Prokurorja Armida Hamiti pas një seance dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPA Lajme Veting

Tërheqja e SPAK prej ankimit, KPA konfirmon në detyrë prokuroren Armida Hamiti

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli të martën më 22 korrik, vendimin për pushimin e shqyrtimit të ankimit të Komisionerit Publik ndaj vendimarrjes së Komisionit për konfirmimin në detyrë të prokurores së Tiranës, Armida Hamiti (Moçka). Pushimi u aplikua prej Kolegjit pas tërheqjes së drejtuesit të SPAK, nga kërkimi për shkarkimin e prokurores Hamiti, duke passjellë lënien në fuqi të konfirmimit të saj.

Prokurorja Armida Hamiti (Moçka), u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK më 21 dhjetor të vitit 2022, pasi u aplikua parimi i proporcionalitetit lidhur me gjetjet në kriterin e pasurisë. Por, ky vendim i Komisionit u ankimua atëherë nga institucioni Komisionerëve Publikw, që pretenduan se problemet e gjetura në kriterin e pasurisë duhej të sillnin shkarkimin e prokurores.

Në seancën e datës 4 korrik, drejtuesi i SPAK Altin Dumani paraqiti parashtrimet duke deklaruar se u qëndronte gjithë shkaqeve të ankimit dhe çmoi se në gjendjen që ishin aktet subjekti i rivlerësimit nuk arrinte të provonte të kundërtën e barrës së provës, si dhe se konkluzioni i arritur nga Komisioni nuk gjente referencë në dispozitat kushtetuese e ligjore, apo në një vlerësim të drejtë të provave dhe jurisprudencës së konsoliduar të Kolegjit. Ai i qëndroi nw parashtrime kërkimit për shkarkimin nga detyra të Hamitit.

Subjekti nga ana e saj kërkoi lënien në fuqi të vendimmarrjes së KPK për konfirmimin dhe së bashku me parashtrimet, paraqiti disa akte shkresore, për të cilat kërkoi marrjen e tyre nga Kolegji në cilësinë e provave të reja në proces. Po ashtu, gjatë gjykimit të çështjes, Hamiti dha përgjigje lidhur me disa pyetje të drejtuara nga drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme.

Gjatë konkluzioneve përfundimtare, drejtuesi i SPAK u përfaqësua nga prokurori Adnan Xholi, i cili deklaroi se, për shkak se kur janë krijuar pasuritë e deklaruara, subjekti nuk ka qenë në detyrën e prokurorit apo në ndonjë funksion tjetër publik, vlerësohet se nuk ka pasur mundësi të ndikojë nëpërmjet abuzimit me detyrën e saj në krijimin e tyre. Në përfundim, ai u shpreh se vlerësohet që problemet e konstatuara nuk janë të tilla që të justifikojnë shkarkimin dhe kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit për konfirmimin e Hamitit.

Vëzhguesja ndërkombëtare, Elka Ermenkova e pyeti Xholin nëse ky qëndrim ishte një tërheqje nga ankimi, por ai nënvizoi se drejtuesi i SPAK e konsideron të rëndësishëm kontrollin gjyqësor të vendimit të Komisionit nga Kolegji. Sipas tij, nuk ishte hequr dorë nga ankimi, por kërkohej që në përfundim të gjykimit të lihej në fuqi vendimarrja e KPK, si e drejtë dhe e bazuar në prova.

Trupi gjykues i KPA vërejti në shpalljen e vendimit të përmbledhur tw martwn se, në kushtet kur drejtuesi i SPAK në cilësinë e disponuesit të vetëm të ankimit, deklaron para Kolegjit se nuk e kundështon më vendimin e Komisionit, nënkupton se për të nuk ekzistojnë më arsye faktike dhe ligjore për ndryshimin e vendimit të ankimuar. Për rrjedhojë, ankimi mbetet pa objekt dhe njëkohësisht konfirmon se ndryshimi i vendimit të KPK nuk përbën më një kërkim që i shërben interesit publik.

Lënia e ankimit pa objekt dhe humbja e interesit të ligjshëm në ushtrimin e këtij mjeti procedural, pavarësisht deklarimit të Xholit për mos heqje dorë nga ankimi, vlerësohet nga KPA se përbën në thelb një sjellje procedurale që barazohet për nga efektet me atë të heqjes dorë nga ankimi.

Në këto rrethana, Kolegji vlerëson se nuk kishte më lëndë procedurale për të vijuar kontrollin gjyqësor të vendimit të KPK për Hamitin. Në përfundim, KPA arrin në konkluzionin se pasoja e vetme ligjore për situatën faktike procedurale të krijuar, është pushimi i shqyrtimit të kësaj çështjeje. Për rrjedhojë, trupi gjykues i Kolegjit, i kryesuar nga Rezarta Schuetz, me relator Sokol Çomo dhe anëtare Albana Shtylla, Ina Rama dhe Mimoza Tasi, vendosi pushimin e gjykimit të çështjes, nga për rrjedhojë mbetet në fuqi vendimmarrja e Komisionit për konfirmimin në detyrë të prokurores Armida Hamiti (Moçka).

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *