Gjyqtari Arqile Basho i Gjykatës së Vlorës pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Veting

KPK: Arqile Basho fshehu pasuritë dhe cënoi besimin e publikut

Gjyqtari i Vlorës Arqile Basho u shkarkua nga detyra më 15 dhjetor 2021, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK konstatoi mungesë burimesh për krijimin e pasurive dhe ngriti dyshime për fshehje të disa pronave; si dhe u çmua se kishte cënuar besimin e publikimit me veprime dhe mosveprimet e tij në shqyrtimin e një çështjeje.

Në vendimin e arsyetuar të KPK evidentohet se subjekti nuk ka siguruar prova ligjore për të vërtetuar deklarimet për burimet e krijimit të pasurive, konkretisht të një depozite 3.8 milionë lekë, gjendjes cash 1.4 milionë lekë dhe të një automjeti të blerë në vitin 2013 në emër të djalit, në shumën 16 mijë euro.

Basho ka deklaruar se i ka krijuar këto pasuri me kursimet në vite prej të ardhurave të siguruara gjatë periudhës 1991-2016. Konkretisht, ai ka deklaruar të ardhura nga puna në të zezë si emigrant në vitet 1991-1992; pagat në vite si ndihmës gjyqtar e gjyqtar; pensionin e nënës; të ardhurat nga bujqësia e pemtaria; të ardhura nga një kontratë kundërshpërblimi për pemët; subvension për bujqësinë; si dhe të ardhura nga puna e vajzës.

Sipas Komisionit, Basho nuk arriti të provojë me dokumentacion të ardhurat nga puna në emigracion, si edhe ato nga puna e vajzës. “[….]Nuk është arritur të provohet koha, mënyra, shuma e marrë, si dhe pagesa e detyrimeve tatimore për këto të ardhura, në mënyrë që të konsiderohen të ardhura të ligjshme”, vlerëson trupi gjykues dhe nuk i ka konsideruar në analizën financiare.

Subjekti ka dështuar të vërtetojë edhe të ardhurat e deklaruara në vite sit ë përfituara nga bujqësia. KPK konstaton se bashkëshortja e subjektit është pajisur me kartën e fermerit në shtator të vitit 2015 dhe me certifikatë të regjistrimit në tetor të po atij viti. “[…]Deri në këtë datë nuk është vërtetuar pasja e kësaj karte, për më tepër që edhe ISSH-ja nuk disponon të dhëna për kontribute sigurimesh të paguara duke filluar nga viti 2012”, konstaton KPK dhe vlerëson se pushteti vendor nuk mund të vërtetojë shumën e të ardhurave të përfituara nga një aktivitet “tregtar” apo “familje bujqësore”, për të cilën pretendon subjekti.

Ndërkohë, nga hetimi ka rezultuar se të ardhurat nga bujqësia të dokumentuara prej Bashos në vitin 2016 janë në shumën totale 3.9 milionë lekë, që krahasuar me deklarimet e mëparshme të gjyqtarit janë disa herë më të larta. “Këto të ardhura rezultojnë disa herë më të larta se të ardhurat e deklaruara periodikisht nga subjekti në periudhën 2004 − 2014 dhe në vlerësim të komisionit kalojnë kufijtë e besueshmërisë të një aktiviteti ‘modest’ të pretenduar për një ‘familje bujqësore’”, vëren KPK dhe konkludon se Basho nuk arriti të provojë me dokumentacion ligjor të ardhurat nga vetëpunësimi i bashkëshortes në bujqësi.

Bashos i janë rrëzuar edhe pretendimet për përfitimin e të ardhurave nga një mini-grant për bujqësinë. Komisioni konstaton se shuma e përfituar nuk është pasqyruar si e ardhur apo shpenzim në vitin 2011 dhe për rrjedhojë është vlerësuar se shuma e pretenduar nuk ka pasur efekt në krijimin e kursimeve.

Po ashtu, nuk janë konsideruar edhe të ardhurat e pretenduara nga një kundërshpërblim lidhur me prishjen e pemëve frutorë. Në vendim thuhet se kontrata e qirasë për tokën ku janë paguar 800 mijë lekë për shkatërrimin e 400 rrënjëve lajthi është nënshkruar mes shoqërisë ndërtuese dhe vëllezërve të subjektit.

Nga paga si ndihmës gjyqtar, gjyqtar dhe kryetar gjykate në periudhën 1995-2017 janë dokumentuar rreth 16 milionë lekë, aq sa ka deklaruar edhe subjekti. Ndërkohë, janë zbritur zhpenzimet e jetesës për nënën, pasi subjekti ka arritur të vërtetojë trajtimin e nënës me pension pleqërie.

Si problem është gjetur edhe deklarimi i pasaktë për një banesë me sipërfaqe 120 m2 dhe truall 300 m2 në fshatin e lindjes së gjyqtarit Basho, pronë për të cilën subjekti ka pretenduar se është ndërtuar dhe rikonstruktuar nga prindërit para viteve ‘90.

Komisioni vëren se subjekti e ka regjistruar këtë banesë në emër të tij, kur ishte ende në pronësi të prindërve, duke anashkaluar dispozitat e Kodit Civil mbi trashëgiminë, që ka sjellë shmangien e vëllezërve dhe motrës nga pjesa e tyre takuese.

Dyshime për pasuri të fshehura

Fëmija madhor i subjektit, vajza V.B., e konsideruar si person tjetër i lidhur, ka pasqyruar në deklaratën vjetore të interesave privatë të vitit 2015 disa pasuri, konkretisht dy ngastra tokë arë me sipërfaqe totale 725 m2 dhe një magazinë me sipërfaqe rreth 250 m2, me burim kursimet e punës në emigracion gjatë periudhës 1992-2008.

Komisioni vlerëson se subjekti nuk ka dokumentuar burimin e të ardhurave të vajzës madhore dhe bashkëshortit të saj për krijimin e këtyre pasurive në vitin 2011, ndërkohë që i ka kryer vetë transaksionet për pagesën për tatimin mbi trasferimin e pronësisë dhe detyrimet për regjistrimin e këtyre pasurive.

“Kryerja e pagesave të tatimit për kalimin e pronësisë në “Credins Bank” nga subjekti, janë sjellje që kanë si rezultat përfundimtar se ai është pronari de facto i kësaj prone”, çmon trupa e KPK-së.

Dyshimet janë forcuar dhe nga fakti se nuk është provuar marrëdhënia e vajzës dhe bashkëshortit të saj me këto pasuri, pasi ata kanë jetuar prej vitesh në Greqi.

Në deklaratën “veting” subjekti ka deklaruar si vendqëndrime edhe dy apartamente, një në Vlorë dhe tjetri në Tiranë. Gjatë hetimit administrativ Basho ka shpjeguar se prej vitit 2014 e në vijim kanë marrë me qira një apartament 2+1 në Tiranë në pronësi të shtetasit B.P.(A.P.), me qëllim sistemimin e fëmijëve. Ai ka shtuar se e ka deklaruar këtë apartament si adresë, pasi e përdorte në fundjavë, kur shkonte të takonte fëmijët.

Nga verifikimet e KPK ka rezultuar se B.P. e ka porositur këtë apartament me sipërfaqe totale 112.8 m2 në vitin 2009 kundrejt vlerës 92 mijë e 700 euro, duke e likuiduar totalisht në momentin e nënshkrimit të kontratës.

“Nisur nga vendndodhja dhe sipërfaqja e apartamentit dhe çmimi i blerjes nga qiradhënësi, duket se edhe vlera e deklaruar e qirasë prej 18.000 lekësh/muaj, e pandryshuar që nga viti 2012 e në vazhdim, përveç çmimeve të tregut nuk mbështetet në logjikë ekonomike dhe ngre dyshime për një marrëdhënie tej asaj të qirasë”, citohet në vendim.

Komisioni konsideron se ekziston marrëdhënia e subjektit të rivlerësimit me apartamentin për shkak të përdorimit ndër vite, ndërkohë që nuk është provuar bindshëm marrëdhënia e porositësit, pasi rezulton se ai jeton jashtë shtetit dhe vjen në Shqipëri vetëm gjatë festave të fundvitit.

Duke mbajtur në konsideratë edhe faktin se porositësi i apartamentit nuk ka kryer as regjistrimin e pasurisë, pavarësisht se kanë kaluar mbi 10 vjet, Komisioni shprehet se është krijuar bindja se B.P. nuk është pronari de facto i këtij apartamenti.

Situatë të ngjashme KPK ka konstatuar edhe për një apartament në Vlorë, pasuri për të cilën subjekti ka deklaruar se e ka përdorur me qira prej vitesh, ndërsa ka rezultuar se porositësi nuk ka pasur asnjë lloj marrdhënie me këtë banesë.

“Komisioni, për sa i përket pasurive në përdorim nga subjekti në rrethin e Vlorës dhe të Tiranës, vlerëson se subjekti ka kryer transaksione përdorimi për pasuri me vlera të konsiderueshme dhe se shpjegimet e tij lidhur me përdorimin e këtyre banesave nuk janë bindëse, duke krijuar dyshime se duket se këto marrëdhënie huapërdorjeje janë kryer nga subjekti vetëm për arsye se e ka pasur të pamundur për të justifikuar me të ardhura blerjen e pasurive”, argumenton trupa gjykuese dhe konkludon se janë pasuri të fshehura të subjektit.

Cënimi besimit të publikut

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka konstatuar se Basho ka pasaktësi në plotësimin e deklaratës për kontrollin të figurës, pasi nuk ka deklaruar një procedim penal të regjistruar ndaj tij në vitin 2015 për veprën penale “shpërdorimi i detyrës”, që është pushuar po atë vit nga Prokuroria e Fierit. DSIK e ka konsideruar si fshehje dhe ka konstatuar papërshtatshmërinë e Bashos për të vijuar detyrën.

Komisioni ka shkuar më tej kur ka verifikuar çështjen për të cilën Basho është proceduar. Nga hetimi administrativ ka rezultuar se subjekti ka arsyetuar një vendim të ndryshëm nga ai që deklaruar në seancë për një të pandehur për veprën penale “vjedhje të energjisë elektrike ose impulseve telefonike”.

Ndryshe nga vendimi i deklaruar në seancë kur Basho e ka deklaruar fajtor të pandehurin, në vendimin e arsyetuar është shënuar se është gjetur i pafajshëm. Në vijim, Basho ka depozituar një kërkesë në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë me objekt ndreqje gabimi material të vendimit penal. Pasi ka njoftuar palët, subjekti ka vendosur ndreqjen e gabimit material, duke ndryshuar pjesën arsyetuese të këtij vendimi dhe pjesën e dispozitivit.

Prokuroria ka regjistruar procedim lidhur me këtë situatë dhe i është kaluar për kompetencë Prokurorisë së Fierit. Nga verifikimet e tabultateve telefonike ka rezultuar se Basho ka komunikuar me avokaten e të pandehurit 24 herë gjatë periudhës së gjykimit. Megjithatë, Prokuroria e Fierit ka vendosur ta pushojë çështjen.

Bazuar në këto konstatime, Komisioni vlerëson se subjekti me veprimet dhe mosveprimet e tij në shqyrtimin dhe vendimarrjen për këtë çështje penale, ka cënuar besimin e publikut te drejtësia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *