Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Prokurori Ardian Nezha jep dorëheqjen nga detyra

Transferimi në Pukë dhe mungesa e vlerësimit nga eprorët e kanë shtyrë prokurorin Ardian Nezha të japë dorëheqjen nga organi i akuzës.

Prokuroria e Përgjithshme. Foto: Gent Shkullaku/LSA

Dorëheqja e prokurorit Nezha është pasqyruar edhe në rendin e ditës së mbledhjes plenare në Këshillit të Lartë të Prokurorisë që do të zhvillohet më datë 1 prill, ku ndër të tjera është përcaktuar të votohet edhe “deklarimi i mbarimit tё statusit të magjistratit.” Nezha është aktualisht prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pukё.

Prokurori Adrian Nezha i kontaktuar nëpërmjet telefonit nga BIRN u shpreh se dorëheqjen e ka dorëzuar një javë më parë pranë KLP-së për shkak se e ka të pamundur që të transferohet për herë të dytë në Prokurorinë e Pukës pa ndonjë arsye.

“E kam të pamundur për arsye familjare të shkoj sërish në Pukë dhe e quaj si mosvlerësim këtë transferim të dytë”, u shpreh prokurori Ardian Nezha. Ai shpjegoi se ishte transferuar më parë në këtë prokurori më datë 11 shkurt 2015 dhe pas rikthimit, pa ndonjë arsye ishte vendosur sërish transferimi i tij më datë 22 shkurt të këtij viti.

Prokurori Ardian Nezha ka një karrierë të gjatë në organin e akuzës. Në vitin 2004 ai u emëruara prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda. Në Janar në vitit 2018 ai u emërua si drejtues në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për të dhënë dorëheqjen nga ky pozicion disa muaj më vonë kur u emërua në Prokurorinë e Tiranës.

Por së fundmi, më datë 22 shkurt 2019, është vendosur sërish transferimi i tij në Pukë, gjë që sipas prokurorit Nezha e ka detyruar të japë dorëheqjen pasi e ka të pamundur për arsye familjare dhe se ndihet i pa vlerësuar për punën e kryer ndër vite.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *