshme të paraqitej personalisht subjekti i rivlerësimit.

Gjithashtu, evidentohet fakti se deklarata për kontrollin e figurës dhe formulari për vetëvlerësimin profesional duhej të dërgoheshin në dy institucione krejt të ndryshme nga ILDKPKI-ja, konkretisht, në DSIK dhe KLD.

Sipas KPK, nuk rezulton që Beçaj të ketë bërë ndonjë tentativë për dërgimin e ndonjë kërkese informacioni në rrugë zyrtare, lidhur me deklaratën për kontrollin e figurës dhe me formularin për vetëvlerësimin profesional.

Trupi gjykues arrin në përfundimin se shpjegimet dhe pretendimet e Beçajt nuk përmbajnë asnjë rrethanë apo fakt konkret të provuar, që mund të përbëjë ndonjë shkak ligjor justifikues për mospërmbushjen e detyrimeve për dorëzimin e deklaratave në institucionet ndihmëse.

Gjithashtu, nuk ka rezultuar që ajo të ketë kërkuar ndonjëherë pranë institucioneve përkatëse apo pranë Komisionit rivendosjen në afat për shkaqe të arsyeshme, apo fuqi madhore, që nuk do t’i kishte mundësuar asaj respektimin e afateve të përcaktuara nga ligjin e rivlerësimit kalimtar.

Komisioni sjell në vëmendje përmbajtjen e dispozitave të Aneksit të Kushtetutës, të pikës 5 të nenit D dhe të pikës 4 të nenit DH, ku parashikohet shkarkimi nga detyra i subjektit që nuk e dorëzon deklaratën e pasurisë dhe për figurën në kohë, sipas ligjit.

Në përfundim, trupi gjykues ka vendosur në unanimitet shkarkimin nga detyra të gjyqtares Shpresa Beçaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *