Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

ONM i kërkon Komisionerit Publik të apelojë konfirmimin e prokurorit Besnik Cani

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) i kërkoi Komisionerit Publik të apelojë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e KPK-së për të konfirmuar në detyrë prokurorin Besnik Cani, këshilltar i Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku.

Seanca dëgjimore për rivlerësimin e prokurorit Besnik Cani. Foto: Vladimir Karaj

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i rekomandoi zyrtarisht të premten Komisionerit Publik, apelimin e vendimit të KPK-së për konfirmimin në detyrë të prokurorit Besnik Cani, i cili është zgjedhur gjithashtu si anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Sipas ONM-së Cani është konfirmuar në detyrë nga KPK nëpërmjet interpretimit të gabuar të ligjit të vetingut.

“Një nga qëllimet e procesit të rivlerësimit është rikonfirmimi i besimit të publikut në institucionet e drejtësisë,” shprehet ONM.

“Në pikëpamjen tonë është e pamundur të konfirmohet në detyrë një subjekt kur nuk janë vlerësuar në mënyrë të rregullt disa çështje që dëmtojnë besimin e publikut,” shtoi ajo.

Zyrtarisht prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan por i komanduar në Prokurorinë e Përgjithshme, Cani u konfirmuar në detyrë me 27 nëntor, nga trupa e KPK-së e udhëhequr nga Olsi Komici, me relator Lulzim Hamitaj dhe anëtare Brunilda Bekteshi.

Në vendim e zbardhur trupa gjykuese shprehet se subjekti ka arritur nivel të besueshëm për sa i përket deklarimit të pasurisë, nivel të besueshëm në kontrollin e figurës dhe një nivel ‘së paku miniminal kualifikues’ në vlerësimin e aftësive profesionale.

Megjithë konfirmimin në detyrë KPK ka vendosur ti dërgojë për inspektim Këshillit të Lartë të Prokurorisë disa çështje dhe shkelje të mundshme disiplinore.

Mes tyre ndodhet dhe një kontratë e afatgjate në formën e një PPP-je për ndërtimin e një pike karburanti në një tokë në pronësi të subjektit, në shkëmbim të një pjesë të fitimit nga shitja e naftës dhe benzinës.

Sipas ONM-së Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kishte dështuar të shprehet mbi pajtueshmërinë e kësaj kontratë me funksionin prokurorit.

“ONM beson se kontrata mes subjektit dhe kompanisë Kastrati Sh.p.k, është në konflikt me detyrimet etike të një prokurori,” përfundoi institucioni mbikëqyrës i procesit të vetingut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *