Gjyqtarja Iliba Bezati pas seancës së KPA. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPA Lajme Veting

KPA lë në fuqi konfirmimin e gjyqtares Iliba Bezati

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli të martën m 30 korrik vendimin për lënien në fuqi të konfirmimit në detyrë të gjyqtares së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Iliba Bezati.

Bezati u konfirmua në detyrë më 1 mars 2021, pasi u rrëzuan dy raporte negative të institucioneve ndihmëse ndaj saj për pasurinë dhe figurën. Komisioni vlerësoi se Bezati nuk mbante përgjegjësi mbi ligjshmërinë e burimit të të ardhurave të vjehrrës që kishin shërbyer si burim kryesor i pasurisë së saj.

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa vlerësoi se konkluzionet e Komisionit nuk bazoheshin në një hetim të plotë. Ai i kërkoi Kolegjit që të vlerësojë ligjshmërinë e dhurimeve në vlera të konsiderueshme që kanë shërbyer për krijimin e pasurive dhe të një vendimi të Apelit Vlorë të rrëzuar nga Gjykata e Lartë, si dhe të vendoste në mënyrë alternative, lënien në fuqi ose ndryshimin e vendimit të KPK për Bezatin.

Megjithëse gjatë procesit në KPA, Komisioneri hoqi dorë nga dida prej shkaqeve të ankimit, ai vlerësoi se Bezati rezultonte me mungesë të burimeve financiare të ligjshme në shumën rreth 3.6 milionë lekë, vlerë që sipas tij, nuk mund t’i nënshtrohej parimit të proporcionalitetit.

Në aspektin profesional, ai kërkoi që Kolegji të vlerësojë një vendimmarrje të subjektit të vitit 2013 dhe kërkoi shkarkimin e saj.

Kryesuesja Rezarta Schuetz sqaroi gjatë shpalljes së vendimit, se përllogaritja e shpenzimeve jetike të subjektit është kryer sipas referencave të ILDKPKI. Ajo tha se KPA ka konsideruar si të ardhura të ligjshme ato të përfituara nga dhënia me qira e një apartamenti në Tiranë, si dhe nga shitja e librit universitar nga bashkëshorti, megjithëse detyrimet tatimore nuk janë paguar në kohën e duhur. Kolegji u shpreh se mbante në konsideratë se këto të ardhura janë krijuar me burime të ligjshme.

Pagimi me vonesë i detyrimeve, para se subjekti të depozitonte deklaratën “veting”, është  vlerësuar nën dritën e parimit të objektivitetit dhe proporcionalitetit, duke u çmuar se nuk cenon të ardhurat e ligjshme. Pasaktësitë e KPK të konstatuara në analizën financiare u konsideruan pa ndonjë peshë. Kolegji arrin në konkluzionin se pamundësia mbetet rreth 1 milion e 145 mijë lekë, që konsiderohet se nuk e cënon besueshmërinë për pasurinë. Po ashtu, është vlerësuar se vendimmarrja e KPK nuk mund të cenohet nga shkaku i ngritur për aspektin profesional.

Në përfundim, trupi gjykues i KPA vendosi të lërë në fuqi konfirmimin në detyrë të gjyqtares Iliba Bezati.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *