Periand Teta në KPA | Foto: Edmond Hoxhaj
KPA Lajme

Kolegji urdhëron KPK të kryejë vetingun e ish-këshilltarit Periand Teta

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të mërkurën më 17 korrik prishjen e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK ndaj ish-këshilltarit ligjor pranë Gjykatës së Lartë, Periand Teta për përfundimin e rivlerësimit të tij pa vendimarrje përfundimtare dhe urdhëroi që të kryhet vetingu, kërkesë kjo e paraqitur dhe nga vetë subjekti i rivlerësimit.

Periand Teta ka ushtruar funksionin e ndihmësit ligjor në Gjykatën e Lartë, prej shkurtit 2014 deri në korrik të 2017-ës, kur është liruar nga detyra me urdhër të ish-kryetarit të atëhershëm. Urdhëri lirimit ka ardhur pasi Teta ka kërkuar të dijë për vijueshmërinë e punës së tij, në kushtet që gjyqtares pranë të cilës punonte si këshilltar, i kishte përfunduar mandati.

KPK ka konstatuar se Teta ka dhënë pëlqimin në mënyrë të heshtur për ndërprerjen e kontratës së tij të punës si ndihmës ligjor, pasi nuk e ka ankimuar atë në gjykatë. Megjithatë Teta ka parashtruar kërkesën për t’iu nënshtruar procesit të rivlerësimit vullnetarisht si ish-këshilltar, pasi plotësonte kriterin trevjeçar të punësimit që i jepte statusin si ndihmës ligjor.

Pas fillimit të hetimit administrativ për Tetën, Komisioni i ka kërkuar Gjykatës së Lartë informacion për pagesat e tij, prej nga ka rezultuar se periudha efektive e punësimit kur është trajtuar me rrogë, rezultonte nga data 3 shkurt 2014, deri më 18 korrik 2016. Me argumentin se nuk provohej që Teta të kishte punuar si ndihmës ligjor për tre vjet, Komisioni çmoi se ai nuk bën pjesë në kategorinë e subjekteve të rivlerësimit ex officio dhe as nuk mund të trajtohet si ish-këshilltar ligjor, duke arritur në konkluzionin se ai nuk ishte objekt i ligjit të vetingut.

Komisionerja Nino vlerësoi se vendimi i Komisionit nuk është i drejtë dhe i bazuar, pasi arsyetimi i fakteve dhe rrethanave ligjore është jo i qartë dhe i pamjaftueshëm për shmangien e zbatimit të nenit G të aneksit të Kushtetutës, ku përcaktohet se në rastet e dorëheqjeve të subjekteve të rivlerësimit, vendoset dhe sanksioni që u ndalon rikthimin në sistemin e drejtësisë gjatë 15 viteve të ardhshme.

Komisionerja Publike vlerëson se urdhëri për lirimin e Tetës nga detyra, për shkak të ndryshimeve ligjore, nuk përbën arsye për përfundimin e marrëdhënies së punës së tij. Sipas saj, akti për lirimin e subjektit nga detyra është nxjerrë në mungesë të kompetencës së kryetarit të Gjykatës së Lartë dhe nuk ka sjellë asnjë pasojë juridike dhe për rrjedhojë Teta nuk e ka humbur statusin e ndihmësit ligjor dhe ndërprerë marrëdhënien e punës për shkak të këtij urdhri.

Ky pretendim i Ninos u gjet i drejtë dhe nga nga KPA. Mirëpo, Kolegji vlerëson të pabazuar kërkimin e Komisioneres Publike, se subjekti duhet të ndalohet të jetë pjesë e drejtësisë për 15 vjet, pasi është në kushtet e dorëheqjes, për arsye se e ka humbur statusin si pasojë e veprimeve dhe mosveprimeve të tij. Sipas Ninos, Teta nuk ka kontestuar urdhërin e lirimit, si dhe ka shfaqur vullnetin për të ekzekutuar një vendim gjykate, duke filluar punë në Ministrinë e Drejtësisë.

Kolegji vëren se Teta pasi është njohur me urdhërin e lirimit nga detyra në Gjykatën e Lartë në vitin 2017, iu është drejtuar institucioneve ndihmëse në procesin e rivlerësimit, duke u kërkuar që t’i nënshtrohet vetingut në cilësinë e ish-këshilltarit ligjor. Sipas KPA, duket qartë se subjekti ka shprehur vullnetin për t’u vetuar.

Teta kërkoi gjatë parashtrimeve në Kolegj, që të respektohen përcaktimet e nenit G të Aneksit të Kushtetutës, sipas të cilave ndalimi 15-vjeçar vendoset në rast të shprehjes së vullnetit të subjektit për të mos iu nënshtruar vetingut. Sipas Tetës, kjo nuk ka lidhje me rastin e tij dhe kërkoi në përfundim lënien në fuqi të vendimit të Komisionit, ose prishjen e asaj vendimarrje dhe kryerjen e vetingut të tij.

Kolegji sjell në vëmendje se Teta ka rikonfirmuar edhe gjatë shqyrtimit të çështjes se është i gatshëm t’i nënshtrohet vetingut. Për rrjedhojë, Kolegji i cilësoi si të gabuara, si vendimarrjen e Komisionit për përfundimin e procesit të rivlerësimit të tetës pa një vendim përfundimtar, ashtu dhe kërkimin e Komisioneres për ndërprerjen procesit duke vendosur sanksionin që i ndalon rikthimin në sistemin e drejtësië për 15 vjet.

Në përfundim, Kolegji vendosi prishjen e vendimit të Komisionit dhe urdhërimin e këtij institucioni që të kryejnë vetingun e ish-këshilltarit ligjor, Periand Teta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *