Gjyqtari i Gjykatës Administrative Emiljano Ruli, pas seancës në KPK. Foto:Vladimir Karaj/BIRN
KPK Lajme Veting

KPK rihap hetimet për gjyqtarin Emiljano Ruli

Gjyqtari Emiljano Ruli i Gjykatës Administrative të Tiranës do të hetohet edhe për profesionalizmin dhe pastërtinë e figurës, pas vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit njoftuar të premten për rihapje të hetimit për këtë subjekt.

Olsi Komici, që kryeson trupën me relatore Xhensila Pinen dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin, njoftoi se pas diskutimeve në dhomë këshillimi trupa kishte vendosur riçelje të hetimit të pasurisë dhe hapje të hetimit për dy kriteret e tjera që nuk ishin përfshirë në seancën dëgjimore të parë.

Gjyqtari Ruli iu nënshtrua në 11 maj një seance dëgjimore vetëm në kriterin e pasurisë. Gjatë relatimit u vu në dukje se atij i ishin gjetur mungesë burimesh dhe se dyshohej për konflikt të interesit.

Ndër të tjera Komisioni vuri në dukje se konstatoi pamundësi të gjyqtarit Emiljano Ruli dhe të bashkëshortes së tij për blerjen e një apartamenti 2+1 me sipërfaqe 119 m2 në Tiranë, të porositur në vitin 2009 për çmimin 9 milionë lekë.

Po ashtu relatorja tha se gjyqtari Ruli është gjendur në kushtet e konfliktit të interesit në gjykimin dhe vendimmarrjen e tre padive të një shoqërie ndërtuese, me të cilën bashkëshortja ka nënshkruar kontratë sipërmarrje në cilësinë e njërit prej bashkëpronarëve të sipërfaqeve të konsiderueshme pyje e tokë në Gjirin e Lalëzit, ku janë ndërtuar komplekse turistike.

Ruli pretendoi në seancë se kishte arritur të provonte të kundërtën e hetimit paraprak qoftë sa i përket pasurisë, qoftë për konfliktin e mundshëm të interesit. Ai tha se kishte dhënë dorëheqjen nga çështjet, por kjo ishte refuzuar nga kryetari i gjykatës, ndërsa kërkoi çeljen e hetimit për dy kriteret e tjera – atë të pastërtisë së figurës dhe profesionalizmin.

Emiljano Ruli përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2006 dhe u emërua gjyqtar në Gjykatën e Shkodrës. Prej vitit 2013, Ruli e ushtron funksionin në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar në seancë ishte i pranishëm Gerrit Sprenger.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *