Gjyqtarja Anila Guri dhe avokati Julian Mërtiri duke dalë nga KPA | Foto: V. Karaj
Analiza KPA

Qëndrimet e ndryshme të KPA për pasurinë e Anila Gurit

Gjyqtarja Anila Guri e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë u rikthye në sistemin e drejtësisë pas shkarkimit të saj nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK, me anë të një vendimi me shumicë votash të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA. Shumica e trupës gjykuese të KPA e përbërë nga Mimoza Tasi si kryesuese, relatori Sokol Çomo dhe anëtarja Albana Shtylla, i përmbysën si të pabazuara konkluzionet e Komisionit për balancat negative në ndërtimin e një shtëpie dhe i reduktuan pamundësitë financiare në blerjen e dy automjeteve dhe mbulimin e shpenzimeve dhe investimeve të kryera gjatë periudhës 2006-2016, duke i çmuar jo penalizuese.

Konkluzionet e shumicës u arritën pasi çështja u kalua për shqyrtim në seancë gjyqësore publike me argumentimin se duhej të konstatohej drejt dhe në mënyrë të plotë gjendja faktike. Ky qëndrim është kundërshtuar nga anëtarja në pakicë, Natasha Mulaj, e cila shprehet kundër kalimit të çështjes në seancë publike. Ajo thekson se aktet shkresore në dosje ishin të mjaftueshme për të arritur në një vendimarje edhe në dhomë këshillimi.

Ndërkohë, Kolegji ka rrëzuar si të pabazuara në fakte dhe në ligj, pretendimet e Gurit në ankim lidhur me cënimin e procesit të rregullt ligjor.

Debati për banesën në Tiranë

Në fillim të analizës për banesën në Tiranë, Kolegji sjell në vëmendje konstatimet e Komisionit lidhur me gjendjen faktike. Sipas KPK, subjekti ka filluar të banojë në këtë banesë pasi është martuar me bashkëshortin në vitin 2000. Deklarimin e Gurit për zotërimin e pjesës takuese 50%, KPK e ka vlerësuar si të pasaktë. Në vijim, Komisioni ka konstatuar se nuk ka rezultuar e provuar që subjekti të ketë kontribuar në ndërtimin e kësaj pasurie para momentit të lidhjes së martesës.

Pavarësisht këtyre konstatimeve, KPK ka konkluduar se subjekti nuk arriti të provojë se bashkëshorti i saj ka pasur burime financiare të ligjshme për ndërtimin e banesës.

Shumica e Kolegjit çmon se periudha në të cilën bashkëshorti i Gurit ka investuar për ndërtimin e banesës, ka qenë përtej kohës kur personi i lidhur dhe subjekti i rivlerësimit ishin në kushtet e bashkësisë ligjore. Sipas shumicës, subjekti nuk mund të penalizohet për një investim të kryer para martesës.

Po ashtu, shumica vëren se nga hetimi administrativ nuk janë ngritur dyshime që për krijimin e kësaj pasurie të jenë përdorur nga bashkëshorti i subjektit të ardhura që lidhen me aktivite të kundërligjshme.

Anëtarja në pakicë Natasha Mulaj verëson ndryshe, duke e cilësuar vendimin e shumicës për konfirmimin e Gurit, të marrë në kundërshtim të hapur me Kushtetutën, Aneksin e saj, legjilsacionin për vetingun e magjistratëve, si dhe me faktet e provat e administruara.

Ajo konsideron si thelbësore shqyrtimin e pasaktësive të subjektit në deklarimet e interesave privatë e pasurorë periodikë, si dhe ato në deklaratën “veting” lidhur me çmimin e banesës, burimin e krijimit të pasurisë dhe pjesës takuese. Mulaj vëren se në vitin 2003, gjyqtarja Guri ka deklaruar banesën me dy kate + papafingo, me vlerë 7 milionë lekë, me pjesë takuese 50%. Si burime krijimi ka deklaruar të ardhurat nga shitja e një banese në Gjirokatër dhe të ardhurat familjare.

Në deklaratën “veting” ka shënuar se zotëron një banesë me tre kate dhe një kat bodrum, me sipërfaqe ndërtimi 460 m2, me vlerë 6.5 milionë lekë së bashku me mobilimin. Po ashtu ka deklaruar se zotëron gjysmën e kësaj pasurie dhe si burim ka shënuar të ardhurat e bashkëshortit të fituara nga aktiviteti i tij tregtar pas vitit 1990, puna pranë disa institucioneve dhe se në mobilim ka kontribuar edhe ajo.

“Në vlerësimin tim, si gjyqtare në pakicë, vetëm me konstatimin në deklarim në deklaratën e pasurisë vetting, të vlerës së banesës objekt shqyrtimi për 2.000.000 lekë më pak se vlera e deklaruar e saj në deklarimet e mëparshme 2003 e ILDKPI, shumica e trupit gjykues duhet ta kishte trajtuar këtë deklarim si tendencë të subjektit të rivlerësimit për të fshehur vlerën reale të pasurisë, me qëllim shmangien e pamjaftueshmërisë së burimeve të ligjshme financiare për krijimin e kësaj pasurie”, vlerëson Mulaj dhe cilëson si të rëndësishme për zgjidhjen e çështjes faktin se subjekti ka deklaruar gjithmonë bashkëpronësinë në këtë pasuri, me pjesë takuese 50%.

Në vijim Mulaj ngre dyshime për mospasqyrimin në deklaratën “veting” si burime të ardhurat e përfituara shitja e një banese në Gjirokastër dhe ato familjare, që janë pasqyruar në deklaratën e 2003-it. Sipas saj, deklarimi i këtyre të ardhurave do të implikonin subjektin e rivlerësimit në rast se do të rezultonte pamjaftueshmëri financiare. `

Në vijim, Mulaj evidenton se në deklaratën “veting”, bashkëshorti i subjektit ka shënuar si burime të ardhurat e fituara nga puna e subjektit pranë gjykatës nga muaji shkurt 1994 e në vazhdim. Ajo shton se edhe Guri ka deklaruar gjatë hetimit administrativ se nga fillimi i bashkëjetesës në vitin 2000, ka ndihmuar dhe ajo nga pikëpamja ekonomike për kryerjen e ndonjë punimi rifiniture në banesë, nga të ardhburat prej punës, si dhe nga dhuratat prej prindërve biologjikë dhe nënës adoptive. Guri ka mohuar të ketë pasur ndonjë kontribut për blerjen e truallit.

“Arsyetimi i përdorur nga shumica se subjekti i rivlerësimit nuk ka kontribuuar në ndërtimin e kësaj shtëpie, rezulton alogjik”, shprehet Mulaj dhe analizon datat në dokumentet që rezultojnë në dosje. Ajo vëren se blerja e truallit është realizuar në vitin 1998, ndërsa ndërtimi i shtëpisë, lindja e djalit dhe martesa janë kryer vitin 2000.

“Nuk mund të pretendohet se banesa trekatëshe është ndërtuar plotësisht në vitin 2000, dhe pa përfshirë kontributin e subjektit të rivlerësimit, që minimalisht ka nisur bashkëjetesën në vitin 1999, të paktën 9 muaj para lindjes së fëmijës, kur shtëpia ishte e papërfunduar”, argumenton Mulaj dhe çmon se Guri gjendet në kushtet e fshehjes së pasurisë pasi nuk është treguar e sinqertë duke tentuar të shtrembërojë faktet me qëllim anashkalimin e kontributit të saj në ndërtimin e kësaj pasurie.

Mulaj vëren se nuk është provuar që bashkëshorti i subjektit të ketë qenë i regjistruar dhe për këtë rrjedhojë nuk janë vërtetuar të ardhurat e deklaruara si të përfituara nga aktiviteti i tij tregtar, prej dhe nga është konkluduar pamundësia financiare.

Në vijim ajo thekson se nuk duhej të ishte anashkaluar prej shumicës blerja e truallit nga bashkëshorti i subjektit në nëntor të vitit 1998 për vlerën 1.5 milionë lekë dhe shitja e një të tretës së sipërfaqes katër ditë më vonë, me të njëjtin çmim. “Në vlerësimin tim, përbën një transaksion fiktiv e absurd, në kundërshtim të hapur me ligjin. Shumica e trupit gjykues nuk u ndal as ta diskutonte këtë fakt, edhe pse vetë subjekti i rivlerësimit shitjen e kësaj pasurie e ka deklaruar si të ardhur në deklaratën e pasurisë vetting”, konstaton Mulaj dhe çmon se subjekti gjendet në pamundësi për krijimin e kësaj pasurie.

Edhe gjyqtarja Rezarta Schuetz në pakicë mban qëndrim të përafërt me Mulajn për banesën dhe analizën financiare, por ajo e ndërton arsyetimin e saj mbi konstatimet e Komisionit.

Schuetz e vlerëson gjetjen e KPK për mosprovimin e kontributit të subjektit në investimet në banesën në Tiranë, të bazuar mbi alogjizëm.

Ajo vëren se vetë Guri ka veçuar momentet kohore në investimin e kryer për blerjen e truallit dhe për shtëpinë. “Vetë subjekti i rivlerësimit, znj. Anila Guri, në deklarimet e saj referon veçmas momentet kohore dhe investimin e kryer për blerjen e truallit për shtëpinë. Në të njëjtën linjë, ajo ka kryer edhe deklarimin për pjesën takuese të bashkëshortit për truallin [100%] përkundër shtëpisë – deklaruar 50% në pronësi të saj”, argumenton Schuetz dhe vlerëson se, në kushtet kur subjekti dhe bashkëshorti nuk duket se kanë zgjedhur regjimin martesor të pasurive të ndara, deklarimi në pjesë të barabarta tregon se e konsiderojnë pasurinë të krijuar gjatë martesës.

Ajo sjell në vëmendje edhe deklarimet e subjektit, kur në vitin 2003 ka shënuar se ndërtesa ishte me tre kate, kurse në atë “veting” me katër kate.

Sipas Schuetz, vetë Guri ka deklaruar si burim krijimi të ardhurat nga shitja e apartamentit në Gjirokastër në vitin 1996, që e konsideron si pasuri e familjes së saj të origjinës së subjektit, pasi ajo dhe bashkëshorti nuk kanë pasur apartament tjetër të privazituar në atë qytet.

Ashtu si Mulaj, edhe Schuetz vëren se subjekti nuk parashtroi as në Kolegj akte dhe fakte që e përjashtojnë nga kontributi në këtë banesë. Sipas saj, këto rrethana duhej të ishin parë në drejtim të përpjekjes së Gurit për të mos qenë transparente dhe e sinqertë.

Balancat negative

Balanca negative 2.1 milionë lekë e konstatuar nga Komisioni për periudhën 2006-2016, është reduktuar në Kolegj në vlerën rreth 1.2 milionë lekë, që shumica duke ju referuar parimit të objektivitetit dhe proporcionalitetit e ka konsideruar të pamjaftueshme për të sjellë penalizimin e subjektit.

Mulaj vlerëson se bilanci negativ do të rritej nëse do të konsidroheshin shpenzimet për lindjen e djalit të dytë në SHBA, për të cilat subjekti ka deklaruar se kanë qenë “0” lekë. “Shumica e trupit gjykues gabimisht i pranoi të mirëqena, edhe pse subjekti i rivlerësimit nuk paraqiti asnjë provë bindëse se këto shpenzime janë paguar nga të tretë”, konstaton Mulaj dhe e konsideron të padrejtë aplikimin e parimit të proporcionalitetit nga shumica.

Schuetz vëren se KPK nuk ka përfshirë në analizë dhe nuk ka dhënë qëndrim lidhur me shpenzimet e subjektit për mundësimin e lindjes së djalit në SHBA. Ajo evidenton se nga një hulumtim sipërfaqësor në burime të hapura, rezulton se shpenzimet mjekësore që shoqërojnë procedura të thjeshta lindjeje në SHBA, variojnë nga vlera 11 mijë USD në 15 mijë USD.

“Subjekti i rivlerësimit nuk rezulton të ketë ndërmarrë asnjë hap për të paraqitur dokumentacion për të provuar qëndrimin pa shpenzime, shpenzimet e mbuluara nga pritësi, apo mundësinë e këtij të fundit për të financuar qëndrimin dhe kujdesin mjekësor me burime të ligjshme, qoftë edhe për të provuar pamundësinë objektive”, konstaton Schuetz dhe vlerëson se Guri ka pamundësuar kryerjen e hetimit dhe kontrollit të kriterit të pasurisë – ndërsa sipas saj, të gjitha këto detaje janë anashkaluar nga Komisioni për këtë subjekt rivlerësimi.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *