Anetaret e trupes gjykuese te KPA, Albana Shtylla, Natasha Mulaj, Sokol Como, Ardian Hajdari, Rezarta Schuetz, gjate nje seance te Kolegjit te Posacem te Apelimit, KPA | Foto : LSA
Analiza Korrupsioni KPA Vendi

KPA: ‘Mundësi inekzistente” që Shahini të mos njihte personin me precedentë penalë

Kolegji rrëzoi pretendimet e prokurorit Çlirim Shahini për shkelje të procedurës, ndërsa konfirmoi vendimin e KPK për shkarkimin e tij dhe vlerësoi të drejta gjetjet e Komisionit për deklarim të rremë, kontakte të papërshtatshme dhe në cënim të besimit të publikut te drejtësia.

Anetaret e trupes gjykuese te KPA, Albana Shtylla, Natasha Mulaj, Sokol Como, Ardian Hajdari, Rezarta Schuetz, gjate nje seance te Kolegjit te Posacem te Apelimit, KPA | Foto : LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit la në fuqi vendimin e shkarkimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për ish-drejtuesin e Prokurorisë së Lushnjes, Çlirim Shahini. Në vendimin e trupës së KPA-së theksohet se pretendimet e Shahinit për shkelje të procedurës nuk kishin qëndruar para shqyrtimit të trupës, ndërsa gjetjet e KPK-së në kriteret e pasurisë dhe figurës ishin vlerësuar të drejta.

Trupa e kryesuar nga Sokol Çomo, me relatore Rezarta Schuetz dhe anëtarë Ardian Hajdari, Natasha Mulaj dhe Ina Rama arsyetoi në vendim se ish-prokurori kishte bërë deklarim të rremë sa i përket një godine në Sarandë dhe se kishte qenë i pasinqertë.

“Kolegji vlerëson se sjellja e subjektit të rivlerësimit, duke zgjedhur të mos jetë i sinqertë në shpjegimet mbi gjendjen dhe përdorimin e pasurisë që ai disponon, përbën një rrethanë që më së pakti, në këndvështrimin e një vëzhguesi objektiv, përbën arsye që të cenohet besimi i publikut te drejtësia,” thuhet në arsyetimin e KPA-së, duke iu referuar qëndrimeve të ndryshme të Shahinit mbi godinën, në të cilën kishte dhoma që jepeshin me qira.

Kolegji arsyeton në vendim se Shahini nuk kishte deklaruar asnjëherë faktin që një pjesëe pasurisë së tij të paluajtshme “jepej me qira si njësi akomoduese” dhe se nuk kishte deklaruar saktë shpenzimet e bëra për këtë pasuri. Megjithatë, Kolegji kishte shkarkuar atë nga barra e provës për të dëshmuar pasurinë e personit që i kishte lejuar atij të jetonte pa shpërblim për vite me rradhë në godinë dhe më pas i kishte dhënë mundësinë të ndërtonte shtesë mbi të.

“Në përfundim, lidhur me pasurinë e paluajtshme të ndodhur në Sarandë, trupi gjykues i Kolegjit vëren se subjekti i rivlerësimit ka bërë deklarim të pasaktë, të paplotë dhe të rremë”, thuhet në vendim.

KPA arsyetoi njësoj si Komisioni në të gjitha pikat e tjera të vendimit, duke theksuar se pretendimet për shkelje proceduriale, vendim të paragjykuar, mos dhënie kohë për mbrojtjen e të tjera, nuk qëndronin. “Në analizë të këtyre burimeve, trupi gjykues i Kolegjit vëren se Komisioni ka përmbushur detyrimet për të siguruar proces të rregullt ligjor”, shprehet KPA.

Kolegji i kushtoi rëndësi ndërkohë pretendimeve të subjektit në lidhje me kontaktet me një person të identifikuar si N.D., i cili ishte konstatuar si kontakt i papërshtatshëm. KPA vuri në dukje në vendim se pretendimi i Shahinit që vetë Kolegji të hetonte të shkuarën kriminale të N.D. në Greqi ishte cilësuar i panevojshëm.

Po ashtu, Kolegji arsyetoi se fakti që Shahini kishte hetuar N.D dhe më pas kishte përdorur makinën e këtij të fundit për një udhëtim jashtë vendit e bënte të pamundur që ai të mos ishte në dijeni të problemeve ligjore të kontaktit dhe të mos e njihte atë.

“Në këtë konkluzion, trupi gjykues ka në konsideratë që në kushtet kur hetonte një çështje penale, e cila më pas u bashkua me atë në ngarkim të z. D. e dy të tjerëve, mundësia teorike që subjekti i rivlerësimit ishte në errësirë të rrethanave në të cilat ishte takuar më parë me pronarin e automjetit, është thuajse inekzistente”, shprehet KPA.

Kolegji arsyeton se edhe nëse merrej në konsideratë argumenti i Shahinit se nuk e dinte cili ishte pronari i makinës që ai po përdorte, kjo nuk e lehtësonte situatën e tij. “Qasja e tij e pretenduar në momentin e zgjedhjes së automjetit është alogjike, parë si në kontekstin e sigurisë së tij personale, ashtu edhe të përgjegjshmërisë profesionale,” shprehet Kolegji.

KPA shprehet se prokurori duhet të jetë i kujdeshëm për “të evituar pikërisht rrethanat të cilat kanë rezultuar që kanë ndodhur”.

Kolegji gjeti të drejtë edhe rezultatin e hetimit mbi denoncimin e një personi me inicialet R.Ç. Sipas Kolegjit, Shahini kishte kërkuar dy herë zgjatje të hetimit “me arsyetimin se nuk është administruar akti i ekspertimit mjeko-ligjor për të dëmtuarin R. Ç”, por në të njëjtën kohë nuk kishte bërë kërkesë për bërjen e këtij akti dhe e ka bërë këtë vetëm kur afatet e shtyra për herë të dytë ishin në përfundim.

Kolegji thotë se nga provat e mbledhura rezultuan një sërë shkeljesh proceduriale “që tregojnë mangësi profesionale, mungesë angazhimi dhe përgjegjshmërie në përfaqësimin e interesit publik që ndikojnë drejtpërdrejt në perceptimin e publikut për organet e drejtësisë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *