Komisioni i Pavarur i Kualifikimit rrëzoi me shumicë një kërkesë të gjyqtares Zarka për të rihapur hetimin dhe vendosi shkarkimin e saj, pas dyshimeve për konflikt interesi dhe probleme të pasurisë.
Gjyqtarja e Gjykatës së Fierit Adelina Zarka u shkarkua të enjten nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Zarka ndaj të cilës u zhvilluan dy seanca dëgjimore, një në të cilën u lexua raporti i KPK dhe një e dytë për mbrojtjen, u gjet nga Komisioni me probleme të pasurisë dhe dy raste të dyshuara të konfliktit të interesit.
Gjyqtarja, e cila ka filluar punë në vitin 1998 dhe ka qenë gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Fier për gjithë këtë periudhë, kundërshtoi barrën e provës që i kishte vendosur KPK. Ajo pretendoi se bënte një jetë modeste dhe se kishte zbatuar me korrektësi ligjin.
Kërkesa e Zarkës për të rihapur hetimin, i cili ishte mbyllur vetëm në kriterin e pasurisë, u rrëzua me shumicë nga trupa e kryesuar prej Xhensila Pines me anëtar Olsi Komici dhe relatore Valbona Sanxhaktari.
Pas rrëzimit të kërkesës, vendimi i shkarkimit ishte unanim.