Skeda e pasurisë së deklaruar-Edmond Islamaj-anëtar i Gjykatës së Lartë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Skeda
Analiza e deklaratave të pasurisë së Edmond Islamaj-anëtari i parë i Gjykatës së Lartë që përballet me procesin e vetingut, nga viti 2003 deri në vitin 2015.

Edmond Islamaj ka një karrierë 25 vjeçare në sistemin gjyqësor shqiptar dhe është anëtari i parë i Gjykatës së Lartë që do të përballet me procesin e vetingut. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shpallur seancën dëgjimore me gjyqtarin Islamaj të martën dhe do të përfaqësohet në këtë proces nga Suela Zhegu, Pamela Qirko dhe Genta Tafa Bungo.

Edmond Islamaj është diplomuar si jurist në vitin 1992 dhe ka filluar punë në Gjykatën e Durrësit. Ai ka drejtuar Gjykatën e Sarandës në vitet 1993-1995 dhe atë të Kavajës në vitet 1998-2002. Islamaj ka mbajtur pozicionin e kryeinspektorit të Inspektoriatit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ka qenë anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe gjyqtar i Apelit të Tiranës, para se të emërohej anëtar i Gjykatës së Lartë në qershor të vitit 2011.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Edmond Islamaj nga viti 2003 deri në fund të vitit 2015. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurisë së deklaruar nga gjyqtari Edmond Islamaj për vitet 2003-2015.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administratimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriatin i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtari Edmond Islamaj zotëronte pasuri me vlerë 1.19 milionë lekëve në vitin 2003-kur deklaroi për herë të parë pasurinë. Në fund të vitit 2015, pasuria familjare e tij rezulton të jetë rritur me 9 herë në krahasim me vitin fillestar, duke kapur vlerën e 11.4 milionë lekëve.

Të ardhurat familjare të krijuara gjatë viteve 2003-2015 janë në vlerën e 26.5 milionë lekëve dhe përbëhen në 67 për qind nga paga dhe shpërblime nga funksioni, 25 për qind nga paga e bashkëjetueses si dhe 6.3 për qind nga të ardhurat nga qiratë.

Pasuria familjare e gjyqtarit Islamaj përbëhej në fund të vitit 2015 nga rreth 1.7 milionë lekë llogari bankare, 8.1 milionë lekë kursime në cash, një automjet si dhe rreth 1.1 milionë lekë pasuri të paluajtshme. Në këtë kategori është përfshirë edhe një apartament 71.5 metra katrorë i përfituar nga procesi i privatizimit në vitin 1993.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin artimetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik mbi 12 deklarata pasurie të gjyqtarit Islamaj, të cilat rezultuan pa probleme.

Ndërkohë, gjatë analizës u identifikuan si “flamuj të kuq” mungesa e deklarimit të burimit për pasurinë e bashkëjetueses së zotit Islamaj në vitin 2005; e cila përbëhej nga një apartament banimi, një ambient për dyqan dhe një garazh, të deklaruara në vlerën e 1 milionë lekëve. Një tjetër “flamur i kuq” i identifikuar gjatë analizës së deklaratave të pasurisë është mbajtja jashtë sistemit bankar të kursimeve në vlerë akumulative prej 8.1 milionë lekësh.

Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo mbulohet me burime të ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

 

Deklarata e pasurisë për vitin 2003

Deklarata e pasurisë për vitin 2004  

Deklarata e pasurisë për vitin 2005  

Deklarata e pasurisë për vitin 2006  

Deklarata e pasurisë për vitin 2007  

Deklarata e pasurisë për vitin 2008  

Deklarata e pasurisë për vitin 2009  

Deklarata e pasurisë për vitin 2010

Deklarata e pasurisë për vitin 2011

Deklarata e pasurisë për vitin 2012

Deklarata e pasurisë për vitin 2013

Deklarata e pasurisë për vitin 2014

Deklarata e pasurisë për vitin 2015  

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al