Kudusi Shahu në seanë Dëgjimore Foto nga BIRN/ Edmond Hoxhaj
KPK Veting

Prokurori Kudusi Shahu përballet me balanca negative në vlera të mëdha

Prokurori i Prokurorisë së Tiranës, Kudusi Shahu u përball të mërkurën më 2 nëntor 2022 me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë seancës dëgjimore u evidentuan mospërputhje e pasaktësi në deklarimin e pasurisë, si dhe balanca negative në vlera të mëdha për krijimin e tyre. Shahu paraqiti në seancë karrierën e tij profesionale dhe dha shpjegime të përmbledhura për një pjesë të gjetjeve, ndërsa kërkoi riçeljen e hetimit në dy kriteret e tjerë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Procesi i rivlerësimit për prokurorin Shahu po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Suela Zhegu, me relatore Etleda Çiftjan dhe anëtare Xhensila Pinen. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Gerrit Sprenger.

Nga sa shpjegoi vetë prokurori Shahu në seancën dëgjimore, ai e kishte filluar karrierën në vitin 1991 në ish-hetuesinë e Kukësit e në vijim në ish-Hetuesinë e Përgjithshme duke vijuar më pas si prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme. Sipas Shahut, në vitin 1999 ai është emëruar në Prokurorinë e Tiranës, se ka punuar për një periudhë në ish-Prokurorinë për Krime të Rënda dhe se aktualisht e ushtron funksionin në Prokurorinë e Përgjithshme.

Sipas relatimit të Çiftes, prokurori Shahu kishte deklaruar kryerjen e disa investimeve në pasuri gjatë periudhës 1997-2004. Ai ka deklaruar blerjen një ngastre tokë-arë me sipërfaqe rreth 600 m2 në vitin 2022, kundrejt vlerës 600 mijë lekë. Shahu ka deklaruar edhe blerjen e një trualli me sipërfaqe 298 m2 në vitin 2001 për shumën 1.2 milionë lekë. Si burim krijimi të këtyre pasurie ka deklaruat të ardhurat nga pagat e tij e të bashkëshortes.

Çiftja sqaroi se subjekti ka deklaruar një shtëpi banimi me dy kate + papafingo + bodrum. Sipas Shahut, ndërtimi ka filluar në vitin 1997. Ndërkohë, trualli ku është ndërtuar banesa rezulton të jetë blerë në 2001-in.

Nisur nga fakti se subjekti ka deklaruar shpenzime edhe për blerjen e një apartamenti në rrugën “Don Bosko” në Tiranë, nga analiza paraprake e Komisionit ka rezultuar balancë negative në shumën 803 mijë lekë për blerjen e truallit dhe kryerjen e shpenzimeve gjatë periudhës 1997-2001.

Si burime krijimi për banesën me dy kate + papafingo + bodrum, me vlerë të deklaruar rreth 4 milionë lekë, subjekti ka shënuar kursimet nga pagat dhe shitjen për çmimin 2 milionë lekë të apartamentit në rugën “Don Bosko” në Tiranë, të përfituar nga Enti Kombëtar i Banesave. Po ashtu, Shahu ka deklaruar se në ndërtimin e kësaj banese ka kontribuar edhe vëllai, me të ardhurat e krijuara prej tij nga puna në emigracion në Greqi dhe në Mbretërinë e Bashkuar.

Çiftja sqaroi se subjekti ka deklaruar se vëllai ka kontribuar edhe për blerjen e një apartamenti në Golem, ku të gjitha investimet e tij shkojnë në shumën 27 mijë euro.

Komisioni vëren mospërputhje në deklarimet e Shahut lidhur me periudhën e ndërtimit të banesës, pasi gjatë viteve ka shënuar se e ka ndërtuar në vitin 1997, në pyetësorin nr.1 ka deklaruar se punimet kanë filluar në vitin 2001 dhe në vijim ka pretenduar sërish se ka kryer investime që prej vitit 1997.

Relatorja Çiftja vërejti se nga verifikimet e pamjeve imazherike për periudhën 1999-2001 nuk dallohet ndërtim në proces, në vitin 2002 vërehet një imazh i lehtë, ndërsa në 2003-in duket çatia e objektit.

Bazur në këto gjetje, Komisioni ka konsideruar si periudhë të ndërtimit dhe investimit të shtëpisë vitet 2003 dhe 2004. Nisur nga fakti se subjekti nuk ka provuar me dokumentacion kostot e ndërtimit sipas deklarimit të tij në shumën 4 milionë lekë, përllogaritja e shpenzimeve për investimet e kryera në banesë është realizuar bazuar në referencat e Entit Kombëtar të Banesës për ato vite, nga ka rezultuar një vlerë totale në shumën 10 milionë lekë.

Lidhur me arredimin, subjekti ka deklaruar se ka kryer shpenzime vit pas viti, por nuk ka deklaruar vlerë konkrete për asnjë prej katër banesave.

Komisioni ka konsideruar në analizë vlerën 2 milionë lekë nga shitja e apartamentit të mëparshëm. Ndërsa nuk është justifikuar me dokumentacion ligjor shuma 1 milion lekë e deklaruar se i është dhënë nga vëllai, pasi subjekti nuk ka dorëzuar dokumentacion ligjor për të vërtetuar të ardhurat e vëllait në emigracion.

Nga analiza financiare e kryer për investimet në banesën private dhe shpenzimet e tjera për periudhën 1993-2003 ka rezultuar balancë negative në vlerën rreth 8 milionë lekë. Po ashtu, është konstatuar pamundësi në shumën 600 mijë lekë në 2004-ën.

Subjekti ka blerë edhe një apartament tjetër në Golem në vitin 2009 për çmimin 57 mijë euro, pasuri për të cilën shprehet se ka kontribut financiar edhe i vëllai, por pa specifikuar vlerën konkrete të shpenzuar prej tij. Si burime krijimi të tjera të kësaj pasurie ka deklaruar kursimet dhe një hua pa interes në shumën 30 mijë euro, të marrë nga një i afërm.

Çiftja vërejti se, bazuar edhe në deklarimet e Shahut, duket se marrdhënia e tij dhe e vëllait në këto dy investime është dhurim me kusht – në këtë rast për shfrytëzimin e banesave edhe nga kontribuesi tjetër.

Ndërkohë, Komisioni konstaton se subjekti nuk ka paraqitur dokumentacion për të justifikuar shumën 27 mijë euro, të deklaruar si kontribut të vëllait.

Në seancë u relatua se Shahu nuk ka depozituar dokumentacion as për të vërtetuar mundësinë e huashënësit për krijimin e vlerës 30 mijë euro.

Nga analiza financiare për periudhën 2009-2011 ka rezultuar balanzë negative në shumën 10.8 milionë lekë.

Shahu ka deklaruar blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 60 m2 në Tiranë në vitin 2006, kundrejt shumës 50 mijë euro. Si burim krijimi ka deklaruar të ardhurat nga pagat, pakësimet e kursimeve në shumën 800 mijë lekë dhe një hua në vlerën 5 milionë lekë marrë nga një i njohuri tij, pa kontratë dhe pa deklaratë.

Huadhënësi ka rezultuar me mundësi financiare për krijimin e shumës 5 milionë lekë, ndërkohë që ka rezultuar bilanc negativ në shumën 800 mijë lekë për investimet nga të ardhurat prej pagave dhe kursimeve.

Nga hetimi administrativ ka rezultuar pamundësi në shumën 809 mijë lekë edhe për blerjen e një garazhi për çmimin 10 mijë euro në vitin 2015 me burim kursimet dhe një dhurim në shumën 2500 euro nga prindërit e bashkëshortes. Sipas Çiftjas, rezulton se subjekti nuk ka dorëzuar dokumentacion për të ardhurat e prindërve të bashkëshortes me qëllim justifikimin e vlerës së dhuruar, ndërkohë që nuk kanë pasur mundësi për kursimet e deklaruara si burimin tjetër të garazhit.

Po ashtu, Shahu ka rezultuar në pamundësi financiare në shumën 300 mijë lekë dhe për blerjen e një automjeti për çmimin 600 mijë lekë.

KPK i ka gjetur deklarative pretendimet e subjektit se bashkëshortja ka përfituar rreth 3 milionë lekë nga mësimdhënia në ambjentet e banesës, aktivitet që nuk ka qenë i regjistruar. Ndërkohë, nga të ardhurat e deklaruara si të përfituara nga qiradhënia e një apartamenti në Tiranë, janë konsideruar në analizën financiare vetëm ato për të cilat janë paguar detyrimet tatimore.

Prokurori Shahu nuk ka shënuar kursime cash në deklaratën veting, por nga verifikimi deklarimeve periodike është përllogaritur se ai duhej të kishte 2.1 milionë lekë kursime jashtë sistemit bankar në fund të vitit 2016.

Ndërkohë, Komisioni nuk ka gjetur probleme për një sipërfaqe tokë-arë në Domje, në bashkëpronësi me familjarë të tjerë dhe për dy depozita, një në shumën 1.2 milion lekë dhe tjetra reth 1 milion lekë.

Veç pamundësive financiare të konstatuara për krijimin e pasurive të verifikuara, KPK ka gjetur balanca negative për mbulimin e shpenzimeve dhe investimeve edhe në disa vite të tjera, në vlerë më shumë se 2 milionë lekë.

Prokurori Kudusi Shahu e falënderoi Komisionin për punën e kryer në rivlerësimin e tij dhe për gjetjet e konstatuara. Ai parashtroi kërkesë paraprake për çeljen e hetimit në kriterin e pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.

Subjekti detajoi të gjithë karrierën profesionale, ndërkohë që nuk u ndal në gjithë konstatimet e Komisionit për të cilat u evidentuan probleme.

Shahu paraqiti rrethanat e blerjes së tokës dhe ndërtimit të banesës private, duke shpjeguar se gjatë trazirave të vitit 1997 kishte marrë edhe prindërit në Tiranë dhe kishte vendosur të ndërtonte shtëpinë. Ai u shpreh se ndërtimet janë bërë pjesë-pjesë. Ndërsa theksoi se kishte rënë në gjurmët kontratës së energjisë elektrike që sipas tij, vërtetonte se pagesat ishin kryer në emrin e tij. “Dua të them se banesa ka filluar të ndërtohet në vitin 1997”, deklaroi Shahu dhe shtoi se të gjithë familjarët kishin kontribuar për ndërtimin e shtëpisë.

Relatorja Çiftja e pyeti subjektin se kur kishin filluar realisht punimet, pasi prej deklarimeve të tij dhe të dhënave të konstatuara gjatë hetimit administrativ stituata mbeej e paqartë. Shahu tha se në vitin 1997 kishte filluar përgatitja e sheshit të ndërtimit. Ai i cilëosi pamjet satelitore të pasakta.

Subjekti pohoi se të ardhurat e përfituara prej bashkëshortes nga mësimdhënia i kishte deklaruar gjatë gjithë kohës. Ai tha se nuk e kishin të qartë se si paguheshin taksat për këtë aktivitet dhe se ishin qartësuar vetëm pas daljes së legjislacionit të vetingut në 2016-ën.

Shahu vërejti se një prej huadhënësve ishte i afërm i familjes, i cili kishte emigruar në Francë para vitit ’90. Sipas tij, marrdhëniet e ngushta mes tyre verifikoheshin edhe nëpërmjet faktit se kishte udhëtuar shpesh në Francë, ku kishte qëndruar në banesën e kushëririt, dhe anasjelltas, ku i fundit qëndronte në shtëpinë e subjektit në Shqipëri. Shahu pohoi se i afërmi kishte gjashtë djem dhe dy vajza, të cilët zotëronin në Francë shtëpitë dhe kompanitë e tyre.

Subjekti deklaroi se kishte pasur mundësi financiare për blerjen e garazhit, ndërkohë që tha se ndihej i befasuar për gjetjen lidhur me automjetin duke theksuar se regjistrimi mjetit në emrin e tij ishte kryer nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve. Sipas Shahut, fillimisht kishte rezultuar se zotëronte autobus dhe në vijim kishte dalë se ishte furgon. “Si ka mundësi që paskam qenë pronar autobusi dhe pastaj furgoni?”, pohoi Shahu dhe vërejti se për shkak të funksionit nuk i ishte dashur të blinte makinë.

Ai u shpreh se dosja e regjistrimit të automjetit në emër të tij ishte e falsifikuar. Shahu solli në vëmendje se në dosje gjendej edhe një vërtetim i Prokurorisë së Përgjithshme i vitit 1996 që ai përdorte për të aplikuar në viza në ambasada.

Subjekti shpjegoi se kishte kryer kallëzim penal, por se me të drejtë ishte vendosur mosfillim hetimesh për shkak të parashkrimit të veprës penale. “Për shkak se jam i pafajshëm. Më falni për shprehjen, por është si ajo puna e ‘gomarit në ëndërr’. Si ka mundësi të bëhesh pronar i mjetit nëpërmjet vërtetimit? Bëhesh me kontratën”, pohoi Shahu.

Në vijim subjekti deklaroi se kishte vërtetuar një pjesë të dërgesave të vëllait me Wtestern Union.

Në përfundim, prokurori Kudusi Shahu deklaroi se zotëron certifikatë sigurie të nivelit tepër sekret dhe vizë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vizë Kanadeze dhe të Mbretërisë së Bashkuar. Ai kërkoi që pas çeljes së hetimit për dy kriteret e tjerë të konfirmohet në detyrë, me argumentin se kishte punuar gjithmonë me ndershmëri.

Komisioni njoftoi se seanca e radhës do të zhvillohet me datë 4 nëntor, në orën 09:45.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *