Kolegji i Apelimit e thellon ‘mutacionin’ e ligjit të vetingut
Analiza KPA Në Fokus

Kolegji i Apelimit e thellon ‘mutacionin’ e ligjit të vetingut

Vendimi i zbardhur për shkarkimin nga detyra të gjyqtares Alma Brati, zbulon se një shumicë e trupës gjykuese në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ka zgjedhur një interpretim aspak ortodoks të ligjit të vetingut që e barazon mungesën e burimeve financiare të ligjshme me deklarimin e rremë.

Anëtaret e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA, Luan Daci, Ina Rama, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz, Albana Shtylla, gjatë një seance te KPA | Foto : LSA

Në opinionin e tij mospajtues për shkarkimin nga detyra të prokurores Antoneta Sevdari, vëzhguesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Ferdinando Buatier de Mongeot ngre shqetësimin se një grusht gjyqtarësh në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit e kanë interpretuar aq gjërë nenin 61/3 të ligjit të vetingut, mbi deklarimin e pamjaftueshëm të subjektit për pasurinë, aq sa e kanë transformuar në një mekanizëm të aftë për të bërë një ‘mutacion gjenetik’ për ta transformuar çdo konstatim mbi pasurinë të parashikuar nga neni 33 në një rast shkarkimi të subjektit.

Gjuha e përdoruar nga Buatier de Mongeot duket se ka pasur për qëllim jo vetëm të vë në pah një rast të interpretimit të gabuar të ligjit, por gjithashtu të ngre kambana alarmi mbi një formë të papërpunuar “aktivizmi gjyqësor” për ta ndryshuar thelbin e ligjit për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve jashtë frymës kushtetuese.

Megjithatë, duket se kambanat e tundura nga ONM kanë rënë në vesh të shurdhët. Madje, në vendimin e shpallur ndaj gjyqtares Alma Brati, duket sikur shumica e trupës gjykuese të Kolegjit e ka zgjeruar më tej përçartjen e saj për ta transformuar kuptimin se çfarë përbën deklarim i pamjaftueshëm, duke e interpretuar mungesën e burimeve të ligjshme të subjektit si deklarim të rremë, dy situata faktike të ndryshme të parashikuara nga neni 33 i ligjit të rivlerësimit kalimtar.

Kolegji i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Rezarta Schuez relatore, si dhe Luan Daci, Ina Rama, Albana Shtylla anëtarë, vendosi me 14 korrik, përmbysjen e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Alma Brati.

Edhe pse të gjithë anëtarët e trupës gjykuese kanë votuar pro shkarkimit të Bratit, kryesuesja Natasha Mulaj dhe anëtarja Ina Rama kanë pasur mendim paralel për disa aspekte të vendimit.

Mendimi paralel i Mulajt lidhet me metodologjinë e përllogaritjes së konsumit familjar bazuar mbi të dhëna e anketave të ndryshme të INSTAT, ndërsa mendimi në paralel i Ramës lidhet me qëndrimin ndryshe të saj mbi vlerësimin e aftësisë të se ëmës se subjekti për t’i dhuruar një shumë prej 1.8 milionë lekë gjyqtares  dhe kualifikimin e mungesës së burimit financiar të ligjshme për vitet 2014-2015 në deklarim të rremë.

Për sa i përket pikës së parë Rama mendon se subjekti i rivlerësimit ka qenë në kushtet e pamundësisë objektive për disponimin e dokumenteve që justifikojnë ligjshmërinë e krijimi të pasurive të personit të lidhur. Megjithatë, është kritika e saj ndaj konkluzionit të shumicës se mungesa e burimeve financiare përbën deklarim të rremë, që krijon një hendek me të thellë me shumicën për sa i përket interpretimit të ligjit.

Gjyqtarja Ina Rama, e cila ka mbajtur në mënyrë konstante mendime të ndryshme nga gjyqtarët e tjerë në KPA, përshirë në rastin ‘Sevdari’ ku së bashku me vëzhguesin e ONM-së ishte gjyqtarja e vetme që kundërshtoi shkarkimin e prokurores, rreshton një seri argumentesh kundër qasjes së shumicës, e cila e barazon mungesën e burimeve të ligjshme me deklarimin e rremë.

“Në vlerësimin tim, konstatimi i një mungese të burimeve financiare të ligjshme, si pasojë e një analize financiare në të cilën ndërthuren vlerësime e qëndrime ligjore të organeve të rivlerësimit, por edhe vlerësime subjektive apo interpretative që vijnë si pasojë e procesit të analizimit e vlerësimit të provave, prodhon një rezultat apo të dhënë që i shërben pikërisht konkluzionit nëse subjekti ka pasur ose jo burime të ligjshme për të krijuar një pasuri, por jo verifikimit të deklarimeve të tij,” shprehet Rama në mendimin e saj paralel.

Gjyqtarja vlerëson se sipas Aneksit të Kushtetutës dhe ligjit nr. 84/2016, mungesa e burimeve të ligjshme dhe deklarimi i rremë janë parashikuar si dy situata faktike të ndryshme, si rrethana apo kritere më vete që shërbejnë për të konstatuar deklarimin e kontrollit të pamjaftueshëm për kriterin e pasurisë.

“Në rastin konkret, diferenca negative, e konstatuar për vitet 2014 e 2015, është përdorur si një rrethanë fakti për të dyja cilësimet, edhe si mungesë e burimeve të ligjshme, edhe si deklarim i rremë, duke konsistuar në një vlerësim të gabuar të kualifikimit ligjor, sipas vlerësimit tim,” shprehet Rama.

“Përfundimisht, mendoj se kjo situatë do të duhej të vlerësohej vetëm si mungesë e burimeve të ligjshme financiare, sipas përcaktimeve të nenit 33, pika 5, germa “b” e ligjit, nr. 84/2016,” shtoi ajo.

Edhe pse Rama ka mbajtur një qëndrim ndryshe në lidhje me dy pikat e mësipërme të vendimit, ajo ka votuar  pro argumenteve të dhëna nga trupa gjykuese në analizë të shkaqeve të tjera të ankimit të paraqitura prej Komisionerit Publik, duke vlerësuar se çojnë në ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të Bratit.

Pse u shkarkua Brati?

Komisioneri Publik ka ushtruar ankim ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të gjyqtares Alma Brati, duke arsyetuar se vendimi i KPK-së  për subjektin e rivlerësimit nuk ka qenë në përputhje me përcaktimet kushtetuese dhe ligjore mbi kriterin e kontrollit të pasurisë.

Në shkaqet ankimore të rreshtuara nga Komisioneri Publik në ankim përfshihen burimet e krijimit të një pasurie apartament në Tiranë, burimet e ligjshme të personit të lidhur – ish bashkëshortit të gjyqtares, për pagesën e pensionit ushqimor, deklarimin e pasaktë të interesave private në deklartën veting, si dhe burimi i ligjshëm i një huaje për rikonstruksion banese dhe sipërfaqja e një trualli në Durrës.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit i ka hedhur poshtë shumicën e shkaqeve të ankimit të Komisionerit; megjithatë, shumica e trupit gjykues ka konstatuar probleme për sa i përket burimeve të ligjshme të mamasë së subjekti, e cila i ka dhuruar gjyqtares një shumë prej 1.8 milionë lekë për shlyerjen e një kredie, si dhe mungesë të burimeve të ligjshme për likuiditetet cash të deklaruara në deklaratat periodike të viteve 2014 dhe 2015.

Nga analiza financiare trupi gjykues ka konkluduar se subjekti i rivlerësimit nuk kishte mundësi financiare për të siguruar gjendjen e deklaruar cash në vitet 2014 dhe 2015, në shumën 1..1 milion lekë në secilin vit, pasi situata financiare tregon mosmbulim me të ardhura të ligjshme në vitin 2014 në vlerën 607.505 lekë dhe në vitin 2015 në vlerën 1.444.602 lekë.

“Trupi gjykues i Kolegjit vlerëson se subjekti i rivlerësimit ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme, sipas përcaktimit të nenit D, pika 3 e Aneksit të Kushtetutës,” shprehet shumica e trupit gjykues në vendim.

“Nga ana tjetër, trupi gjykues i Kolegjit vlerëson se subjekti i rivlerësimit me këtë deklarim të bërë për vitet 2014 dhe 2015, duke qenë në kushtet e mungesës së burimeve financiare të ligjshme, ka kryer deklarim të rremë, sikurse parashikon neni 33, pika 5, germat “b” dhe “ç” të ligjit nr. 84/2016,” shton vendimi.

Gjithashtu, sipas Kolegjit në periudhën 2007-2016, gjyqtarja Brati ka mungesë burimesh të ligjshme financiare në vlerën 5.3 milionë lekë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *