Prokurorja e Krimeve të Rënda, Sonila Muhametaj përballet me vetingun
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Prokurorja e Krimeve të Rënda, Sonila Muhametaj përballet me vetingun

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ngriti pikëpyetje mbi mundësitë financiare të prokurores Muhametaj për të paguar këstet e kredisë dhe detyrime të tjera, por ajo pretendoi se kishte pasur burime të mjaftueshme dhe kërkoi të vazhdonte detyrën.

Prokurorja e Krimeve të Rënda, Sonila Muhametaj pas seancës dëgjimore në KPK. FotoL Vladimir Karaj.

Prokurorja e Krimeve të Rënda, Sonila Muhametaj (Domi) u përball të hënën në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me barrën e provës për mungesë burimesh financiare për pagesën e disa kredive dhe detyrimeve në shumën totale prej 720 mijë lekësh. Muhametajt iu kërkuan gjithashtu prova për të ardhurat e vjehrrës së ndjerë, e cila nga analiza e KPK-së si ‘person tjetër’ i lidhur rezultonte të kishte një mungesë prej rreth 480 mijë lekësh në shpenzimet për blerjen e një apartamenti 2+1 në vitin 2010.

Trupa gjykuese që po kryen procesin e rivlerësimit, e kryesuar nga Genta Tafa Bungo, Suela Zhegu me relatore Etleda Çiftja, nuk vuri në dukje probleme në dy kriteret e tjera të rivlerësimit, edhe pse u theksua se ishin hetuar disa denoncime. Dy gjetje të ardhura nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, në të cilat pretendoheshin shkelje proceduriale të Muhametajt u rrëzuan si të pabazuara nga KPK.

Muhametaj dha shpjegime të detajuara sa i përket pasurisë dhe u ndal edhe në çështjet për të cilat ishte denoncuar. Ajo tha se të ardhurat e saj ishin të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet, ndërsa tha se kishte bërë një jetë modeste dhe kërkoi “të vazhdonte detyrën si prokurore e Republikës së Shqipërisë”.

Sonila Muhametaj ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2007 dhe është emëruar prokurore në Prokurorinë e Krujës. Në vitin 2014, ajo është transferuar në Prokurorinë e Tiranës, ndërsa në vitin 2015 u dekretua nga Presidenti si prokurore e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Në shtator 2018, Sonila Muhametaj ishte një ndër tre prokurorët e transferuar me urdhër të kryeprokurores Arta Marku pas një konflikti në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për dosjen “Shullazi”. Muhametaj ngriti padi kundër vendimit në Gjykatën Administrative dhe e fitoi çështjen, duke u rikthyer nga Prokuroria e Pukës në atë të Krimeve të Rënda.

Rivlerësimi i pasurisë

Relatorja Etleda Çiftja vuri në dukje se gjatë hetimit të KPK mbi pasuritë e prokurores Muhametaj ishin ngritur dyshime për mungesë të ardhurash për të shlyer detyrimet në tre vite.

Çiftja theksoi se bashkëshortëve u mungonin në dukje burimet për të paguar kredi dhe shlyer detyrimet pas blerjes së një apartamenti 1+1 në Tiranë në rreth 445 mijë lekë. Sipas relatores,  në vitin 2016 kishte një mungesë burimesh për shumën 300 mijë lekë dhe në vitin 2015 për 145 mijë lekësh.

Po ashtu u theksua si gjetje edhe mungesa e burimeve në dukje për një shumë prej 270 mijë lekësh në vitin 2014, sa i përket shlyerjes së një kredie konsumatore.

Muhametaj në fjalën e saj tha se kishte pasur burime të mjaftueshme të ardhurash. Ajo pretendoi se vetë analiza financiare e KPK-së e nxirrte atë me diferencë pozitive në të gjitha vitet, ndërsa pretendoi një keqkuptim nga deklarimet vjetore për Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit e Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ajo sqaroi se kishte deklaruar në fund të vitit të ardhurat e realizuar në atë vit dhe nuk kishte bërë mbledhje të tyre vit pas viti, duke menduar se ky proces i takonte ILDKPKI-së.

Ajo pretendoi se shumat e deklaruara vit pas viti mjaftonin për të mbuluar shpenzimet e deklaruara. Prokurorja po ashtu vuri theksin se një sërë shpenzimesh nuk ishin paraqitur si duhet në analizën financiare. Ajo kërkoi të mbahej parasysh se i shoqi përfitonte dietë ushqimore si ushtarak dhe se tre udhëtime të shkurtra jashtë vendit ishin paguar nga të afërmit.

Po ashtu, Muhametaj tha se kishte bërë një jetë modeste dhe se në dy vite nuk kishte shpenzuar për pushime. Ajo po ashtu vuri në dukje disa pasaktësi të analizës finaciare sipas saj.

KPK ndërkohë bëri me dije se i kishte kaluar Muhametajt barrën e provës edhe për faktin që dy makina të saj dhe bashkëshortit ishin të paregjistruara dhe burimet e ligjshme finaciare të vjehrrës, për blerjen e një shtëpie në vitin 2010. Relatorja tha se dukej se vjehrra si person tjetër i lidhur kishte mungesë burimesh të ligjshme për një shumë rreth 480 mijë lekësh.

Prokurorja i vuri KPK në dispozicion një dokument nga INSIG që provonte sipas saj përfitimin e një shumë parash prej vjehrrës nga sigurimi i jetës së bashkëshortit që kishte vdekur në aksident.  Ajo tha se mungesa e dokumenteve për të ardhurat e vjehrrit, i cili ishte ndarë nga jeta kohë para se ajo të lidhej me bashkëshortin, ishte problem i Ministrisë së Mbrojtjes. Muhametaj po ashtu tha se ajo nuk mund të përgjigjej për të ardhurat e krijuara nga familjarët e bashkëshortit para vitit të fillimit të bashkëjetesës së saj.

Rrëzohen gjetjet e KLP-së

Muhametaj u gjet pa probleme sa i përket kriterit të pastërtisë së figurës. Ndërkohë në kriterin e profesionalizmit, asaj iu vu në dukje se në dy nga pesë dosjet e shortuara, Këshilli i Lartë i Prokurorisë kishte raportuar për një rast shkelje afatesh proceduriale dhe në një rast tjetër mosnjoftimin e të pandehurit për akuzën.

Megjithatë, KPK i rrëzoi të dyja gjetjet e KLP-së. Sipas relatores, nga verifikimi i Komisionit rezultoi që vendimi i mosfillimit në një rast ishte marrë brenda afatit 30 ditor, ndërsa në rastin tjetër kishte një procesverbal të firmosur nga i pandehuri që ishte njohur me akuzën. Relatorja theksoi se përfundimet ishin arritur duke pasur në dorë të njëjtat dokumente, duke lënë të kuptohet se diçka nuk kishte funksionuar në vlerësimin e dosjeve të bërë nga KLP.

Relatorja vuri në dukje po ashtu edhe hetimin disiplinor të nisur nga Prokuroria e Përgjithshme sa i përket përplasjes në Prokurorinë e Krimeve të Rënda mbi shortimin e dosjes “Shullazi”. KPK theksoi se procedimi disiplinor ishte pushuar nga Prokuoria e Përgjithshme për shkak të mungesës së kompetencave.

Çiftja bëri me dije se një sërë denoncimesh ndaj prokurores ishin gjetur të pabaza. Ajo theksoi se KPK kishte hetuar në veçanti kalimin për moskopetencë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Prokurorinë e Vlorës të dosjes së tjetësimit të pronave në Karaburun dhe pushimin e hetimeve për akuzën e grupit të strukturuar kriminal, por nuk vuri në dukje nëse ishin gjetur shkelje.

Muhametaj tha se hetimet kishin qenë të plota dhe nuk kishte pasur kundërshtim në gjykatë të vendimit.

Një tjetër denoncim, sipas të cilit Muhametaj ishte angazhuar në një hetim pa prova ndaj një personi me qëllim përfitimin financiar, u gjet i pabazuar nga KPK. Relatorja vuri në dukje se ishte thelluar në vendimin e mosfillimit të një kallëzimi penal për korrupsion në gjyqësor, bazuar edhe në vendimin e gjykatës së Apelit që kishte rikthyer çështjen për hetim, por nuk vuri në dukje nëse ishin gjetur shkelje.

Prokurorja Muhametaj edhe për këtë rast pretendoi se hetimet kishin qenë të plota. Ajo i tha KPK-së se kishte qenë gjithmonë e pavarur në vendimet e saj, edhe në kohën kur prokuroria ishte e centralizuar, ndërsa kërkoi të vijonte detyrën si prokurore e Republikës së Shqipërisë.

Vendimi për Muhametajn do të shpallet më 25 tetor, në orën 9:15.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *