Skeda e pasurisë së deklaruar-Ilir Toska-gjyqtar i Apelit të Tiranës

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Skeda
Ilir Toska, gjyqtar i Apelit të Tiranës dhe kandidat për Këshillin e Lartë Gjyqësor do të përballet të mërkurën me KPK. Si ka ndryshuar pasuria e tij nga viti 2003 deri në fund të vitit 2016.

Ilir Toska, gjyqtar i Apelit të Tiranës prej 11 vitesh është edhe kandidat për Këshillin e Lartë Gjyqësor. Të mërkurën, ai do të përballet në seancë dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit si pjesë e listës prioritare të vetingut.

Toska ka një karrierë të gjatë në gjyqësor, ku ka punuar si gjyqtar i shkallës së parë si dhe kryeinspektor i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në prill të vitit 2007, ai është emëruar anëtar i Gjykatës së Apelit të Tiranës, ku edhe ushtron aktualisht detyrën. Në vitin 2012, Ilir Toska ka kryer gjithashtu detyrën e anëtarit të Kolegjit Zgjedhor.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Ilir Toska nga viti 2003 deri në fund të vitit 2016.

Skeda e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Ilir Toska për vitet 2003-2016.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administratimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriatin i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtari Ilir Toska zotëronte pasuri në vlerën e 1.6 milionë lekëve në vitin 2003. Në fund të vitit 2016, pasuria familjare e tij kap vlerën e 12.2 milionë lekëve, e rritur me shtatë herë krahasuar me vitin fillestar të deklarimit.

Pasuria e gjyqtarit Toska përbëhet nga një apartament me vlerë rreth 50 mijë euro, llogari bankare në vlerën e 4.1 milionë lekëvve, rreth 900 mijë lekë kursime në cash si dhe një automjet në vlerën e 1 milionë lekëve.

Ndërkohë, të ardhurat familjare për periudhën deklaruese kapin vlerën e 22.9 milionë lekëve, ku pjesën kryesore prej 74.2 për qind e zënë të ardhurat e tij nga funksioni.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin artimetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik mbi 13 deklarata pasurie të gjyqtarit Ilir Toska, të cilat rezultuan pa probleme.

Megjithatë, transaksionet financiare për blerjen e një apartamenti me vlerë 50 292 eurosh në vitin 2005 janë konsideruar si “flamur i kuq” në këtë analizë. Në deklaratën e pasurisë së këtij viti, gjyqtari Toska ka deklaruar se ka marrë një kredi shtetërore me vlerë 5 milionë lekë për blerjen e apartamentit, por i ka përdorur ato pjesërish për pagesën 40 mijë euro, e cila është plotësuar me kursimet e tij dhe një hua prej 12 mijë eurosh.

Në vitin 2006, zoti Toska ka përdorur pjesën tjetër të kredisë prej 3.5 milionë lekësh për të shlyer huanë 12 mijë euro, detyrimin e mbetur te shoqëria sipërmarrëse si dhe për mobilimin e apartamentit.

Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo mbulohet me burime të ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

 

Deklarata e pasurisë për vitin 2003

Deklarata e pasurisë për vitin 2004 

Deklarata e pasurisë për vitin 2005 

Deklarata e pasurisë për vitin 2006 

Deklarata e pasurisë për vitin 2007 

Deklarata e pasurisë për vitin 2008 

Deklarata e pasurisë për vitin 2009 

Deklarata e pasurisë për vitin 2010

Deklarata e pasurisë për vitin 2011

Deklarata e pasurisë për vitin 2012

Deklarata e pasurisë për vitin 2013

Deklarata e pasurisë për vitin 2014

Deklarata e pasurisë për vitin 2015 

Deklarata e pasurisë për vitin 2016

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al