Kryetari i Gjykatës së Fierit ballafaqohet me dyshime për ‘konflikt interesi’ në KPK
Lajme

Kryetari i Gjykatës së Fierit ballafaqohet me dyshime për ‘konflikt interesi’ në KPK

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi se babai i gjyqtarit Roland Jaupaj kishte blerë një apartament dhe një garazh në kompaninë e gjykuar prej këtij të fundit, me çmim nën vlerën e tregut, ndërkohë që probleme u gjetën edhe në pasurinë e bashkëshortes.

Kryetari i Gjykates se Fierit, Roland Jaupaj pas seances degjimore ne KPK. Foto: Edmond Hoxhaj

Kryetari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, Roland Jaupaj u përball me probleme të pasurisë gjatë seancës dëgjimore të hënën në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, ku u identifikua një konflikt i mundshëm interesi në blerjen e një apartamenti nga prindërit e tij dhe paqartësi në përfitimin e 13 mijë eurove nga bashkëshortja në ndërmjetësimin për blerjen e një shtëpie.

Treshja gjykuese e KPK-së përbëhej nga Genta Tafa(Bungo) kryesuese, Pamela Qirko relatore dhe Etleda Çiftja anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Maria Tuma.

Sipas raportit të ILDKPKI, gjyqtari Jaupaj nuk ka kryer deklarim të saktë, por ka burime të ligjshme dhe nuk ka kryer fshehje pasurie dhe nuk është në kushtet e konfliktit të interesit.

Por hetimi i thelluar i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit duket se ka arritur në konkluzione të ndryshme.

Gjyqtari Roland Jaupi ka deklaruar para Komisionit se jeton në apartamentin e prindërve në lagjen “Kastrioti” në qytetin e Fierit dhe se përdor garazhin e tyre. Apartamenti ka një sipërfaqe prej 170 m2 dhe një garazh 22 m2. Babai i gjyqtarit Jaupaj e ka blerë apartamentin në qershor të vitit 2012 për 3.6 milionë lekë dhe garazhin për 400 mijë lekë.

Sipas relatores Pamela Qirko, në këtë periudhë rezulton se Jaupaj ka shqyrtuar çështjen gjyqësore me palë Bashkinë e Fierit dhe Shoqërinë ndërtuese M.Sh.P.K.,  cila ka ndërtuar pallatin ku gjendet edhe apartamenti me sipërfaqe 170 m2 dhe garazhi 22 m2, të blera prej babait të subjektit të rivlerësimit.

Komisioni evidentoi faktin se Gjykata e Fierit ka rrëzuar kërkesë- padinë e bashkisë që kërkonte pezullimin e lejes së ndërtimit, duke i dhënë të drejtë kompanisë M. Sh.P.K. e cila ka ndërtuar pallatin ku gjendet edhe apartamenti ku jeton gjyqtari Jaupaj.

Qirko pohoi se babai i tij ka pasur trajtim preferencial nga firma ndërtuese dhe se duket që ka pasur garanci për këtë pasuri.

“Çmimi është dukshëm më i ulët nga ai i tregut,” theksoi relatorja Qirko.

Nisur nga fakti se gjyqtari i përdor këto pasuri, komisioni i konsideron prindërit si persona të lidhur. Nga verifikimet dhe analiza e kryer prej komisionit ka rezultuar se prindërit e gjyqtarit Jaupaj nuk kanë pasur burime të ligjshme për krijimin e pasurive apartament me sipërfaqe 170 m2 dhe garazh me sipërfaqe 22 m2.

Komisioni i ka cilësuar të rregullta deklarimet e kryetarit të Gjykatës së Fierit për depozitat bankare në vlerat: 800 mijë lekë, 900 mijë lekë, 724 mijë lekë, 1.83 milionë lekë, 1.55 milionë dhe 504 mijë lekë. Të sakta janë konstatuar edhe deklarimet për blerjen e mjetit tip Benz, por ka evidentuar të pasaktë deklarimin për burimin e krijimit të kësaj pasurie.

“Nga analiza financiare vetëm për dy vite është evidentuar balancë negative në vlera të vogla,” pohoi relatorja Pamela Qirko.

E njëjta situatë është evidentuar edhe për bashkëshorten e gjyqtarit Jaupaj lidhur me depozitat bankare. Relatorja Qirko tha se nga verifikimi i pasurisë së saj janë konstatuar disa depozita me afat dy vjeçar, konkretisht në shumat 800 mijë lekë, 895 mijë lekë, 700 mijë lekë, 1.4 milionë lekë, 135 mijë lekë dhe 790 mijë lekë.

Por Komisioni konstatoi si problem faktin se bashkëshortja e Jaupajt ka deklaruar përfitimin e 13 mijë eurove nga ndërmjetësimi në blerjen e një apartamenti dhe 1 milionë lekë dhuratë nga tezja dhe bashkëshorti i kësaj të fundit për shkollimin.

Sipas Komisionit, në vitin 2010 është deklaruar blerja e një apartamenti 1+1 me sipërfaqe 68 m2 në Tiranë  në vlerën e 52 mijë eurove për llogari të tezes dhe bashkëshortit të saj, me të ardhurat e këtyre të fundit. Sipas deklarimit, S.K. i ka kërkuar bashkëshortes së subjektit që të blejë apartamentin në emër të saj dhe i ka dhënë shumën prej 65 mijë euro.

Bashkëshortja e gjyqtarit Jaupaj ka deklaruar se shuma e mbetur prej 13 mijë eurosh i kaloi asaj direkt si pasuri. Por, komisioni ka gjetur se apartamenti në fjalë është prenotuar në 23 mars 2007 ngsa A.K. në shumën e 42 mijë eurove dhe pak ditë më pas është shitur për 52 mijë euro. Komisioni vëren se nuk qëndron deklarimi i bashkëshortes së gjyqtarit Jaupaj për blerjen e këtij apartamenti, pasi nuk ka dokumente për kalimin e kësaj pasurie nga ajo tek tezja.

Sipas Komisionit, nga analiza financiare është konstatuar gjithashtu mungesë burimesh të ligjshme për pasurinë e bashkëshortes së gjyqtarit Roland Jaupaj. Ndërsa një depozitë e kryer prej saj pas deklaratës vetting ka rezultuar pa probleme.

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar e ka konsideruar të përshtatshëm për vazhdimin e detyrës gjyqtarin Roland Jaupaj. Ndërkohë, lidhur me profesionalizimin, relatorja Qirko u shpreh se rezultatet e dosjeve të verifikuara dhe 5 denoncimet nga publiku do të shqyrtohen gjatë vendimmarrjes.

Gjyqtari Roland Jaupaj në fjalën e tij pohoi se trupa gjykuese është njohur me dokumentet e vëna në dispozicion prej tij, duke pasur mundësi të verifikojë për të në të gjitha aspektet.

“Kam bërë një jetë të thjeshtë dhe kam respektuar gjithmonë ligjin. Nuk kam fshehur asnjëherë asnjë të dhënë. Komisioni t’i vlerësojë që s’kam kryer fshehje dhe se kam burime të ligjshme”, pohoi gjyqtari Jaupaj.

Anëtarja e trupës gjykuese, Etleda Çiftja e pyeti gjyqtarin Jaupaj për konfliktin e interesit duke qenë se ai jeton në të njëjtën shtëpi me të atin, që është blerë nga firma ndërtuese e gjykuar prej tij.

Gjyqtari Jaupaj pohoi se kishte jetuar me të atin që në fëmijëri dhe se nuk kishte diskutuar me familjen asnjëherë se çfarë bënte në punë. Ai shtoi se prindërit kishin kryer veprimet për blerjen e shtëpisë së re pa e vënë atë në dijeni.

Çiftja e pyeti sërish nëse mendonte se babai ishte trajtuar me çmim preferencial për blerjen e apartamentit 170 m2 duke e krahasuar edhe me çmimin e shitjes së apartamentit 1+1. Jaupaj shpjegoi se ai apartament ishte blerë kur punimet vazhdonin të kryheshin dhe se ashensori nuk punonte.

“Babai një pjesë të punimeve i ka bërë vetë,” shtoi ai.

Në fund, gjyqtari Jaupaj shprehu vlerësim maksimal për trupën gjykuese dhe kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK do të shpallë vendimin më datë 28 maj, ora 09:30.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *