Trupa e KPK-së gjatë një seance dëgjimore. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK

KPK ndërpret vetingun për këshilltaren ligjore, Olta Aliaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 29 shtator të ndërpresë procesin e vetingut për këshilltaren ligjore të Gjykatës Kushtetuese, Olta Aliaj, për shkak të dorëheqjes së saj. Gjithashtu, Komisioni i ka ndaluar Aliajt riemërimin në sistemin e drejtësisë për 15 vitet e ardhshme.

Në vendimin e arsyetuar të Komisionit sqarohet se procesi i rivlerësimit për Aliajn ka filluar në qershor të vitit 2021. Rreth një vit më vonë, më datë 2 shtator 2022, Aliaj ka njoftuar Komisionin se kishte dhënë dorëheqjen nga pozicioni i Këshilltares Ligjore, pasi në muajin prill është votuar dhe emëruar nga Kuvendi i Shqipërisë në pozicionin e Komisioneres së Seksionit për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Fëmijëve pranë Avokatit të Popullit. Në këto kushte, ajo ka kërkuar ndërprerjen e procesit të rivlerësimit kalimtar.

Komisioni, pasi ka administruar praktikën e dorëheqjes së këtij subjekti rivlerësimi e ka thirrur për t’u dëgjuar në seancë dëgjimore, por Aliaj ka njoftuar se nuk dëshironte ta ushtronte këtë të drejtë.

Në përfundim, KPK ka vendosur bazuar në nenin G të Aneksit të Kushtetutës që parashikon se largimi nga detyra i subjekteve të rivlerësimit kalimtar me anë të dorëheqjes, passjell ndëprerjen e procesit të vetingut dhe humbjen e të drejtës për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *