Gjyqtarja Atalanta Zeqiraj (majtas) dhe avokatja e saj në KPA | Foto: Edmond Hoxhaj
KPA Lajme Veting

Komisionerja Publike kërkon lënien në fuqi të konfirmimit të Atalanta Zeqirajt

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA dëgjoi të premten konkluzionet përfundimtare në çështjen lidhur me ankimin e zyrës së Komisionerit Publik ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për konfirmimin në detyrë të gjyqtares së Vlorës, Atalanta Zeqiraj.

Gjyqtarja Atalanta Zeqiraj u konfirmua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në 30 qershor 2021. Nga hetimi administrativ rezultoi se ajo nuk kishte pasuri të paluajtshme, por përdorte pa kundërshpërblim një apartament të blerë nga babai i saj në Vlorë.

Prej KPK-së u konkludua se babai i subjektit kishte pasur burime të mjaftueshme financiare për blerjen e apartamentit në Vlorë dhe të një tjetri në Tiranë – edhe kjo pasuri e përdorur nga gjyqtarja Zeqiraj gjatë kryerjes së stazhit, pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës.

ONM rekomandoi që çështja të rishihej nga KPA, duke argumentuar se interpretimi i KPK bazuar mbi proporcionalitetin nuk ishte i qartë. Bazuar në rekomandim, Komisioneri Darjel Sina konstatoi se në vendimin e KPK paraqiten rrethana të tilla ligjore që e bëjnë të cënueshëm në tërësinë e tij. Ai i kërkoi Kolegjit që të marrë në shqyrtim çështjen dhe të ribëjë vlerësimin e pasurive në përdorim dhe posedim të subjektit të rivlerësimit, me burim të deklaruar nga të ardhurat e babait të saj.

Në fillim të seancës të premten, kryesuesi i trupës gjykuese të Kolegjit, Sokol Çomo sqaroi se nuk ishte i pranishëm në seancë Komisioneri Darjel Sina që ka kryer ankimin, pas emërimit të tij në Gjykatën e Lartë. Ai deklaroi se institucioni i Komisionerëve Puyblikë do të përfaqësohet në këtë çështje nga Komisionerja Irena Nino, e caktuar nga Kuvendi për zëvendësimin e Sinës. Në seancë ishte i panishëm edhe Komisioneri Florian Ballhysa.

Komisionerja Nino paraqiti konkluzionet përfundimtare në këtë çështje. Ajo kërkoi që vendimi i Komisionit për konfirmimin e Zeqirajt të lihet në fuqi, por me arsyetim të ndryshëm. Sipas saj, Kolegji duhet të vlerësojë nëse parimi i proporcionalitetit i konstatuar nga KPK është i duhuri.

Nino vërejti se nga hetimi administrativ rezulton se subjekti nuk ka lidhje me krijimin e pasurive të të atit që ka përdorur, si dhe rezulton se ai ka pasur burime për krijimin e tyre.

Lidhur me situatën e mundshme të konfliktit të interesit si pasojë e kontratave të shoqërisë së zotëruar nga babai me autoritete publike, Nino u shpreh se nuk është e mjaftueshme për të penalizuar subjektin e rivlerësimit. Në fund, Komisionerja Nino kërkoi lënien në fuqi të vendimit të KPK-së për konfirmimin e gjyqtares Atalanta Zeqiraj në detyrë dhe që të ndryshohet arsyetimi ligjor.

Gjyqtarja Atalanta Zeqiraj e cilësoi ankimin të pambështetur lidhur me paqartësitë për burimet e i krijimit të pasurive të babait, që janë përdorur prej saj. Ajo theksoi se është provuar burimi i ligjshëm i apartamentit në Vlorë dhe atij në Tiranë. Sipas Zeqirajt, veprimet juridiko-civile mes shoqërisë dhe të atit në cilësinë e ortakut të vetëm, kanë qenë të pasqyruar në librat kontabël të shoqërisë dhe nuk kanë sjellë shmangie të detyrimeve tatimore.

Subjekti vërejti se apartamentet janë blerë para fillimit të detyrë e për rrjedhojë nuk mund të ngrihen dyshime se mund të jenë krijuar me të ardhura të paligjshme të përfituara për shkak të ushtrimit të detyrës si gjyqtare.

Po ashtu, Zeqiraj deklaroi se ishte e provuar se babai i saj kishte pasur të ardhura të mjaftueshme për dhurimin e një shume 5000 euro bashkëjetuesit të saj për blerjen e një automjeti.

Lidhur me dyshimet e ngritura për konflikt interesi, Zeqiraj theksoi se babai nuk kishte lidhur kontrata publike në qytetin e Vlorës gjatë periudhës që ajo ka ushtruar detyrën dhe se nuk ka zhvilluar gjykime me instituciuone me të cilat ai ka lidhur kontrata.

Sipas subjektit, nuk është krijuar as dukja se mund të ketë qenë e ndikuar në vendimarrjet e saj. Zeqiraj deklaroi se vetëm situata e konstatuar prej KPK-së se babai kishte lidhur kontrata publike, ndërkohë që është vlerësuar pozotivisht në të gjithë komponentët, nuk mund të sjellë marrjen e një mase ekstreme. Ajo kërkoi lënien në fuqi të konfirmimit në detyrë.

KPA njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 16 maj, në orën 14:00.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *