Saimir Nazifi në KPK | Foto: Edmond Hoxhaj
Analiza KPK

Vendimi i KPK: Arsyet e shkarkimit të ndihmësin ligjor, Saimir Nazifi

Ndihmësi ligjor i Gjykatës së Lartë, Saimir Nazifi u shkarkua nga detyra prej Komisionit më 25 qershor për probleme në kriterin e pasurisë. Ndërkohë, ai u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe për kriterin e profesionalizmit.

Sipas vendimit të arsyetuar të KPK-së, Nazifi dhe vjehrra e tij kishin çelur një depozitë në shumën 23 mijë USD në vitin 2022, e cila ishte mbyllur në vitin 2004. Ai ka theksuar se kjo shumë ka qenë e vjehrrës dhe se emri tij në llogari është vendosur vetëm për ta tërhequr në rast nevoje, pasi ajo banonte akoma në qytetin e Peshkopisë në atë kohë.

Në lidhje me këtë depozitë, KPK konstaton se nuk është deklaruar në vitin 2003, ndërsa në deklaratën “veting” nuk është shpjeguar burimi financiar që ka shërbyer për krijimin e saj. Subjekti ka shpjeguar fillimisht se veprimet e vetme që ai ka kryer për këtë llogari janë hedhja e 23 mijë USD në 2002, tërheqja e tyre në 2004-ën për pagesën e këstit të një shtëpie që do të blihej, por sipas KPK nuk është bërë e qartë se kush është personi që do të blinte dhe cilën pasuri do të blinte.

Për rrjedhojë, Komisioni ka kryer verifikime për gjithë transaksionet që mund të lidheshin me depozitën. KPK vëren se nga hetimi Komisionit ka rezultuar se subjekti e ka lidhur tërheqjen e shumës 23 mijë USD në nëntor të 2004-ës nga llogaria dyemërore, me pagesën në cash të këstit prej 15 mijë euro 4 ditë më vonë për blerjen e një pasurie në Durrës nga vjehrri.

Por, sipas Komisionit, në përfundim të hetimit administrativ ky fakt mbetet në nivel deklarativ e i pavërtetuar, pasi nuk u administrua ndonjë akt që të vërtetojë dorëzimin e shumës nga subjekti te vjehrri i tij apo ndonjë pagesë në rrugë bankare të çmimit të blerjes së pasurisë nga vjehrri në Durrës.

Nga ana tjetër, vlerësohet se mbetet e paqartë përse e gjithë shuma nuk është përdorur për blerjen e apartamentit në Durrës nga vjehrri, pasi pas pagimit të këstit 15 mijë euro kanë tepruar edhe rreth 2160 euro.

Në vijim, KPK konstaton se është vërtetuar se Nazifi ka filluar të banojë që në vitin 2004 në një apartament tjetër të blerë nga vjehrri i tij në Tiranë në vitin 2006, pasuri për të cilën nuk ka të dhëna si është bërë pagesa e çmimit të blerjes.

Në këto kushte, për Komisionin nuk përjashtohej mundësia e përdorimit të shumës 23 mijë USD të tërhequr prej subjektit nga llogaria dyemërore me vjehrrën, për të paguar pikërisht blerjen e apartamentit në Tiranë.

Në përfundim të procesit Komisioni shprehet se nuk mund të konkludojë për blerjen e një apartamenti tjetër nga ana e vjehrrit të subjektit në Durrës, ashtu sikurse nuk mund të arrihet në konkluzionin që shuma 23 mijë USD është përdorur për pagesën në cash të këstit prej 15 mijë euro në datën 30 nëntor 2004 nga vjehrri për blerjen e pasurisë në qytetin bregdetar.

Ky konstatim arrithet për shkak se në mandatpagesat që i janë bashkëlidhur kontratës së shitjes së kësaj pasurie, nuk përcaktohet emri i shoqërisë ndërtuese dhe as adresa ku ndodhet apartamenti, si dhe nuk ka një provë që të vërtetojë që shuma e tërhequr nga subjekti i është dhënë vjehrrit.

Ndërkohë, nga analiza e mundësisë së prindërve të bashkëshotes për të krijuar depozitën ka rezultuar bilanc negativ. Po ashtu, edhe Nazifi ka rezultuar në pamundësi financiare për krijimin e saj.

KPK ka ngritur dyshime se subjekti është përpjekur të fshehë depozitën dyemërore me vjehrrën, të çelur prej tij kur ka qenë me detyrën e gjyqtarit, duke mos e deklaruar atë në deklaratat e viteve 2003 dhe 2004. Nga hetimi ka rezultuar se të gjitha veprimet në këtë llogari janë kryer prej tij, ndërkohë që në deklaratën “veting” kur depozita nuk ka qenë ekzistente e ka deklaruar, por pa pasqyruar burimin e krijimit të saj.

Komisioni vlerëson se subjekti nuk arriti të provojë të kundërtën e konstatimeve të dërguara nga Komisioni në lidhje me depozitën dyemërore.

Megjithatë, në përfundim të procesit Komisioni shprehet se ka mbajtur qëndrim garantist ndaj subjektit duke vlerësuar që të konsiderojë ½ e depozitës si pasuri të subjektit dhe ½ si pasuri të prindërve të bashkëshortëve. Sërish, nga analiza financiare e rishikuar ka rezultuar se të dyja palët nuk kanë justifikuar me të ardhura të ligjshme pjesët përkatëse.

“Mospërmbushja e detyrimit ligjor për deklarimin e depozitës në DPFD-në e vitit 2003 si bashkëmbajtës i llogarisë dyemërore, e cila passjell edhe detyrimin ligjor për të vërtetuar burimet e ligjshme, detyrim të cilin subjekti nuk arriti ta përmbushë, si dhe mosdeklarimi i pakësimit të saj për shkak të mbylljes në DPV-në e vitit 2004, shoqëruar me deklarimet kontradiktore, në disa raste të pavërteta e jo në përputhje me provat e administruara, në përpjekje për të justifikuar këto mosdeklarime, çmohen si përpjekje të subjektit për ta fshehur depozitën në DPFD-në e vitit 2003 dhe DPV-në e vitit 2004 dhe e vënë atë në kushtet e pikës 5 të nenit D të Aneksit të Kushtetutës, për shkak të deklarimeve të pasakta e të pamjaftueshme, në kuptim të nenit 61/3 të ligjit nr. 84/2016”, arsyeton KPK në vlerësimin përfundimtar.

Pasqyrimin e kësaj depozite në deklaratën “veting”, në kushtet kur nuk janë paraqitur dokumente për të vërtetuar burimet, çmohet se është bërë vetëm për efekt të procesit të rivlerësimit dhe se nuk e përjashton subjektin nga përgjegjësia ligjore.

Nazifi ka deklaruar bashkëpërdorimin e një apartamenti në Tiranë, të blerë nga prindërit e bashkëshortes në vitin 2006, të cilët i’a kanë dhuruar të bijës në 2014-ën.

Gjatë hetimit paraprak, KPK ka ngritur dyshime se ky apartament ka qenë në pronësi të subjektit dhe vetëm formalisht kontrata e shitjes është lidhur në emër të vjehrrit në 2006-ën. Kjo, pasi blerja e pasurisë nga vjehrri është bërë në vitin 2006, periudhë në të cilën ai ka pasur një apartament tjetër në Tiranë të blerë që në ’99-ën, ku ka banuar me bashkëshorten që kur janë transferuar nga Peshkopia dhe në vijim.

Ndërkohë, ashtu si ka deklaruar dhe vetë Nazifi, ai ka filluar të përdorë apartamentin që në vitin 2004 kur ka përfunduar ndërtimi i pallatit. Po ashtu, në 2004-ën është lidhur kontrata e energjisë elektrike dhe furnizimit me ujë në emër të subjktit. Sipas KPK, në mënyrë të palegjitimuar dhe të paqartë Nazifi ka përdorur apartamentin që nga viti 2004 kur kanë përfunduar punimet, 2 vjet para se të jetë lidhur kontrata e shitjes së pasurisë në emër të vjehrrit, i cili nuk e ka përdorur asnjëherë këtë banesë.

Sipas KPK, Nazifi nuk ka deklaruar të drejtën reale të përdorimit mbi këtë banesë, ndonëse e ka shënuar si adresë banimi, si dhe nuk ka qartësuar dhe vërtetuar mënyrën dhe periudhën kur është bërë likuidimi i çmimit të blerjes së këtij apartamenti nga vjehrri i tij dhe as se si e ka përdorur vetë që 2004-ën.

Tërheqja nga subjekti e vlerës 23 mijë USD në nëntor të vitit 2004 nga llogaria dyemërore me vjehrrën, shumë për të cilën janë ngritur dyshime se mund të ketë qenë e tij, ka rezultuar se përkon me periudhën që Nazifi ka filluar të përdorë apartamentin në vitin 2004. Bazuar në këto rrethana janë ngritur dyshime që pagesa e këtij apartamenti mund të jetë kryer që në vitin 2004 nga subjekti, me vlerat monetare të depozitës bankare dyemërore me vjehrrën.

Komisioni konstaton se prindërit e bashkëshortes së Nazifit nuk kanë pasur të ardhura të ligjshme për të blerë apartamentin me çmimin 21 mijë e 632 euro, që ka qenë sa ½ e çmimit referencë të EKB-së, prej nga janë ngritur edhe dyshime se çmimi i vendosur në kontratën e shitjes mund të jetë fiktiv.

Megjithëse KPK shprehet se subjekti nuk ka qenë bindës në shpjegimet e tij, në vlerësimin tërësor dhe përfundimtar të çështjes çmon se, duke mbetur në kuadër të dyshimeve të arsyeshme, nuk mund të konkludojë për fshehje pasurie nga ana e Nazifit. Por trupa e KPK thotë se ka krijuar bindjen se subjekti i cili është sjellë si pronar i apartamentit dy vite më parë se vjehrri i tij ta blinte, ka kryer deklarime të pasakta e të pamjaftueshme të kësaj pasurie.

Në analizën financiare të rishikuar, shuma e blerjes së pasurisë prej 21 mijë e 632 euro nuk është konsideruar si vlerë e paguar nga subjekti i rivlerësimit, duke mos ia atribuuar atij mungesën e burimeve të ligjshme të prindërve të bashkëshortes për të blerë pasurinë.

Komisioni i ka kaluar subjektit barrë prove për mospërputhje të deklarimit të burimit të krijimit për një automjet të llojit “Opel Astra” të blerë në vitin 2011 për 5500 euro, pasi në deklaratën periodike ka shënuar të ardhurat nga paga e tij dhe e bashkëshortes, ndërsa në atë “veting”, të ardhurat nga shitja e një apartamenti në Peshkopi. Po ashtu, është konstatuar pamundësi për blerjen e automjetit, si dhe për blerjen e apartamentit në Peshkopi. Subjekti është gjetur në pamundësi dhe për blerjen e një mjeti tjetër në vitin 2009.

Bilanci negativ total në vlerën 7.2 milionë lekë i konstatuar gjatë analizaës financiare të përgjithshme paraprake, është reduktuar në 2 milionë lekë, pas rishikimit të kryer bazuar në shpjegimet dhe provat e subjektit.

Në përfundim, Komisioni çmon se Nazifi ka kryer deklarime të pasakta e të pamjaftueshme, që sjell si pasojë marrjen e masës disiplinore të shkarkimit nga detyra.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *