Gjyqtari Gerd Hoxha pas seancës në KPA. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPA Lajme Veting

KPA dëgjon konkluzionet përfundimtare në vetingun e Gerd Hoxhës

Kolegji i Posaçëm i Apelimit u njoh të mërkurën me konkluzionet përfundimtare në çështjen e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarit të Tiranës, Gerd Hoxha. Në seancës që zgjati për rreth katër orë, Komisionerja Publike, Irena Nino kërkoi shkarkimin e Hoxhës për shkaqet e ngritura në ankim për pasurinë dhe profesionalizmin.

Hoxha i konsideroi të pabazuara shkaqet e ankimit dhe kërkoi lënien në fuqi të konfirmimit të tij.

Gjyqtari Gerd Hoxha u konfirmua në detyrë me shumicë votash më 3 qershor 2021 nga komisionerët Genta Tafa Bungo dhe Olsi Komici, ndërsa Brunilda Bekteshi në pakicë çmoi se subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë burimin e një huaje të marrë nga ish-bashkëshortja prej prindërve të saj, që ka shërbyer për shlyerjen e një kredie 25 mijë euro të përdorur për rikonstruksionin e një apartamenti. Konfirmimi i Hoxhës u ankimua nga Komisioneri Publik, Darjel Sina pas një rekomandimi të Operacionit ndërkombëtar të Monitorimit, ONM.

Procesi i vetingut për Hoxhën është pothuajse identik me atë të ish-bashkëshortes Elbana Lluri, e cila është gjithashtu në fazën e konkluzioneve përfundimtare. Ndryshe nga rasti Llurit, për Hoxhën u ngritën shkaqe edhe për profesionalizimin, lidhur me një çështje të gjykuar dhe dy qëndrime të tij si anëtar i ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, KLD në dhënien e lejes prindërore për ish-gjyqtarin Gjin Gjoni dhe rrëzimin e një kërkese për masë disiplinore ndaj Petrit Aliajt.

Konkluzionet për pasurinë

Komisionerja Nino u ndal fillimisht në konkluzionet për shkaqet që lidhen me blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 125 m2 në Tiranë në vitin 2011 nga subjekti, në bashkëpronësi me ish-bashkëshorten. Për këtë pasuri, Hoxha ka deklaruar se ka paguar individualisht shumën 6.5 milionë lekë dhe ka sqaruar se gjysma e apartamentit i është dhuruar ish-bashkëshortes nga pala shitëse, për shkak të marrëdhënies së posaçme mes tyre.

Megjithëse Nino konstatoi se nuk vërtetohet pagesa e detyrimeve tatimore për pjesën më madhe të të ardhurave në vlerën 1.5 milionë lekë e deklaruar në vitin 2003 si kursim nga bursa e Shkollës së Magjistraturës dhe nga puna në sektorin privat gjatë periudhës 1995-2000, ajo u shpreh se nga rikryerja e analizës financiare rezulton se mbulohet pagesa e këstit të parë të apartamentit.

Por sipas saj, nuk është arritur të provohet mundësia e pagesës së këstit të dytë dhe se prindërit e ish-bashkëshortes nuk kanë pasur mundësi t’i jepnin asaj një hua në vlerën 25 mijë euro në vitin 2011, shumë që ka shërbyer për shlyerjen e një kredie të marrë në 2009-ën, e përdorur për rregullimin e apartamentit në Tiranë.

Gjyqtari Hoxha vërejti se në konkluzionet e komisioneres nuk u evidentua asnjë e re dhe kërkoi ndjesë që do të mbrohej me të njëjtët argumente. Në vijim, ai kërkoi miratimin e trupës për nuancat emocionale që do të kishte në fjalën e tij.

Hoxha e cilësoi analizën e kryer në shkelje të procesit të rregullt ligjor. Ai pretendoi se ishte cënuar parimi i sigurisë juridike, me argumentin se nuk i ishte paraqitur ndonjë arsye për shmangien nga jurispudenca e deritanishme. Po ashtu, subjekti pretendoi se nga komisionerja ishte tejkaluar barra e provës.

Sipas Hoxhës, ishte shkelur edhe barazia e armëve pasi ishin kryer dy analiza dhe e kishte pasur të pamundur të kryente një mbrojtje efektive. “Kërkesat e mia nuk u morën parasysh, pavarësisht jurispudencës tuaj. Numrat kanë qenë gjithmonë të njëjtë që në Egjiptin e lashtë. Duhet të sqarohet përse Komisionit i del 4 shumatorja e 2+2 ndërsa komisioneres i del 3”, pretendoi Hoxha dhe u shpreh se shpresonte që pasaktësitë dhe mangësitë të korrigjohen nga Kolegji.

Lidhur me huanë e marrë nga ish-bashkëshortja prej prindërve të saj që ka shërbyer për shlyerjen e kredisë, Hoxha vërejti se çështjet janë të ndara dhe nuk mund të penalizohet edhe ai. Subjekti solli në vëmendje jurispudencën e KPA-së.

Për pagesën e këstit të parë në shumën 1.5 milion lekë me burim nga kursimet, Hoxha deklaroi se kjo vlerë nuk është krijuar deri në vitin 2003 ashtu si pretendoi komisionerja, por deri në 2011-ën. “Vetë Komisionerja Publike e pranoi se kisha mundësi për shlyerjen e këstit të pare,” pohoi Hoxha.

Në vijim ai solli në vëmendje një marrëveshje të Shqipërisë me OSBE-në për mostaksimin e të ardhurave të përfituara prej të kontraktuarve si ekspertë nga ky institucion ndërkombëtar. Hoxha shpjegoi se të gjitha të ardhurat që ka përfituar nga kontraktimi i tij prej OSBE-së nuk tatohen në Shqipëri. “Ngela i çuditur për pikëpyetjet e ngritura mbi këto të ardhura. Edhe sot OSBE i njofton shtetasit shqiptarë se përjashtohen nga tarifat,” pohoi Hoxha dhe kërkoi që KPA t’i referohej legjislacionit përkatës në analizimin e këtyre të ardhurave.

Lidhur me të ardhurat nga puna në sektorin privat deri në vitin 2000, Hoxha theksoi se nuk kishte qenë detyrimi i tij për të paguar detyrimet, por i punëdhënësit. Ai pretendoi se kishte shteruar gjithë kërkimet e mundshme dhe fajësoi institucionet për mungesën e të dhënave. Ndërkohë, këmbënguli se kishte provuar mjaftueshëm ligjshmërinë e të ardhurave me faktin se i kishte deklaruar në vitin 2003 këto kursime, si dhe në vitin 2014 në ILDKPKI dhe në deklaratën ‘veting”. Po ashtu, Hoxha solli në vëmendje të kolegjit deklaratat noteriale të punëdhënësve.

Hoxha deklaroi se edhe nëse nuk do të konsiderohen këto të ardhura, ai sërish rezulton se ka pasur burime financiare të mjaftueshme për kryerjen e investimit.

Subjekti kërkoi që të mos i ngarkohet përgjegjësi lidhur me burimet e huasë 25 mijë euro të marrë prej ish-bashkëshortes nga prindërit e saj. “Unë kam qenë dorëzanës për kredinë dhe jo për huanë,” pohoi Hoxha dhe shtoi se dorëzania nuk hynte tek të drejtat reale.

Hoxha pretendoi se prindërit e ish-bashkëshortes rezultonin se kishin pasur të ardhura të mjaftueshme për dhënien e huasë 25 mijë euro së bijës, pavarësisht mënyrës së kryerjes së analizës financiare.

Nino deklaroi se pamundësia e vërtetimit të pagesës së të ardhurave nga puna në sektorë privatë përpara vitit 2000, çon në pamundësi të subjektit dhe ish-bashkëshortes së tij për blerjen e një apartamenti në Vlorë.

Sipas komisioneres, subjekti nuk ka arritur të vërtetojë të kundërtën e shkaqeve të ankimit për këtë pasuri, pasi është arritur të provohet pjesërisht vlera e kursimeve të pretenduara. Të ardhurat nga shitja e një automjeti në vitin 2011 nuk janë konsideruar prej komisioneres, me argumentin se kjo shumë nuk është pasqyruar në deklaratën periodike. Po ashtu, Nino pretendoi se nuk arrihet të provohet mundësia e ish-bashkëshortes për krijimin e një pjese të kursimeve 5 milionë lekë të pasqryuara prej saj në deklaratën para fillimit të detyrës.

Nino deklaroi se bazuar në analizën financiare çmonte se subjekti kishte kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjafuteshëm për këtë pasuri.

Gjyqtari Hoxha deklaroi se të ardhurat e përfituara nga shitja e një autoveture janë kursyer, pavarësisht se nuk është deklaruar si gjendje. Ai argumentoi se paqartësitë apo pasaktësitë në deklarime nuk mund të sjellin penalizim në rastet kur nuk shoqërohen me pamundësi financiare dhe solli në vëmendje të trupës vendime të mëparshme të KPA-së për raste të ngjashme.

Subjekti kërkoi zbritjen e shpenzimeve të udhëtimeve jashtë shtetit të kryera me familjen e motrës së ish-bashkëshortes, me pretendimin se janë mbuluar nga këta të fundit. Lidhur me mosdeklarimin e këtyre shpenzimeve, Hoxha këmbënguli se nuk kishin arritur asnjëherë shumën 300 mijë lekë që detyronte pasqyrimin e tyre. Po ashtu, subjekti sqaroi se në këtë rast nuk ekzistonte konflikti i interesit, për shkak të lidhjes së ngushtë me familjen e motrës së ish-bashkëshortes.

Sipas tij, ky konstatim i komisioneres, si edhe shuma 5 milion lekë e deklaruar nga ish-bashkëshortja si kursim para fillimit të detyrës, nuk janë shkaqe në ankim. “Më vjen keq që ka ngritur një shkak të ri në kundërshtim me ligjin,” pohoi Hoxha dhe theksoi se ndihma që i ka dhënë familja e motrës së ish-bashkëshortes nuk mund të kundërshtohet, pasi kanë pasur mundësi financiare me burime të ligjshme.

Ai theksoi se në gjykimin në KPA nuk ishte siguruar asnjë provë e re, por ishte kryer një shtesë e paligjshme në ankim. “Komisioneri Publik e ka të pamundur të zgjerojë ankimin edhe për shumën 5 milionë lekë të ish-bashkëshortes të krijuar para martesës”, pohoi Hoxha dhe solli në vëmendje të trupës disa vendimarrje të Kolegjit për subjekte të tjerë, ku sipas tij nuk janë marrë parasysh transaksionet financiare të bashkëshortëve të tyre para martesës.

Sipas subjektit, mbetej i paqartë se cilën vlerë kishte marrë komisionerja si shpenzim mesatar jetese për prindërit e saj, atë të llogaritur sipas ILDKPKI-së, apo gjithë ndihmën financiare që u kishte dhënë vajza tjetër, motra e ish-bashkëshortes me qëllim që të kishin një nivel mesatar jetese, si dhe të ardhurat e tyre. “A mund të kursehet me të ardhura mesatare?”, u shpreh Hoxha dhe kërkoi që në analizën financiare të përfshihej edhe pensioni shtesë i ish-vjehrrit si ushtarak.

Sipas komisioneres, nuk provohet as mundësia financiare e babait të subjektit për blerjen e një automjeti tip Audi, të përdorur prej gjyqtarit Hoxha. Nino kërkoi që të mos përfshihen në analizën financiare të ardhurat e subjektit dhe të motrave të tij dhe theksoi se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kishte pasur detyrimin të analizonte dhe verifikonte saktë pasuritë në përdorim të subjektit të rivlerësimit me qëllim shmangien e çdo dyshimi të mundshëm për fshehje.

Gjyqtari Hoxha vërejti se babai i tij nuk kishte pasur tjetër makinë në atë kohë. Sipas tij, automjeti tip “Audi” ishte blerë për arsye të posaçme shëndetësotre nga i ati dhe se ishte shitur në 2018-ën, po për arsye shëndetësore. Ai deklaroi se çdo transaksion për blerjen dhe shitjen e atij mjeti ishte kryer nga babai dhe se kishe përdorur vetëm në udhëtimet me fëmijët e tij, pasi kishte hapësirë dhe ofronte siguri.

“Unë kam blerë një tjetër automjet tip Citroen në atë kohë dhe e kam përdorur edhe jashtë shtetit. Kurse automjetin tip Audi e kam përdorur vetëm për udhëtimet me fëmijët, për sigurinë”, shpjegoi Hoxha dhe theksoi se nuk e kishte fshehur asnjëherë këtë pasuri.

Ai kundërshtoi konstatimin e komisioneres lidhur me emrin e tij në policën e sigurimit. “Unë jam gjyqtar dhe nuk bëj veprime të paligjshme. Prandaj gjendet i pari emri i babait, pastaj i imi dhe më pas i ish-bashkëshortes, e cila nuk e ka përdorur,” sqaroi Hoxha.

“Kam detyrimin të deklaroj burimin e pasurive të mia dhe jo të prindërve. Ata nuk janë persona të lidhur, pasi huapërdorja është e ndryshme nga marrëdhënia e huasë,” tha ai. Në vijim Hoxha kërkoi që në analizën financiare të prindërve të tij për blerjen e automjetit tip Audi të përfshihen edhe të ardhurat e tij dhe të motrave. Sipas tij, nëse nuk do të kishte kontribuar financiarisht në familjen e prindërve kur jetonin bashkë, atëherë do të kishte pasur mundësi të kursente shumën 7.2 milionë lekë gjatë periudhës 2003-2011.

Subjekti vërejti se kjo situatë ishte gjë e gjykuar në rastin e vetingut të motrës së tij. “Me të drejtë i kanë konsideruar në atë rast dhe nuk është ankimuar vendimi. Unë qenkam i ‘njerkut’, jo i prindërve? Duhet që të përllogariten edhe në këtë rast,” kërkoi Hoxha dhe deklaroi se babai rezulton me balancë pozitive për blerjen e Audi-t.

Në përfundim, gjyqytari Hoxha u shpreh se rezulton me burime të ligjshme dhe i konsideroi të pabazuara shkaqet e ngritura për pasurinë.

Profesionalizmi

Nino kërkoi që gjetjet e ONM-së për profesionalizmin të mbahen në vëmendje prej KPA-së dhe deklaroi se u qëndronte shkaqeve të ankimit edhe në këtë kriter. Lidhur me një vendimarrje të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ILD-së për arkivimin e një çështje ndaj gjyqtarit Hoxha, Nino pretendoi se vendimarrja e këtij organi nuk mund të ndikojë apo zëvendësojë juridiksionin rivlerësues të KPA-së.

Në përfundim, Nino kërkoi ndryshimin e vendimit për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit Gerd Hoxha dhe kërkoi shkarkimin e tij.

Gjyqtari Gerd Hoxha vërejti se në konkluzionet e komisioneres Nino nuk gjente të shprehur një qëndrim për mendimin e ONM-së. “Nëse është në gjendje të shprehet për mendimin e ONM-së ose të kërkojë ndihmë,” u shpreh Hoxha lidhur me konkluzionet e komisioneres publike për profesionalizmin.

Për çështjen e verifikuar dhe të arkivuar nga ILD, subjekti sqaroi se ishin rrëzuar të gjitha pretendimet e ngritura në ankesën ndaj tij. Sipas subjektit, pretendimi se mungonin dokumente nuk qëndronte pasi ishin gjetur të gjitha në dosje. Po ashtu, kishte rezultuar se nuk qëndronte mungesa e njoftimit të palëve pasi ishin dokumentuar 85 njoftime. Hoxha pretendoi se nuk qëndronin edhe pretendimet e tjera për këtë çështje.

Edhe për dy çështjet e tjera, lidhur me qëndrimet e tij si anëtar i ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, KLD, Hoxha deklaroi se këto gjetje ishin ezauruar prej vendimeve të ILD-së.

“Nuk qëndron asnjë shkak i Komisioneres Publike për profesionalizmin,” deklaroi Hoxha dhe paraqiti një pasqyrë të karrierës së tij profesionale, ku ndër të tjera theksoi se nuk ishte tërhequr asnjëherë nga gjykimi, edhe kur kishte pasur përballë bandat.

Në përfundim, gjyqtari Gerd Hoxha deklaroi se kishte arritur nivel të besueshëm për pasurinë dhe figurën dhe nivel të mirë kualifkues për profesionalizmin. “Kërkoj të më jepni nderin dhe përgjegjësinë të vijoj detyrën,” u shpreh gjyqtari Gerd Hoxha në përmbyllje të konkluzioneve të tij.

KPA njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 6 korrik, në orën 16:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *