Prokurori Petrit Hysa pas seances ne KPK Foto Edmond Hoxhaj
Analiza KPK Veting

KPK: Petrit Hysa kreu deklarim të pamjaftueshëm për pasuritë

Prokurori i Tiranës, Petrit Hysa u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimimit, KPK më 24 maj 2023, pasi u konkludua se kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë. Ndërkohë, ai mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës, ndërssa mangësitë profesionale nuk u konsideruan serioze e të përsëritura, që të sillnin penalzim.

Vendimi për shkarkimin e Hysës u mor nga trupa e KPK e kryesuar nga Alma Faskaj, me relatore Etleda Çiftja dhe anëtar Olsi Komici.

Petrit Hysa ka punuar fillimisht si hetues në Dibër dhe në Mat në vitet 1986-1991. Ai është rikthyer në sistemin e drejtësisë në vitin 1997 si prokuror në Prokurorinë e Pogradecit dhe në vitin 1999 u transferua në Tiranë në cilësinë e zëvendësdrejtuesit. Prej asaj kohe e ushtron funksionin e prokurorit në kryeqytet.

Hetimi administrativ i KPK ka nxjerrë probleme për një godinë 3 kate + 1 kat nën tokë në Tiranë; për një apartament tjetër në kryeqytet,; si dhe në deklarimin e likujditeteve cash duke rezultuar me një bilanc negativ total për prej 12.7 milionë lekë.

Subjekti ka deklaruar disa burime financiare krijimi për godinën e banimit me 3 kate + 1 kat nën tokë në Tiranë. Sipas Hysës, kati nën tokë dhe ai përdhe janë ndërtuar me të ardhurat nga puna e tij si avokat; si hetues për periudhën 1985 – 1991; nga punësimi pranë Bashkisë Burrel; pranë Uzinës së Ferrokromit Burrel; si dhe nj pjesë e të ardhurave nga shitja e një shtëpie të përfituar nga privatizimi i banesave shtetërore së bashku me prindërit. Për katin e dytë dhe të tretë ka deklaruar se janë kryer investime nga motra dhe bashkëshorti i saj me të ardhurat nga puna si emigrantë në shtetin grek prej vitit 1998 e në vijim.

Komisioni ka konstatuar se subjekti kishte mungesë të dokumntacionit ligjor për të justifikuar të ardhurat nga avokatia në vlerën 5 milionë lekë dhe për rrjedhojë nuk janë përfshirë në analizën financiare.

Megjithëse subjekti ka pretenduar se gjendet në kushtet e pamundësisë objektive për të kontrolluar vërtetësinë e deklarimeve dhe burimeve të ligjshme të të ardhurave nga puna si avokat, KPK vëren se nuk provohen në mënyrë kumulative të gjitha kërkesat ligjore lidhur me pamundësinë objektive, pasi duhet të vërtetojë se dokumenti është zhdukur, ka humbur, nuk mund të bëhet përsëri ose nuk merret në rrugë tjetër.

“[…]Ndonëse subjekti i rivlerësimit ka shpjeguar bindshëm se ka ushtruar profesionin e avokatit privat, sipas provave shkresore, konkretisht vendimet gjyqësore, ku emri i tij figuron si avokat mbrojtës, si dhe fleta e regjistrit përcjellë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat, ku pasqyrohet i regjistruar si avokat në datën 1.6.1993, ai nuk arriti të provojë masën e të ardhurave të krijuara nga ushtrimi i avokatisë, pasi këto të ardhura nuk janë deklaruar pranë organeve shtetërore dhe, për rrjedhojë, nuk janë paguar detyrimet tatimore sipas legjislacionit në fuqi”, konstaton KPK duke i konsideruar të ardhura e pretenduara nga avokatia në nivel deklarativ dhe nuk i ka përfshirë në analizën financiare.

KPK nuk ka përfshirë në analizë të ardhurat para vitit 1991 nga puna si hetues, jurist pranë Bashkisë Burrel dhe në Uzinën e Ferrokromit. Duke iu referuar jurispudencës së Kolegjit, Komisioni vëren se për shkak të inflacionit ne nivele shumë të larta të lekut në vitet 1991-1992, janë konsideruar të ardhurat nga pagat e subjektit nga viti 1992 e në vijim.

Gjatë hetimit, Hysa ka deklaruar se si burim krijimi për ndërtimin e banesës kanë shërbyer edhe të ardhurat nga kursimet familjare të prindërve dhe vëllait S. H.. Komisioni vëren se subjekti nuk i ka deklaruar këto kursime as në deklaratën Vetting dhe as në DPV/2003. Po kështu, nuk e ka përcaktuar vlerën e këtij kontributi dhe nuk ka paraqitur dokumentacion justifikues për të ardhurat që kanë shërbyer si burim. Për rrjedhoj nuk është marrë në konsideratë kontributi i pretenduar nga kursimet familjare të prindërve dhe vëllait S. H..

Në deklaratën “veting”, subjekti ka deklaruar se si burim krijimi për ndërtimin e shtëpisë kanë shërbyer të ardhurat nga shitja e një apartamenti të familjes së origjinës në vitin 1997, por kontrata është hartuar me vonesë, në vitin 2001.

Për sa i përket shumës së përfituar nga Hysa, Komisioni vëren se nuk është paraqitur asnjë dokument ligjor provues që të provojë faktin se bashkëpronarët e tjerë kanë hequr dorë nga të ardhurat e përfituara nga shitja e kësaj pasurie. Për rrjedhojë, të ardhurat e përfituara janë llogaritur mbi pjesën takuese që subjekti zotronte, në shumën 434 mijë lekë. Por për shkak se është konsideruar se është marrë në momentin e nënshkrimi të kontratës në vitin 2001, nuk është llogaritur si burim për ndërtimin e banesës në vitet e mëparshme.

Bazuar në këto konstatime ështyë kryer analiza financiare prej nga ka rezultuar bilanc negativ në shumën 3.1 milionë lekë për periudhën 1992-1999, kur subjekti pretendon se ka krijuar të ardhurat që kanë shërbyer për ndërtimet e kryera prej tij. Edhe pas rishikimit të analizës financiare bazuar në shpjegimet dhe provat e subjektit, bilanci ka mbetur negativ në vlerën 2.9 milionë lekë lidhur me punimet e deklaruara prej Hysës së janë kryer prej tij.

Në vijim, KPK vlerëson se subjekti nuk arriti të shpjegojë bindshëm se investimi i kryer për katin e dytë dhe të tretë është kryer nga ana e motrës së tij. Komisioni vëren se Hysa e ka deklaruar për herë të parë investimin nga motra në vitin 2016, ndërkohë që ka pretenduar se ato punime janë kryer gjatë viteve 2008-2009. “Në aplikimin e kryer pranë ASHK-së në datën 22.9.2014 nga ana e subjektit, nuk figuron emri i motrës apo bashkëshortit të saj, edhe pse shtesa në investim, sipas deklarimeve të subjektit, ishte kryer vetëm nga motra e tij”, kosntaton në vijim KPK dhe shton se nuk është ndërmarrë asnjë hap për kalimin e pronësisë në emër të motrës.

Në vendim theksohet se motra subjektit dhe bashkëshorti i saj kanë përfituar në vitin 2008 një kredi pa interesa nga shteti grek për blerje banese, ç’ka konsiderohet si një tregues i një situate financiare jo të favorshme për kryerjen e investimeve të tjera.

“Duke qenë se subjekti nuk provoi bindshëm se investimi në katin e dytë dhe të tretë është kryer nga motra e subjektit të rivlerësimit dhe bashkëshorti i saj, në konsideratë të vlerësimit të rrethanave dhe fakteve të analizuara më lart, trupi gjykues krijon bindjen se investimi është kryer nga ana e subjektit të rivlerësimit dhe e gjithë banesa është pasuri e tij, ashtu sikurse rezulton e regjistruar në regjistrat publikë, vërtetuar me lejen e legalizimit dhe certifikatën e pronësisë”, citohet në vendim.

KPK e ka kryer analizën financiare duke i konsideruar si investime të subjektit edhe punimet për katin e dytë dhe të tretë, prej nga ka rezultuar balancë negative në shumën 1.6 milionë lekë.

Në përfundim, Komisioni çmon se Hysa nuk ka deklaruar saktë dhe në përputhje me ligjin, ka mungesë të burimeve të ligjshme financiare për kryerjen e investimit në vitin 2008, si dhe se nuk ka deklaruar me vërtetësi këtë pasuri të krijuar.

Lidhur me deklarimin e gjendjes cash në shumën 1 milion e 50 mijë lekë, Komisioni konstaton pasaktësi në deklarimi dhe sjell në vëmendje se subjekti ka ndryshuar qëndrim në disa raste. “[…]Pasaktësitë e tij lidhur me deklarimet e likuiditeteve cash, sikundër e pranon edhe vetë subjekti, kanë krijuar një situatë të tillë, në të cilën Komisioni e ka të vështirë kontrollin e dinamikës së këtyre likuiditeteve ndër vite, duke bërë që në fund të vitit 2016 të rezultojë një vlerë më e lartë se ajo e deklaruar nga subjekti”, shprehet KPK dhe vlerëson se Hysa gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm.

Komisioni konkludon se prokurori Hysa ka bërë deklarim të pamjaftueshëm edhe për një apartament me sipërfaqe 95.26 m2 në Tiranë dhe se ka rezultuar me mungesë të burimeve financiare për krijimin e kësaj pasurie.

Sipas KPK, subjkti nuk e ka deklaruar porositjen e këtij apartamenti në vitin 2006, ndërsa pretendimet e tij në vitin 2010 për mosdhënien nga ana e firmës të një kontrate me shkrim, nuk janë gjetur të vërteta, pasi nga hetimi ka rezultoi se kontrata e porosisë e vitit 2006 është lidhur përpara noterit publik dhe është nënshkruar nga bashkëshortja e Hysës.

Po ashtu, KPK shprehet se Hysa nuk dha shpjegim e nuk paraqiti prova lidhur me dyshimet e Komisionit për dy hua të deklaruara prej tij. Në vendim thuhet se huatë nuk janë deklaruar në 2006-ën, porn ë 2010-ën kur është deklaruar edhe apartamenti. Po ashtu, nuk është provuar koha reale e dhënies së huave.

“[…]Konstatohen deklarime kontradiktore nga ana e subjektit lidhur me kohën e marrjes së këtyre huave në deklaratën Vetting, në pyetësorin standard, dhe dokumentin vërtetim nënshkrimi nr. ***, datë 30.12.2010, hartuar para dhomës së noterit publik A. P.”, vëren trupa e KPK dhe konkludon se Hysa nuk shpjegoi bindshëm burimin e krijimit të kësaj pasurie dhe ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për krijimin e saj. Për shkak të moskonsiderimit të huave në analizën financiare ka rezultuar bilanc negativ.

Komisioni ka ngritur dyshime se subjekti ka fshehur një automjet që në vitin 2016 e ka pasur në përdorim së bashku me djalin, pasuri që është blerë prej këtij të fundit në 2018-ën. Por, KPK konkludon se nuk plotësohet kushti për të arritur në përfundimin se bëhet fjalë për fshehje të kësaj pasurie, por mbetet vetëm në kuadër të dyshimit. Ndërkohë, nuk janë gjetur probleme për dy automjete të tjera.

Nga analiza financiare e përgjithshme e KPK ka rezultuar një bilanc negativ total në vlerën 12.7 milionë lekë për krijimin e pasurive dhe mbulimin e shpenzimeve në vite.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *