

Prokurori i Prokurorisë së Lezhës, Simon Pashuku arriti të shtyjë seancën dëgjimore të premten më datë 15 nëntor duke kërkuar përjashtimin e trupës gjykuese të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, e përbërë nga Brunilda Bekteshi, Zuela Zhegu dhe Xhensila Pine.
Kryesuesja e trupës gjykuese, Brunilda Bekteshi tha në fillim të seancës dëgjimore se Komisioni e kishte përfunduar hetimin vetëm për kriterin e pasurisë.
Pas kësaj, prokurori Pashuku kërkoi fjalën dhe u shpreh se e konsideronte trupën të njëanshme për shkak se i ishte refuzuar kërkesa për riçeljen hetimit për dy kriteret e tjera, atë të pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.
Me këtë pretendim Pashuku kërkoi përjashtimin e trupës gjykuese. Kjo e fundit u tërhoq dhe vendosi shtyrjen e seancës dëgjimore pa afat, deri në shqyrtimin e kërkesës së prokurorit Pashuku nga një tjetër trupë gjykuese.
Simon Pashuku e ka filluar karrierën si oficer i Policisë Gjyqësore në vitin 1999. Ai është emëruar prokuror në vitin 2012 dhe përgjatë 5 viteve e ka ushtruar funksionin në Prokurorinë e Kukësit. Në vitin 2017, Pashuku është emëruar në Prokurorinë e Lezhës, ku vazhdon ta ushtrojë detyrën edhe aktualisht.