Prokurori Sabri Kastrati | Foto Edmond Hoxhaj
KPK Lajme Veting

Prokurori Sabri Kastrati jep shpjegime për barrat e provës në të tre kriteret

Prokurori Sabri Kastrati i Prokurorisë së Lezhës u përball të martën më 17 shtator me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për barrat e provës dhe gjetjet në të tre kriteret e rivlerësimit. Ai pretendoi se kishte paraqitur shpjegime dhe prova që kundërshtonin bilancet negative të konstatuara për pasurinë, si dhe për gjetjet lidhur me figurën e profesionalizmin.

Procesi i vetingut për prokurorin Kastrati po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Genta Tafa Bungo, me relatore Suela Zhegun dhe anëtar Roland Ilian. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Gerrit Sprenger.

Sabri Kastrati e ka nisur karrierën në fillim të viteve ’90 si oficer i Policisë Gjyqësore. Ai u emërua prokuror në vitin 1995 dhe në vitin 1998 u largua me kërkesën e tij, pas kthimit nga emigracioni ai u riemërua prokuror në vitin 2005 dhe në 2013-ën u transferua në Prokurorinë e Lezhës, ku dhe e ushtron aktualisht funksionin.

Prokurori Kastrati u përfaqësua në seancë nga avokati Eritan Shehu, i cili paraqiti parashtrimet për kriterin e pasurisë.

Mungesat financiare

Si burime krijimi për një apartament të porositur në Tiranë në vitin 2006 për vlerën 55 mijë euro, subjekti ka deklaruar të ardhurat nga dhënia me qira e restorantit “Kastrati” në Kukës, pasuri e ndërtuar nga babai e vëllezërit para fillimit të detyrës. Ai ka deklaruar dhënien me qira të restorantit vëllait të tij për shumën 800 euro në muaj për pesë vjet, vlerë që është përcaktuar në kontratë se është likuiduar që në fillim.

Komisioni konstaton se megjithëse shoqëria e vëllait të tij ka ushtruar aktivitet e ka krijuar të ardhura, nuk ka shpërndarë dividend. Për rrjedhojë është konsideruar pamundësi e vëllai për pagesën e vlerës 48 mijë euro për qiranë e pesë viteve.

Po ashtu, subjekti ka deklaruar se nuk ka gjetur dokumentacion për të ardhurat nga puna në Australi, ku ka emigruar gjatë periudhës 1998-2005. Tjetër indicie ku është bazuar Komisioni për të mos konsideruar të ardhurat nga emigracioni, ka qenë dhe fakti se ai nuk ka deklaruar në vitin 2005 të ardhura nga puna në Australi.

Sipas KPK, nuk është arritur të vërtetohet mundësia për pagesën e kryer për apartamentin në Tiranë.

Avokati Shehu shpjegoi se nuk kishte qenë një marrëdhënie qiraje, por për shkak të shfrytëzimit të restorantit për disa vjet nga i vëllai në kohën kur subjekti kishte qenë ne emigracion, i është dhënë vlera në fjalë.

Ai pretendoi se vëllai i subjektit kishte pasur të ardhura të mjaftueshme, pavarësisht nëse kishte shpërndarë ose jo dividend. Duke sjell në vëmendje dhe jurisprudencën e KPA, ai u shpreh se do të ishte disproporcionale nëse nuk do të konsideroheshin të ardhurat e vëllait të prokurorit Kastrati.

Lidhur me të ardhurat nga puna në Australi, avokati shpjegoi se ishte e pamundur të siguroheshin të ardhura, pasi të dhënat ruheshin deri në 7 vjet. Ai theksoi se subjekti gjendet në pamundësi objektive, për shkaqe të arsyeshme. Avokati Shehu këmbënguli se burimet financiare që kishin shërbyer për krijimin e kësaj pasurie janë të ligjshme dhe duhen konsideruar.

Relatorja Zhegu konstatoi se subjekti ka blerë një apartament me sipërfaqe 93 m2 në vitin 2008 tek vendi i quajtur “Currilat” në Durrës për vlerën 26 mijë e 200 euro. Bazuar në çmimet referencë të Entit Kombëtar të Banesave, vlera e kësaj pasurie do të duhej të ishte rreth 53 mijë euro. Bazuar në këto rrethana, KPK ngre dyshime se çmimi i paraqitur në kontratë është fiktiv.

Si burime krijimi, Kastrati ka deklaruar shumën prej 6300 euro kursime dhe një kredi prej 20 mijë eurosh. Kredia është transferuar për të shlyer një hua në shumën 20 mijë euro. Sipas Zhegut, Kastrati nuk e ka deklaruar huanë e marrë për apartamentin në vitin 2006. Ndërkohë, ka rezultuar se shoqëria e huadhënësit nuk ka shpërndarë dividend dhe për rrjedhojë ka rezultuar pamundësi financiare.

Bilanc negativ është konstatuar dhe për kursimet. Po ashtu, ka rezultuar se subjekti nuk ka deklaruar pakësimin e gjendjes cash.

Avokati Shehu tha se burimi real për këtë pasuri ka qenë kredia dhe kursimet. Ai pranoi se çmimi ka qenë preferencial, duke theksuar se subjekti kishte me palën shitëse jo vetëm lidhje gjaku, por edhe miqësi që fëmijë pasi ishin rritur së bashku. Për këtë arsye i ishte ofruar apartamenti me vlerën e kostos së ndërtimit.

Shehu pranoi se shoqëria e huadhënësit nuk kishte shpërndarë dividend, por ai theksoi se vërtetohej se ishte tërhequr një vlerë nga banka prej nga provohet se ka pasur mjaftueshëm të ardhura për mbulimin e shumës 20 mijë euro. Ai solli në vëmendje të Komisionit se veprimet janë kryer nëpërmjet sistemit bankar dhe janë të verifikueshme.

Sipas avokatit Shehu, konstatimi për pamundësinë e shumës 6300 euro, nuk i përgjigjet realitetit. Ai shtoi se në 2008-ën nuk ishte deklaruar kursime cash dhe kjo nënkuptonte pakësimin e gjendjes në banesë. Shehu referoi si argument dhe një vendim të KPA-së.

Në vijim Zhegu relatoi gjetjet për një njësi me sipërfaqe 63 m2 në Yzberisht të Tiranës, pasuri e porositur nga vëllai i subjektit në vitin 2010. Në vitin 2013 i vëllai ka hequr dorë nga pronësia e njësisë, ndërkohë që prokurori Kastrati ka deklaruar kalimin e restorantit në favor të tij. Nisur nga fakti se restoranti nuk është regjistruar ende, është përcaktuar në marrëveshje se, nëse nuk t’i kalojë pasuria të vëllait, atëherë do të kthehen në gjendjen fillestare.

Nga hetimi i kryer nga KPK për mundësinë e vëllait për blerjen e njësisë, është konstatuar se, megjithëse në llogarinë e tij ka pasur depozitime nga firma të ndryshme, nuk dihet nëse janë burime të ligjshme.

Sipas avokatit Eritan Shehu, marrëdhënia për njësinë nuk është as dhurim dhe as hua e për rrjedhojë nuk ka barrë prove për të vërtetuar burimin e ligjshëm. Ai tha se veprimet janë kryer bazuar në parimin e lirisë ekonomike dhe se çmimet janë vendosur nga tregu. Avokati shtoi se kontrata e shkëmbimit është bërë me kusht dhe nuk është realizuar ende.

Pamundësi është konstatuar dhe për blerjen e një automjeti të llojit Benz në vitin 2009 për shumën 500 mijë lekë, gjendjen cash 5000 euro dhe 100 mijë lekë, me burim nga pagat.

Sipas Shehut, megjithëse subjekti nuk ka deklaruar kursime cash, kjo nuk tregon se ai nuk ka pasur të ardhura të mjaftueshme dhe kursime të mbartura.

Në të dhënat konfidenciale është deklaruar një apartament me sipërfaqe 68 m2 në zonën quajtur Komuna e Parisit në Tiranë. Bashkëjetuesja e subjektit ka deklaruar se për këtë pasuri të blerë nga prindërit në vitin 2014 ka marrë dijeni në vitin 2017. Megjithëse kontrata e porosisë është nënshkruar në emër të saj, bashkëshortja ka pretenduar se ka qenë jashtë Shqipërie në atë ditë dhe ka vendosur në dispozicion të Komisionit prova për të vërtetuar se ka qenë jashtë shtetit. Po ashtu, ka shpjeguar se e kanë vendosur prindërit emrin e saj në kontratë.

Ndërkohë, KPK ka evidentuar se edhe kontrata me furnizim të energjisë elektrike është nënshkruar në emër të bashkëjetueses së subjektit.

Zhegu vërejti se duket se bashkëjetuesja e subjektit ka dhënë deklarime kontradiktore pasi kontrata e energjisë është lidhur prej saj, megjithëse ka pohuar se ka marrë dijeni për blerjen e apartamentit disa vjet më vonë.

Nga analiza financiare e kryer për prindërit e bashkëjetueses së Kastratit, ka rezultuar se kanë qenë në pamundësi për blerjen e apartamentit.

Avokati Shehu theksoi se bashkëjetuesja e subjektit nuk ka pasur dijeni për apartamentin pasi në momentin e nënshkrimit të kontratës ka qenë në Australi.

Në vijim ai kërkoi që të rishikohen shpenzimet e udhëtimeve në Australi duke pretenduar se subjekti ka qëndruar tek të afërmit. Po ashtu, kërkoi të konsiderohen të ardhurat nga emigracioni, duke pretenduar se subjekti rezulton me bilanc pozitiv.

Figura dhe profesionalizmi

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar, AKSIK ka referuar papërshtatshmëri për subjektin lidhur me kriterin e figurës. Por, nga hetimi i KPK ka rezultuar se prokurori Kastrati nuk ka pasur udhëtime me persona të konsideruar si kontakte të papërshtatshme. Gjithashtu, informacionet për korrupsion janë vlerësuar në drejtim të profesionalizmit.

Në vijim u relatuan gjetje lidhur me pasaportën australiane të subjektit, i cili ka fituar nënshtetësinë në Australi në vitin 2001.

I pyetur se si e ka fituar nënshtetësinë, Kastrati ka deklaruar sipas procedurës së natyralizimit. Zhegu tha se subjekti është mjaftuar vetëm me këtë term, pa dhënë sqarime.

Po ashtu, janë konstatuar të dhëna të ndryshme lidhur me datëlindjen e shënuar në pasaportën australiane, si dhe udhëtime me një pasaportë kanadeze, për të cilat Kastratit i janë kërkuar shpjegime.

Prokurori Sabri Kastrati deklaroi se nuk ka qenë person në kërkim dhe nuk ka pasur ndonjëherë probleme me ligjin. Ai nënvizoi se nuk ishte bërë asnjëherë as objekt kontrolli dhe se e kishte fituar nënshtetësinë sipas procedurave ligjore në Australi, duke i plotësuar gjithë kriteret, përfshi edhe mësimin e gjuhës.

Subjekti shpjegoi se ishte larguar në vitin 1998, në një kohë kur në Shqipëri kishte shumë probleme që kishin lindur gjatë trazirave të vitit 1997. Për këtë arsye kishin emigruar së bashku me bashkëjetuesen në Australi, ku fillimisht kishin shkuar me viza.

Sipas subjektit, përfitimi i një nënshtetësie nuk mund të jetë objekt i kontrollit të figurës.

Ai këmbënguli se nuk kishte zotëruar dhe përdorur asnjëherë pasaportë kanadeze dhe se nuk e dinte përse ekzistonin ato të dhëna.

Ndërkohë, vëzhguesi ndërkombëtar evidentoi se pasaporta kanadeze ishte me foton e tij dhe kishte të njëjtat numra me atë australiane. Ai shtoi se pasaporta kanadeze ishte përdorur për tetë udhëtime. Por, Kastrati e kundërshtoi këtë konstatim. Subjekti këmbënguli se nuk kishte qenë asnjëherë në Kanada dhe se për hyrje-daljet nuk kishte informacion.

Sipas subjektit, pasaporta e Asutralisë ka të tjerë numra nga ajo kanadeze. “Përse duhej të mbaja pasaportë kanadeze, kur për të hyrë në Australi do vizë?”, u shpreh ai.

Për profesionalizmin Zhegu relatoi konstatime për hetime të paplota, zvarritje hetimesh dhe mosrespektim të të drejtave të palëve lidhur me mosnjoftimin në kohë të një vendimmarrjeje – gjetje që u kundërshtuan si të pabazuara nga subjekti.

Ai theksoi se gjithmonë kishte zbatuar ligjin dhe vërejti se thuajse në gjithë rastet vendimet e tij janë lënë në fuqi nga gjykatat. Lidhur me të drejtat e palëve, ai sqaroi afati i ankimit fillon në momentin kur njoftohet dhe vendimmarrja, e për rrjedhojë nuk kishte cënuar të drejtën e palëve për ankim.

Për pretendime të ngritura për favorizimin e tre të pandehurve, Kastrati deklaroi se kishte zbatuar vetëm ligjin dhe se të zbatosh ligjin nuk do të thotë se kryen favorizim.

Në përfundim, prokurori Sabri Kastrati kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 19 shtator, në orën 09:50.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *