Avokati Sokol Hazizaj, përfaqësues i gjyqtares Dhurata Balla në KPK. Foto: Edmond Hoxha.
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

KPK shtyn seancën dëgjimore për gjyqtaren Dhurata Balla

Gjyqtarja e Tiranës, Dhurata Balla nuk u paraqit në seancën dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, pasi kishte dorëzuar më parë raport mjekwsor se vuante nga gjendrat tiroide. Përfaqësuesi i saj ligjor kërkoi kohë për t’u njohur me aktet, kërkesë që u pranua nga Komisioni. 

Avokati Sokol Hazizaj, përfaqësues i gjyqtares Dhurata Balla në KPK. Foto: Edmond Hoxha.

Seanca dëgjimore e planifikuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK lidhur me procesin e rivlerësimit për gjyqtaren e Gjykatës së Tiranës, Dhurata Balla nuk u zhvillua të mërkurën. Shtyrja e seancës erdhi si pasojë e kërkesës së përfaqësuesit ligjor të gjyqtares Balla, avokatit Sokol Hazizaj. Gjyqtarja Dhurata Balla nuk ishte e pranishme në seancë.

Kryesuesja e trupit gjykues të KPK, Valbona Sanxhaktari, shpjegoi në fillim të seancës se pavarësisht se Balla ishte njohur me rezultatet e hetimit që më datë 8 shkurt, ajo nuk ishte paraqitur për të tërhequr dokumentet e hetimit administrativ. Sanxhaktari shtoi se ishin njohur me pretendimet e subjektit për gjendjen shëndetësore.

Avokati Hazizaj kërkoi që të paraqiste një kërkesë paraprake. Ai shpjegoi se ishte vënë në dijeni se do të përfaqësonte gjyqtaren Balla mëngjesin e të mërkurës. Hazizaj shtoi se familjarët e subjektit e kishin vënë në dijeni se bëhej fjalë për një sëmundje të rëndë dhe se ajo ishte e pajisur me raport shëndetësor për paaftësi në punë deri më datë 2 maj.

Në vijim, avokati Hazizaj tha se nuk ishte njohur me aktet dhe kërkoi afat të zgjatur për të mundësuar mbrojtjen.

Kryesuesja Sanxhaktari bëri me dije se subjekti kishte dorwzuar raport nw KPK pasi ishte njohur me rezultatet e hetimit administrativ.

“Dukej se vuante nga gjendrat tiroide dhe e përsëriti raportin,”tha Sanxhaktari. Avokati Hazizaj sqaroi se ishte informuar prej familjarëve të subjektit se sëmundja shkonte “përtej tiroideve”.

Trupi gjykues që ka në përbërje edhe anëtarët Olsi Komici dhe Xhensila Pine, e cila është edhe relatore e çështjes, u tërhoq dhe vendosi ta shtyjë seancën për më datë 23 prill, ora 12:00.

Dhurata Balla e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 dhe ka punuar deri në vitin 2013 si gjyqtare në Gjykatën e Krujës. Prej vitit 2013, ajo e ushtron funksionin në Gjykatën e Tiranës.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *