Vendimi i Apelit Administrativ komplikon çështjen në KPA ndaj Evelina Qirjakos

Lajme
Kolegji vendosi të mbyllë gjykimin për ish-gjyqtaren e Gjykatës së Lartë Evelina Qirjako, pasi mori si provë një vendim të Gjykatës së Apelit Administrativ që rrëzon vendimin e KLGJ se ish-gjyqtarja kishte dhënë dorëheqjen. Qirjako kërkon nga KPA të prishë pjesërisht vendimin e KPK-së ndaj saj dhe të heqë ndalimin 15-vjeçar për tu kthyer në sistemin  e drejtësisë të aplikuar aty. 

Nga seanca dëgjimore me ish-anëtaren e Gjykatës së Lartë, Evelina Qirjako. Foto: KPA

Një vendim i Gjykatës së Apelit Administrativ që rrëzoi pjesërisht një vendim të KLGJ që interpretonte mospranimin e një vendi pune në Gjykatën e Apelit si dorëheqje, ka komplikuar vendimmarrje e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, ndaj ish-gjyqtares së Gjykatës së Lartë Evelina Qirjako.

Kolegji ka mbajtur deri tani një standard duke konfirmuar largimet nga sistemi pas futjes në fuqi të ligjit për vetingun në vitin 2016 si dorëheqje që kishin si pasojë edhe përjashtimin nga sistemi për 15 vjet. Por KPA duhet të shqyrtojë çështjen mbi vendimin e Gjykatës së Apelit Administrativ që cilëson se Qirjako nuk ka dhënë dorëheqjen, por është larguar për shkak të mbarimit të mandatit.

Çështja e Qirjakos lidhet me vendimin e KPA për ish-gjyqtaren tjetër të Gjykatë së Lartë Arjana Fullani. Në atë rast KPA me shumicë vendosi të mos priste vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit, që i përkiste një padie të përbashkët mes Qirkos dhe Fullanit, dhe la në fuqi vendimin për ndalimin 15 vjeçar të përfshirjes në sistemin e drejtësisë të Fullanit.

Ndërkohë më herët në shqyrtimin e çështjes së Qirkos, trupa e kryesuar nga Sokol Çomo, me relatorë Rezarta Schuetz dhe anëtarë Albana Shtylla, Ardian Hajdari dhe Natasha Mulaj, vendosi në shumicë të presë vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit për padinë e Qirkos.

Seanca e të mërkurës filloi me leximin e vendimit, që kishte rrëzuar vendimin e KLGJ-së ku arsyetohej se Qirko kishte dhënë dorëheqjen. Vendimi i Apelit Administrativ thotë se Qirkos i kishte mbaruar mandati dhe po ashtu edhe statusi i magjistratit ishte mbyllur në mënyrë natyrale. Qirko kërkoi më pas që gjykimi të rifillonte duke e konsideruar vendimin të formës së prerë edhe pse ndaj tij mund të ketë rekurs në Gjykatën e Lartë.

Me shumica KPA pranoi rifillimin e çështjes dhe shqyrtimin gjyqësorë të saj dhe ftoi Qirkon të lexonte qëndrimet e saj.

Në fjalën e saj Qirko akuzoi KPK se kishte shkelur procedurat e një gjykimi të drejtë dhe të paanshëm, ndërsa tha se ajo kishte mësuar për vendimin vetëm pasi ai ishte marrë dhe nuk ishte njoftuar të jepte qëndrimin e saj. “Nuk e dija që po zhvillohej proces rivlerësimi në adresën time”, tha Qirko, ndërsa tha se procesi nuk kishte qenë i rregullt.

Ajo po ashtu pretendoi se vendimi i Gjykatës së Apelit Administrativ rrëzonte arsyet dhe provat mbi të cilat ishte marrë vendimi e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, të cilin e akuzoi për “Gabime kaq trashanike që nuk mund të lejohen”.

Qirjako pretendoi se shpallja e faktin që ajo nuk kishte dhënë dorëheqjen dhe vendosja e largimit të saj nga drejtësia në korrik 2017 dhe jo rreth dy vjet më vonë kur ishte përcaktuar nga KLGJ, e bënte vendimin e KPK-së të mos ishte i bazuar as në fakte as në kohë.

Qirjako arsyetoi se statusi siç vendoste Gjykata e Apelit Administrativ kishte “mbaruar natyralisht” dhe i kërkoi KPA ta konsideronte këtë vendim dhe të hiqte ndalimin ndaj saj për përfshirje në sistemin e drejtësisë për 15 vjet. “Nuk ka më akt mbi të cilin u mbështet KPK për marrjen e vendimit të saj”, tha ajo, duke shtuar se vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit e bënte nul vendimin e KLGJ që shprehej për dorëheqjen dhe po ashtu atë të KPK që mbështetej mbi të.

Ajo pretendoi se KPK kishte dalë jashtë tagrave dhe kishte marrë përsipër të interpretonte si dhe kur mbaronte statusi i magjistratit, që sipas saj nuk ishte detyrë e Komisionit.

Gjyqtarja Rezarta Schuetz pyeti Qirjakon mbi një njoftim të Gjykatës së Lartë në të cilin thuhej se gjyqtarët do të qëndronin në detyrë deri në emërimin e një zëvendësuesi, siç parashikohej në ndryshimet ligjore të vitit 2016. Qirjako tha se njoftimi nuk mund të konsiderohej provë dhe se mund të kishte qenë lapsus i zyrës së shtypit.

Në fund ajo kërkoi që të hiqej ndalimi për tu përfshirë në sistemin e drejtësisë për 15 vjet. KPA njoftoi se vendimi do të shpallej më 12 shkurt.