Nga një seancë e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
KPK Veting

Prokurorja Ida Ahmetlli u dorëhoq pasi u njoh me rezlutatet e vetingut

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 6 dhjetor 2022 të ndërpresë vetingun për prokuroren e Tiranës, Ida Ahmetlli, si dhe i ndali asaj rikthimin në sistemin e drejtësisë për 15 vjet, për shkak të dorëheqjes nga statusi i magjistratit.

Në dhjetor të vitit 2019 është shortuar trupa e KPK për kryerjen e procesit të vetingut për këtë subjekt rivlerësimi, e përbërë nga Valbona Sanxhaktari në cilësinë e kryesueses, Olsi Komici relator dhe Xhensila Pine anëtare. Në vendimin e arsyetuar të Komisionit sqarohet se në janar në vitit 2020 Ahmetlli është njoftuar për fillimin e hetimit administrativ ndaj saj.

Komisioni ka mbyllur hetimin paraprak në të tre kriteret e rivlerësimit më 20 tetor 2022 dhe katër ditë më vonë i ka njoftuar Ahmetlliut rezultatet, duke i dhënë afat për depozitimin e provave dhe paraqitjen e shpjegimeve për gjetjet deri më datë 7 nëntor.

Para se të përfundonte ky afat, Ahmettli ka njoftuar Komisionin se i është drejtuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP me kërkesë për mbarimin e statusit të magjistratit, si dhe të detyrës së saj si prokurore. Po ashtu, subjekti i ka kërkuar Komisionit që në mbështetje të pikës 1 të nenit G të Aneksit të Kushtetutës, të përfundojë procesin e rivlerësimit për shkak të dorëheqjes. Gjithashtu, ka njoftuar se hiqte dorë nga e drejta për të marrë pjesë në seancën dëgjimore.

Komisioni ka administruar vendimin e KLP-së për deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit për prokuroren Ida Ahmetlli, si dhe informacion nga Gjykata e Administrative e Apelit se subjekti nuk ka kryer ankim ndaj asaj vendimmarrje.

Bazuar dhe në faktin se ajo kishte shprehur më parë vullnetin se nuk kishte dëshirë të dëgjohej në seancë dëgjimore, trupa e KPK ka vendosur të ndërpresë procesin e vetingut të filluar ndaj saj. Po ashtu, është vendosur ndalimi i emërimit të prokurores Ida Ahmetlli si gjyqtare ose prokurore e çdo niveli, anëtare e Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektore e Lartë e Drejtësisë ose Prokurore e Përgjithshëm për një periudhë 15-vjeçare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *