Prokurori Eugen Beçi shkarkohet nga detyra
Lajme

Prokurori Eugen Beçi shkarkohet nga detyra

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi shkarkimin e prokurorit të Krimeve të Rënda, Eugen Beçi për problemet me pasurinë dhe me figurën.

Prokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beçi pas seancës dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Foto: Vladimir Karaj.

Prokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beçi u shkarkua nga detyra të mërkurën, pas problemeve me pasurinë dhe pastërtinë e figurës. Vendimi u shpall nga trupa gjykuese e përbërë nga Valbona Sanxhaktari, Xhensila Pine dhe Roland Ilia.

Eugen Beçi e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2002 si prokuror në Prokurorinë e Vlorës. Në vitin 2004 ai është emëruar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, detyrë të cilën vazhdon ta kryejë edhe aktualisht.

Eugen Beçi ka mbajtur postin e drejtuesit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për disa vite. Në vitin 2015, ai e la këtë detyrë për t’u transferuar përkohësisht në Prokurorinë e Elbasanit, për tu kthyer sërish në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Në seancën dëgjimore, KPK konstatoi probleme në blerjen e një apartamenti në Tiranë me sipërfaqe 169 metra katrorë. Burimi i deklaruar për këtë ishte shkëmbimi i një apartamenti  83.2 metra i financuar me kredi të butë dhe dy hua nga vëllezërit prej 4 milionë lekësh.

Sipas relatores Pine, Beçi kishte dy kontrata mbi apartamentin e parë dhe KPK gjeti se kredia e butë ishte tërhequr pjesë-pjesë dhe nuk ishte e qartë se kujt i ishin paguar shumat e tërhequra cash nga banka. “U krijuan dyshime se qëllimi i kontratës ka qenë vetëm aplikimi për të përfituar kredi të butë,” tha relatorja.

Përveç pasurisë, prokurori Eugen Beçi mori një raport negativ nga DSIK pasi nuk kishte deklaruar revokimin e një vize nga Ambasada e SHBA në Tiranë si dhe për kontakt të papërshtatshëm, duke iu referuar publikimit kohë më parë të një fotoje të tij në prani të personave të dënuar. Fotoja u publikua në vitin 2015, si pjesë e asaj që u bë e njohur si “atentati i mbetur në tentativë ndaj deputetit Tom Doshi”, por që rezultoi të ishte një ngjarje e sajuar për të bërë me përgjegjësi penale persona të tjerë.

Beçi tha se me personin në fjalë i kishte shkëputur kontaktet që në vitin 2014 dhe se një foto e tillë mund të përdorej ndaj çdo zyrtari, për ta vënë atë në pozitë të keqe.

“Besoj se ju do të godisnin qëllimin e publikimit të asaj fotoje”, tha Beçi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *