Gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Valdete Hoxha pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
Korrupsioni KP Lajme Në Fokus

Komisioneri Publik ankimon në Kolegj konfirmimin e gjyqtares Valdete Hoxha

Sipas komisionerit Darjel Sina, KPK nuk hetoi në mënyrë të plotë dhe shterruese mundësitë financiare të kunatës së gjyqtares Valdete Hoxha për të financuar me hua shkollimin e vajzës së saj në Kanada.

Gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Valdete Hoxha pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Valdete Hoxha do të kalojë sërish në filtrat e vetingut, pasi Komisioneri Publik ngriti dyshime mbi hetimin e KPK-së për shpenzimet e shkollimit të vajzës në Kanada dhe e ankimoi të martën konfirmimin e saj në detyrë.

Në ankimin drejtuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, komisioneri Darjel Sina thekson se përfundimet e Komisionit për konfirmimin në detyrë të Znj. Hoxha janë “rrjedhojë e një vlerësimi jo të drejtë të provave si dhe e një hetimi jo të plotë dhe shterues administrative”.

Gjyqtarja Valdete Hoxha u konfirmua në detyrë më 1 korrik nga trupa gjyqësore e drejtuar nga Lulzim Hamitaj, me relatore Genta Tafa Bungon dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin. Në vendimin e konfirmimit, KPK deklaroi se gjyqtarja Valdete Hoxha arriti nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë, atë të pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.

Megjithatë, Komisioneri Publik vlerëson se nevojitet riçelje e hetimit në Kolegj lidhur me aftësinë huadhënëse të kunatës së Znj. Hoxha për shumës e rreth 93 mijë dollarë kanadezë për mbulimin e shpenzimeve të shkollimit të vajzës së saj në Kanada në vitet 2012-2016 si dhe për dhurimet në vlerën e 11 mijë dollarëve kanadezë.

Në hetimin e vet, KPK arriti në përfundimin se halla e vajzës së gjyqtares Hoxha ka pasur të ardhura të mjaftueshme për të justifikuar huanë e dhënë për shkollimin e saj në Kanada. Por komisioneri Sina vlerëson se nevojiten verifikime të tjera në drejtim të shpenzimeve të huadhënësve.

“Ky kontroll nuk synon vlerësimin e burimit të ligjshëm të çdo pasurie të vënë nga këta persona, por vlerësimin e shpenzimeve të tyre në raport me mundësinë dhe mjaftueshmërinë financiare për të dhënë hua në shumën 93.952,08 CAD, vajzës së subjektit të rivlerësimit dhe dhurimet e deklaruara,”thekson Sina.

Sipas ankimit, personat e lidhur me Znj, Hoxha kanë blerë në Tiranë një apartament me vlerë 75 mijë euro si dhe një automjet për 6 mijë euro si dhe kanë investuar në blerjen e një shtëpie në Kanada. Komisioneri Publik argumenton se subjekti ka dorëzuar dokumente për shtëpinë në Tiranë, por nuk është plotësisht i qartë burimi i shtëpisë në Kanada.

“Në lidhje me investimin për shtëpinë në Kanada, subjekti ka deklaruar si burim financimin me kredi bankare në Kanada. Nga aktet e administruara mbetet e paqartë nëse vlera totale e këtij aseti është financuar totalisht nga kredia bankare apo janë përdorur edhe kursimet e familjes,” thotë Komisioneri.

Komisioneri ndan qëndrim të ndryshëm nga KPK edhe për aftësinë financiare të vajzës së subjektit për të shlyer detyrimin ndaj hallës në vitin 2016. Ai konsideron gjithashtu se nuk janë deklaruar në deklaratën “veting” dy dhurime me vlerë rreth 6400 dollarë kanadezë në vitin 2012 si gjen mungesë burimesh prej rreth 387 mijë lekësh për blerjen e një automjeti nga subjekti dhe bashkëshorti i saj.

Nisur nga dyshimet e mësipërme, komisioneri Sina ndan gjykim të kundërt me KPK-në nëse gjyqtarja Hoxha ka arritur nivel të besueshëm të kriterit të pasurisë për konfirmimin e saj në detyrë. Megjithatë, Sina kërkon që Kolegji të riçelë shqyrtimin gjyqësor për gjyqtaren Hoxha për të vendosur në fund ose ndryshimin e vendimit të KPK-së ose lënien e tij në fuqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *