Gjyqtari i Apelit të Shkodrës, Luan Dervishi dhe avokati Ardian Visha gjatë seancës dëgjimore në KPK. Foto: Malton Dibra/LSA
Analiza KPA Në Fokus

Mungesa e burimeve dhe deklarimi i rremë penalizuan gjyqtarin Luan Dervishin në KPA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit rrëzoi pjesën më të madhe të konkluzioneve të KPK në çështjen ndaj gjyqtarit të Apelit të Shkodrës Luan Dervishi, por la në fuqi vendimin e shkarkimit për mungesë burimesh për blerjen e dy automjeteve dhe shkollimin e vajzës, si dhe një rast deklarimi të rremë.

Gjyqtari i Apelit të Shkodrës, Luan Dervishi dhe avokati Ardian Visha gjatë seancës dëgjimore në KPK. Foto: Malton Dibra/LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi më 1 tetor të lërë në fuqi shkarkimin nga detyra të ish-gjyqtarit të Apelit Shkodër Luan Dervishi për mungesë burimesh të ligjshme financiare, edhe pse pas shqyrtimit të çështjes rrëzoi pjesën më të madhe të gjetjeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, mbi kriterin e pasurisë, dyshimet për konfliktin e interesit dhe ato për cënimin e besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë.

Pavarësisht, qëndrimeve ndryshe për një pjesë të gjetjeve, trupi gjykues i Kolegjit, i përbërë nga Ardian Hajdari kryesues, Sokol Çomo relator, Albana Shtylla, Ina Rama dhe Natasha Mulaj anëtarë kanë votuar në mënyrë unanime lënien në fuqi të vendimit për shkarkimit e Dervishit. Anëtarja Natasha Mulaj ka paraqitur mendim paralel për disa prej shkaqeve të ankimit, duke arsyetuar në favor të qëndrimeve të KPK.

Gjyqtar prej vitit 1982, Luan Dervishi u përfshi në listën prioritare të vetingut për shkak të kandidimit të tij për një post në Gjykatën Kushtetuese. Pas publikimit të thirrjes së dytë për Këshillin e Lartë Gjyqësor, Dervishi shprehu gjithashtu interesin për të qenë pjesë e institucionit të ri të drejtësisë.

Luan Dervishi u shkarkua nga detyra më 26 nëntor 2018, pasi u identifikuan probleme të shumta në deklarimet e pasurive dhe mungesë profesionalizmi. Nga hetimi administrativ u konkluduan deklarime të pasakta; fshehje e pasurive dhe mungesë e burimeve të ligjshme për justifikimin e tyre; deklarime të rreme e konflikt interesi.

Konkluzionet e rrëzuara të KPK

Por një pjesë e këtyre gjetjeve nga KPK u rrëzuan në Kolegj. KPA arsyetoi në shumicë 4 me 1 kundër qëndrimit të Komisionit mbi një truall me sipërfaqe 365 m2 në Tiranë. KPK kishte arsyetuar se origjina e kësaj pasurie është një kontratë dhurimi dhe kishte gjetur mungesë të burimeve për dhuruesit.

Por, KPA vlerëson se analiza për burimin e kësaj pasurie duhej të ishte kryer bazuar në mundësinë e blerjes nga ana e vetë subjektit të rivlerësimit. Kolegji ka kryer analizën financiare prej nga ka konkluduar se Dervishi kishte burime të ligjshme të mjaftueshme për blerë pjesën takuese të truallit.

Mulaj në pakicë arsyetoi njësoj si Komisioni, ndërsa u shpreh se Dervishaj kishte bërë deklarim të rremë.

Njëlloj KPA arsyetoi për apartamentin e banimit me sipërfaqe 125 m2 + një garazh me sipërfaqe 40 m2, në Tiranë. Komisioni kishte konstatuar se Dervishi ka deklaruar burime të ndryshme të krijimit të kësaj pasurie ndër vite dhe data të ndryshme të përfundimit të punimeve, duke i konsideruar këto si deklarim të rremë. Gjithashtu nga analiza financiare e kryer në KPK ka rezultuar pamundësi financiare në vlerën 1 milion 346 mijë lekë për krijimin e këtyre pasurive.

Por bazuar në ankimin e Dervishit, Kolegji doli me një vlerësim të ndryshëm se në këtë rast nuk kishte deklarimit të rremë e se mospërputhjet në deklarime nuk janë produkt i të dhënave jo të vërteta, duke i konsideruar ato deklarime të pasakta.

KPA doli në përfundim tjetër nga Komisioni për të ardhurat e përfituara nga shitja e një shtëpie banimi dhe një zyre në vitet 1997 dhe 1998 që janë deklaruar si burim për investimin e kryer në apartamentin dhe garazhin në Tiranë. Sipas trupit gjykues të Kolegjit të ardhurat e përfituara nga shitja e ketyre pronave duheshin përfshirë në analizën financiare.

Trupi gjykues i ka dhënë të drejtë Dervishit për pretendimin tjetër për përfshirjen në analizën financiare të të ardhurave nga puna si gjyqtar në Tepelenë dhe Librazhd për periudhën 1986-1993, për të cilat ka deklaruar se nuk disponon dokumentacion.

Anëtarja Natasha Mulaj sërish doli me mendim paralel, duke arsyetuar se deklarimet ishin të pasakta dhe se Dervishaj kishte “mungesë të burimeve financiare të ligjshme, ka kryer deklarim të rremë”.

Kolegji e ka rrëzuar konstatimin e KPK për deklarim të rremë lidhur me me të ardhurat e përfituara nga qiraja e apartamentit dhe garazhit për vitet 2013, 2014 dhe 2015. Sipas KPA, Komisioni nuk ka bërë hetime të mjaftueshme për të verifikuar pagesën detyrimeve në favor të organit tatimor, edhe pse kishte patur të dhëna të mjaftueshme për të verifikuar mbi destinacionin final të pagesës së kryer nga subjekti i rivlerësimit në fundvitet 2013 dhe 2014, në bankë.

Gjithashtu, është vlerësuar i pabazuar edhe arsyetimi tjetër i Komisionit se subjekti ka fshehur të ardhurat e përfituara nga qiraja e vitit 2015, pasi nuk janë deklaruar. Mulaj, ndryshe nga shumica shprehet dakord me arsyetimin e Komisionit për të mos marrë në konsideratë në analizën financiare të ardhurat nga qiraja.

Kolegji quan të pabazuar edhe konstatimin tjetër të Komisionit se Dervishi ka kryer deklarim të rremë lidhur me shitjen me kusht me rezervë të apartamentit 125 m2 dhe garazhit 40 m2, duke ngritur dyshime se shitja e këtij apartamenti nuk ka ndodhur de fakto, por vetëm de jure.

Trupi gjykues i KPA thekson se subjektet e rivlerësimit nuk mund të ngarkohen me përgjegjësinë e deklarimeve të pasakta apo të rreme, në kuadër të vlerësimit të fakteve që mund të kenë ndodhur pas datës së deklarimit, duke konsideruar qëndrimin e Komisionit të papranueshëm.

Problemet shkarkuese sipas KPA 

Sa i përket blerjes së një makine KPA i dha të drejtë Dervishit duke vlerësuar se mënyra e pagesës së çmimit nuk ishte objekt deklarimi, por trupi gjykues i Kolegjit gjeti të bazuar konkluzionin tjetër të KPK për deklarim të rremë të burimeve të krijimit të kësaj pasurie.

Sipas KPA, deklarimi si burim krijimi për këtë pasuri i të ardhurave nga puna e djalit në ShBA në vlerën 10 mijë USD, kur ato janë deklaruar edhe si shtesë e gjendjes cash, vlerësohet i pasaktë dhe i pavërtetë.

Kolegji nuk i ka konsideruar pretendimet e subjektit se për blerjen e këtij mjeti janë përdorur edhe kursimet deri në vitin 2011 për shkak të mosdeklarimit të tyre si burim. Për pasojë Dervishi ka rezultuar në pamundësi financiare në shumën 1.9 milion lekë për blerjen e automjetit tip “Ford Focus”.

Po ashtu nga analiza financiare e kryer në KPA ka rezultuar se djali i subjektit të rivlerësimit nuk ka pasur mundësi për shlyerjen e një kredie që ka shërbyer si burim për blerjen e automjetit tip “Toyota Camy” në vlerën 64 mijë USD në vitin 2014 dhe në të njëjtën kohë për shpenzimet të shkollimit të motrës së tij në shumën 15 mijë USD.

“Duke qenë se çështja e shpenzimeve të shkollimit të vajzës së subjektit të rivlerësimit nuk mund të shihet e shkëputur nga analiza e kryer mbi të ardhurat e ligjshme të krijuara nga djali i subjektit të rivlerësimit, në kushtet që ky i fundit është deklaruar rregullisht nga subjekti i rivlerësimit se ka mbështetur financiarisht vajzën e tij, konkluzioni mbi pamjaftueshmërinë e burimeve të ligjshme të E.D. sjell pasoja në rezultatin përfundimtar të analizës së mjaftueshmërisë së burimeve të ligjshme për mbulimin e shpenzimeve totale, sipas shpërndarjes së tyre ndër vite”, arsyeton Kolegji.

Cënimi i besimit dhe konflikti i interesit

Konkluzioni i KPK për vlerësimin e kriterit të aftësive profesionale është rrëzuar nga Kolegji. Çështja që ka dëmtuar pozicionin e Dervishit për këtë kriter ka qenë shqyrtimi i dosjes penale të të pandehurit S.M., i cili përfitoi ulje nga trupa gjykuese e Apelit Shkodër, ku subjekti ishte në cilësinë e anëtarit.

I pandehuri S.M. së bashku me dy persona të tjerë u akuzuan se masakruan me mjete të forta deri në vdekje një të mitur që po kulloste bagëtitë. Trupa gjykuese e Apelit ndryshoi kualifikimin ligjor për veprën penale për të cilën akuzohej S.M., nga “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” në “Sigurim i kushteve për të kryer vrasje” e “Moskallëzim krimi”. Pas daljes nga burgu, S.M. kreu vrasjen e një çifti çek, që kishin mbërritur në alpet shqiptare për turizëm.

Lidhur me këtë çështje, Komisioni ka arsyetuar se subjekti i rivlerësimit ka demonstruar mungesë të aftësive organizative të një gjyqtari. Edhe pse përfundimet e nxjerra nga Ministria e Drejtësisë për verifikimin e kësaj vendimarrje të Apelit Shkodër dhe faktet e bëra publike në media janë vlerësuar prej KPK si të pamjaftueshme për shkarkimin e Dervishit, është gjykuar që mangësitë të merren në konsideratë në vlerësimin tërësor duke konstatuar cënim të besimit të publikut tek drejtësia.

Kolegji vëren se Ministria e Drejtësisë nuk ka propozuar pranë ish-Këshillit të Lartë të Drejtisë, KLD marrjen e ndonjë mase disiplinore në ngarkim të Dervishit.

Sipas KPA, vlerësimi përfundimtar lidhur me secilin prej kritereve të vlerësimit, duhet të jetë produkt i vlerësimit tërësor dhe jo i bazuar në një burim të vetëm vlerësimi. “[…]Aq më pak të një çështjeje të vetme”, vlerëson trupi gjykues.

Lidhur me ndryshimin e veprës penale që ka sjellë lehtësimin e pozitës së të pandehurit, Kolegji vëren se ka qenë në kompetencë të Gjykatës së Apelit Shkodër dhe ndryshimi i cilësimit juridik të saj nuk ka qenë në shkelje të dispozitave ligjore.

Kolegji shprehet se, kjo çështje e tejkalon objektin e vlerësimit të aftësive profesionale të subjektit të rivlerësimit dhe arrin në përfundimin se konkluzionet e Komisionit janë të pamjaftueshme për të arritur në përfundimin se subjekti i rivlerësimit ka cënuar besimin e publikut.

KPA ka rrëzuar edhe konkluzionin e Komisionit për gjendjen e ish-gjyqtarit Luan Dervishi në kushtet e konfliktit të interesit lidhur me blerjen e aksioneve “bono privatizimi” në vitin 2007, që sipas subjektit ka ardhur si rrjedhojë e statusit të bashkëshortes së tij, si e punësuar pranë kompanisë që po privatizohej.

Ndryshe nga Komisioni që ka arsyetuar se gjyqtarët dhe personat e lidhur me ta, nuk mund tё lidhin kontrata me institucione publike, Kolegji konstaton se subjekti i rivlerësimit, në momentin e blerjes së këtyre aksioneve në emër të tij dhe të bashkëshortes, në kuadër të të drejtave që i takonin kësaj të fundit si ish-punonjëse e shoqërisë, nuk ka shkelur asnjë dispozitë ligjore lidhur me detyrimin që i buronte në cilësinë e zyrtarit për të shmangur rastet e konfliktit të interesave.

KPA çmon se gjendja e konfliktit të interesit, në kontekstin e procesit të rivlerësimit, duhet vlerësuar në raport me lidhjen e saj me pasuritë e subjekteve të rivlerësimit dhe personave të lidhur, kur ato pasuri janë krijuar si pasojë e gjendjes së konfliktit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *