Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Shtyhet seanca për kryetarin e Gjykatës së Shkodrës

Seanca dëgjimore për Arben Zefin, kryetar i Gjykatës së Shkodrës,u shty nga KPK pas kërkesës së gjyqtarit për administrimin e dokumenteve nga jashtë.

Seanca dëgjimore për kreun e Gjykatës së Shkodrës Arben Zefi. Foto Edmond Hoxhaj.

Seanca dëgjimore për Kryetarin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër Arben Zefi, u shty për në Janar me kërkes të gjykatësit. Në seancën e zhvilluar të enjten, kryesuesja e trupës gjykuese të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Firdes Shuli u shpreh se pas kërkesës së Zefit për shtyrje të seancës me qëllim mundësimin e depozitimit të dokumenteve e provave të reja në funksion të procesit të rivlerësimit trupa ishte mbledhur dhe kishte marr vendim për ta shtyrë seancën.

Ajo e pyeti sërish kryetarin e Gjykatës së Shkodrës, Arben Zefi nëse i qëndronte kërkesës së tij.  “Kam kërkuar shtytjen e seancës dëgjimore për të paraqitur dokumentet origjinale të katër shtetasve. Është motra ime…, ajo është shtetase amerikane e cila do të deklaronte për pagesat me kartën e kreditit në Trento, në favor të vëllait tim Altin Zefi, gjatë kohës që ai ishte me studime. Edhe ky është rezident dhe qytetar italian. Gjatë kohës që ai ishte me studime. Pra, për të vërtetuar rimbursimin e kartës. Vazhdoj ta kërkoj duke qenë se dokumentet që do të sjellin janë origjinale. Unë kam vetëm email-et dhe ja lë këtë gjë trupit gjykues”, u shpreh gjyqtari Zefi.

Kryesuesja e treshes gjykuese, Firdes Shuli ka shpallur vendimin e marrë për pranimin e kërkesës me detyrimin e paraqitjes së dokumentacionit dhe provave të pretenduara brenda orës 16:00 të datës 4 janar 2019. Seanca dëgjimore u shty për datën 8 janar 2019, në orën 15:30.

Arben Zefi e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994. Ai ka punuar prej më shumë se 15 vitesh si gjyqtar i Gjykatës së Rrethit Shkodër dhe prej vitit 2014 është emëruar kryetar i kësaj gjykate.

Në janar 2018, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj kërkoi procedim disiplinor për kryegjyqtarin e Shkodrës, me argumentin se ai nuk kishte dërguar në Tiranë një vendim penal të formës së prerë ndaj kancelarit të Gjykatës së Shkodrës. Zefi u përgjigj asokohe se dënimi i kancelarit i përkiste vitit 2012, ndërkohë që ai e kishte marrë detyrën e kryetarit të gjykatës në vitin 2014.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *