Prokurorja Elina Kombi pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: LSA
KPK Veting

Prokurorja Elina Kombi përballet me probleme të pasurisë

Prokurorja e Tiranës, Elina Kombi u përball të premten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për barrat e provës për pasurinë, kriterin e vetëm për të cilin është përfunduar hetimi paraprak.

Procesi i vetingut për Kombin po kryhet nga trupa e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relatore Suela Zhegun dhe anëtare Firdes Shulin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte pranishëm Ferdinando Buatier.

Elina Kombi e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994. Ajo ka punuar fillimisht si prokurore në Prokurorinë e Pogradecit dhe prej vitit 2013 e ushtron funksionin në Prokurorinë e Tiranës.

Gjatë seancës dëgjimore u konstatuan pamundësi financiare për blerjen e një apartamenti në Pogradec të përfituar nëpërmjet privatizimit; për ndërtimin e një shtese; për një shtëpi me tre kate të trashëguar prej bashkëshortit nga i ati, por ku ka investuar edhe subjekti; si dhe u ngritën dyshime se në këtë rezidencë ushtrohej veprimtari hotelerie e paregjistruar.

Prokurorja Kombi u paraqit në seancë së bashku me avokaten Evi Kolovani dhe i kundërshtoi të gjitha konkluzionet e Komisionit si të pabazuara. Ajo ngriti gjithashtu dyshime mbi analizën financiare, duke u shprehur se dukej si tendencioze.

Subjekti shpjegoi se rridhte nga një familje e minoteritetit grek, ku prindërit pas viteve ’90 ishin transferuar të jetonin në Greqi dhe shtoi se ndihej e nderuar që ishte bërë pjesë e familjes së bashkëshortit, sipas saj një “familje bejlerësh”, që kishin trashëguar prona në vendin e lindjes dhe gëzonin respekt.

Mungesat financiare

Komisioni konstaton pamundësi për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 69 m2 në Pogradec. Nga hetimi ka rezultuar se apartamenti është përfituar në vitin ’99 nëpërmjet privatizimit nga subjekti, bashkëshorti dhe prindërit e tij si familje e pastrehë në shumën 550 mijë lekë, vlerë për të cilën Zhegu sqaroi se ka rezultuar balancë negative në shumën 151 mijë lekë.

Komisioni e ka kryer analizën financiare për periudhën 1995-1998, por Kombi e kundërshtoi dhe kërkoi  që të përllogariten të ardhurat e bashkëshortit dhe të prindërve të tij që prej fillimit të punës nga ana e tyre para viteve ’90 deri në vitin 1998. Ajo e cilësoi procesin si të paragjykuar dhe theksoi se analiza financiare është kryer nga individë joprofesionistë.

KPK konstatoi balancë negative edhe për ndërtimin e një shtese me sipërfaqe totale 104 m2 në dy kate, një prej të cilëve papafingo. Sipas Zhegut, deklarimi i shtesës është kryer pranë ALUIZNI-t në vitin 2005 dhe për këtë arsye është llogaritur mundësia e investimit në 2004-ën. Ajo sqaroi se subjekti nuk ka deklaruar kursime cash në vitet 2003 dhe 2004 dhe për rrjedhojë nga analiza financiare është konstatuar pamjaftueshmëri burimesh në shumën 5.5 milionë lekë, për të cilën i është kaluar barrë prove.

Gjatë seancës, prokurorja Kombi këmbënguli se punimet kishin filluar në vitin 2006 dhe kishin vijuar në vitin 2008 dhe 2009. Subjekti sqaroi se në vitin 2006 ishte kryer një pjesë e punimeve të strukturës, ndërsa kishin vijuar në vitet 2008 dhe 2009, pasi në 2007-ën gjendej edhe ajo në SHBA ku kishte lindur vajzën.

Sipas subjektit, Komisioni kishte gabuar edhe në përllogaritjen e vlerës së investimit për shtesën, pasi sipas saj ishin ndërtuar vetëm dy faqe muri, ngaqë dy muret e tjerë ishin ato të objektit ekzistues.

Sipas KPK, subjekti nuk ka arritur të provojë me dokumentacion ligjor burimet e një depozite në vlerën rreth 41 mijë USD, shumë për të cilën është pretenduar se përfaqëson të ardhurat e bashkëshortit nga puna në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për disa vite. Sipas Zhegut, është arritur të provohen burimet vetëm për vlerën 16 mijë dollarë të kësaj depozite.

Po ashtu, sipas KPK nuk është provuar edhe mundësia e prindërve të subjektit për kursimin e një vlere 20 mijë USD që ia kanë dhënë prokurores Kombi, që së bashku me depozitën e bashkëshortit janë deklaruar si një prej burimeve të një shtëpie të ndërtuar nga vjehrri në fshatin e tij të lindjes në Pogradec.

Kombi deklaroi në seancë se kishte depozituar si prova disa lloje dokumentesh që vërtetonin se bashkëshorti kishte kryer punë të ligjshme në SHBA. Ajo theksoi se gjendej në kushtet e pamundësisë objektive për të siguruar dokumentacion ligjor për pagesën e detyrimeve për gjithë të ardhurat, pasi kishin kaluar afro 20 vjet. Gjithashtu, subjekti deklaroi se bashkëshorti kishte punuar si kamarier dhe se një pjesë e mirë e të ardhurave ishte bakshish.

Ngjashëm ajo sqaroi edhe për shumën 20 mijë USD të dhënë nga prindërit. Subjekti deklaroi se prindërit kishin punuar prej dekadash në shtetin grek ku dhe vazhdojnë të jetojnë së bashku me anëtarët e tjerë të familjes së origjinës. Por sipas saj, punëdhënësit jo gjithmonë i deklaronin të punësuarit e tyre.

Kombi theksoi se kishte provuar me dokumentacion se prindërit kishin disponuar likujditete në vite dhe për rrjedhojë kishin pasur burime të mjaftueshme. “Jam në kushtet e pamundësisë objektive për të provuar pagesën e detyrimeve për të gjithë të ardhurat e prindërve,” pohoi Kombi.

Bashkëshorti i prokurores Kombi ka përfituar nëpërmjet trashëgimisë ligjore nga babai i tij pasurinë tokë arë me sipërfaqe 13 mijë e 280 m2, truall 240 m2 dhe një ndërtesë me tre kate me sipërfaqe të regjistruar 124 m2 në fshatin Gurras në Pogradec.

Sipas Zhegut, ndërtimi i objektit është kryer me leje ndërtimi nga vjehrri i subjektit. Ajo shtoi se nga hetimi ka rezultuar se bashkëshortët Kombi kanë investuar në këtë pasuri vlerat rreth 62 mijë USD dhe 1.4 milionë lekë. “Subjekti ka shpjguar se këto shuma nuk i janë dhënë hua vjehrrit, por janë dhënë për investim,” pohoi Zhegu.

Si burime të tjera për ndërtimin e shtëpisë në fshat, subjekti ka deklaruar të gjitha të ardhurat e familjarëve të anëtarëve të familjes së vjehrrit ndër vite. Bazuar në referencat e Entit Kombëtar të Banesave, EKB, Komisioni konsideron se ndërtimi i kryer në vitet 2010-2012 ka pasur një kosto totale rreth 10 milionë lekë. Nga analiza financiare ka rezultuar balancë negative në shumën totale 4.6 milionë lekë.

Prokurorja Kombi u ndal gjatë në analizën e kësaj pasurie. Ajo e cilësoi të padrejtë përllogaritjen e kostove të ndërtimit. “Duket qartë në fotot që kam dorëzuar më parë edhe në ILDKPKI se kati i parë është ndërtuar me gur dhe strukturë të paluajtshme, ndërsa dy katet e tjerë janë ndërtuar krejtësisht vetëm me lëndë drusore. Si mund t’i referoheni EKB-së kur ata nuk i kanë të përcaktuara këto lloj kostosh,” u shpreh Kombi dhe solli në vëmendje se dy katet e sipërme nuk kanë kolona betoni, por binarë pishe që janë siguruar në Ersekë.

Sipas saj, kjo është dhe arsyeja përse është regjistruar vetëm kati i parë, pasi dy katet e sipërme që janë ndërtuar me lëndë druri konsiderohen si konstruksion i lëvizshëm. Kombi deklaroi se analiza financiare e Komisionit ka synim të fryjë balancat negative dhe nuk pasqyron ato pozitive.

Subjekti solli në vëmendje se kishte qenë për gjashtë vite drejtuese e Prokurorisë së Pogradecit dhe kishte përfituar çdo muaj të ardhura mujore në shumën 35 mijë lekë si shpenzime për transportin, që për arsye se jetonte pranë institucionit ku punonte dhe shkonte në punë në këmbë, kishin shërbyer si të ardhura për investimet dhe shpenzimet e jetesës.

Po ashtu, subjekti kërkoi që të uleshin shpenzimet në SHBA, duke u përllogaritur me dollarë dhe jo në monedhën euro, si dhe ato për qëndrimin në Greqi tek familjarët e saj.

Së bashku me avokaten, ato e cilësuan të pakonceptueshme dhe të patolerueshme mënyrën se si ishte kryer analiza financiare dhe si u ishte prezantuar. Sipas tyre, analiza që u ishte dërguar fillimisht kishte qenë e paqartë dhe se edhe në pasqyrën e plotë që ishte dërguar më vonë prej KPK, u ishte dashur tre javë që të arrinin të kuptonin se si ishin kryer përllogaritjet, që i quajtën të padrejta dhe të pabazuara.

 “Hoteli” i padeklaruar

Nga verifikimet e kryera në platformën “Google”, Komisioni ka evidentuar disa faqe online ku shtëpia që subjekti dhe bashkëshoti i saj kanë trashëguar nga prindërit e këtij të fundit, promovohet si “guest house”. Por ky aktivitet hotelerie ka rezultuar të mos jetë i regjistruar. Zhegu pohoi se subjekti ka mohuar që të kenë ushtruar aktivitet hotelerie në këtë shtëpi, por në faqet online rezultojnë si kontakte numrat e pasqyruar nga bashkëshorti i saj në deklarimet periodike.

“Nga këto të dhëna janë ngritur dyshime se është ushtruar aktivitet hotelerie dhe i paregjistruar me qëllim fshehjen e të ardhurave”, pohoi Zhegu dhe shtoi se subjektit i është kaluar barrë prove për këtë gjetje.

Gjatë seancës ajo këmbënguli se ka qenë një ide e vjehrrit që kiste ndërruar jetë në vitin 2014, por theksoi se nuk e kanë ushtruar asnjë ditë këtë aktivitet.  “Po të ‘gugëllosh’ del që është e vërtetë se ka një faqe. Ishte ideja e vjehrrit të ndjerë, por nuk kemi pasur kurrë aktivitet. Aty ka banorë të zonës dhe mund të pyesësh nëse është përdorur qoftë dhe një ditë si hotel,” deklaroi Kombi.

Pasi u pyet nga vëzhguesi ndërkombëtar, Ferdinando Buatier se cili e kishte krijuar faqen në internet, Kombi pranoi se bashkëshorti e kishte kryer në vitin 2015. Ndërkohë, subjekti e kundërshtoi konstatimin se në faqen online pasqyrohet se në këtë rezidencë janë mikëpritur rreth 8000 mysafirë.

E pyetur nga Buatier lidhur me kostot e pishinës që ndodhet në oborrin e banesës, subjekti pretendoi se ishte me përmasa të vogla dhe se nuk e dinte saktësisht se sa kishte shpenzuar vjehrri. Sipas saj, mund të ishin shpenzuar rreth 200 mijë lekë.

“Nëse do isha nga ato prokurore, do ta kisha përdorur për të pastruar paratë,” deklaroi Kombi.

Në përfundim, prokurorja Elina Kombi kërkoi rregullimin e analizës financiare sipas shpjegimeve dhe provave të dorëzuara prej saj dhe kërkoi riçeljen e hetimit për dy kriteret e tjerë. KPK njoftoi se seanca e radhës do të zhvillohet më datë 3 shkurt, në orën 09:45.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *