Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Skeda

Skeda e pasurisë së deklaruar-Sokol Stojani-prokuror i Prokurorisë së Përgjithshme

Prokurori Sokol Stojani do të përballet të martën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e deklaruar prej tij nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.Sokol Stojani, prokuror prej më shumë se dy dekadash në Shqipëri do të përballet të martën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese që ka kryer procesin e vetingut për të drejtohet nga Brunilda Bekteshi dhe ka si anëtare Suela Zhegun dhe Valbona Sanxhaktarin.

Stojani e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994 dhe ka punuar për disa vite në Prokurorinë e Tiranës. Në vitin 2008, ai është emëruar prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme dhe përgjatë 10 viteve të fundit ka mbajtur disa poste drejtuese, përfshirë edhe atë të anëtarit të Këshillit të Prokurorisë.

Në fillim të vitit, Stojani u emërua drejtor i Inspektimit, Burimeve Njerëzore dhe Mbrojtjes së Dëshmitarëve nga kryeprokurorja Arta Marku, detyrë të cilën e mbajti vetëm 9 muaj. Më 19 shtator, media rrodhi një urdhër lirimi nga pozicioni drejtues, ndërkohë që Stojani i tha BIRN se kishte dhënë dorëheqjen, pasi ndante “pikëpamje tjetër për mënyrën e drejtimit dhe të rekrutimit të burimeve njerëzore”.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të prokurorit Sokol Stojani nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF].

Skeda e pasurisë së deklaruar e prokurorit Sokol Stojani për vitet 2003-2017.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se prokurori Sokol Stojani deklaroi pasuri familjare me vlerë 7 milionë lekë në vitin 2003. Sipas deklaratës së tij të parë të dorëzuar në ILDKPKI, Stojani zotëronte një apartament me vlerë 5 milionë lekë dhe një automjet “Renault Clio” i deklaruar prej tij në vlerën 2 milionë lekë. [Shënim: Është e paqartë nëse vlera e automjetit është shënuar me lekë të vjetra apo të reja, por në këtë analizë është llogaritur ashtu siç është deklaruar nga subjekti].

Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e zotit Stojani shënoi një rënie me 9 për qind, duke kapur vlerën e 6.3 milionë lekëve. Ai zotëron të njëjtin apartament të deklaruar në vitin 2003, likujditete me vlerë rreth 417 mijë lekë, kursime në cash 326 mijë lekë si dhe një automjet me vlerë rreth 625 mijë lekë.

Për periudhën 2003-2017, Stojani dhe familjarët e tij kanë deklaruar 32.6 milionë lekë të ardhura në total. Paga e tij dhe e bashkëshortes përbëjnë rreth 93 për qind të të ardhurave.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 14 vitet e deklarimit të prokurorit Stojani dhe të gjitha deklaratat rezultojnë pa probleme.

Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.

Deklarata e pasurisë së vitit 2003

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *