Gjyqtari Lazer Sallaku, pas vendimit të KPK. Foto:Edmond Hoxhaj, BIRN
Analiza KPA

Gjyqtari Lazër Sallaku dështoi të bindë KPA-në për burimet e ligjshme të pasurisë

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA i ka rrëzuar si të pabazuara thuajse të gjitha shkaqet e ngritura nga gjyqtari i Tiranës, Lazër Sallaku ndaj vendimarrjes së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK që e shkarkoi atë nga detyra më 26 maj 2023 për mungesë të burimeve të ligjshme në krijimin e pasurive.

Në vendimin e arsyetuar Kolegji shprehet se nuk ka gjetur as probleme procedurale në hetimin administrativ të kryer nga Komisioni, ashtu si ka pretenduar në ankim subjekti.

Po ashtu, janë gjetur të drejta edhe konkluzionet e KPK në kriterin e pasurive. Si burime krijimi për një apartament me sipërfaqe 86.3 m2 dhe të një garazh në kryeqytet, subjekti ka deklaruar të ardhurat nga pagat e tij, të ardhurat nga pagat e ish-bashkëshortes; dhurata e bërë ish-bashkëshortes nga nëna e saj; si dhe pjesa e trashëgimisë së ish-bashkëshortes nga babai i saj. Në deklaratën veting ai ka shënuar se vlera e kësaj pasurie është 46 mijë e 332 euro dhe se zotëron 50% të pjesës takuese.

Pas dorëzimit të deklaratës veting, kjo pasuri është regjistruar në emër të subjektit. Po ashtu, ka rezultuar se ai ka marrë një kredi në nëntor të 2017-ës në shumën 36 mijë euro, me qëllim kompensim për pjesëtim pasurie bashkëshortore, blerje e pjesës takuese të ish-bashkëshortes në këtë apartament, pasuri që është vendosur si garanci hipotekore.

Komisioni në vendimin përfundimtar ka konkluduar se, në kushtet që nga ana e subjektit nuk është paraqitur ndonjë dokument ligjor për të provuar ligjshmërinë e burimit të krijimit të këtyre pasurive, shuma e dhuruar nuk duhet të merret në konsideratë dhe për rrjedhojë ka rezultuar pamundësi financiare.

KPA vëren se subjekti në ankimin e tij, në pjesën më të madhe ka paraqitur argumente kundër konkluzionit të Komisionit për moskonsiderimin si burim krijimi të ligjshëm të shumës prej 40 mijë eurosh, dhuruar ish-bashkëshortes nga nëna e saj. Ai ka kundërshtuar detyrimin e tij për justifikimin e shumës së dhuruar duke pretenduar se nëna e ish-bashkëshortes nuk mund të konsiderohet si person i lidhur me të. Po ashtu, ka parashtruar se nuk ka pasur kontribut në blerjen e kësaj pasurie, pasi gjithë pagesat janë kryer nga ish-bashkëshortja me paratë e saj të përfituara si pasuri personale me dhurim dhe trashëgimi, ndërsa kontributi i tij ka qenë vetëm në blerjen e garazhit.

Sallaku ka këmbëngulur se pasuria e fituar me dhurim nga ish-bashkëshortja është pasuri vetjake e saj dhe se nuk bënë pjesë në bashkësi.

Por, sipas KPA, sa kohë që rezulton se dhurimi midis bashkëshortes së subjektit dhe nënës së saj është bërë pas lidhjes së martesës ligjore dhe në funksion të saj, fakti se Sallaku në atë kohë ka qenë në ushtrim të detyrës si gjyqtar, si dhe për arsye se kjo shumë ka shërbyer si burimi kryesor për blerjen e apartamentit tek i cili ai banon, ish-vjehrra duhet të konsiderohet si person tjetër i lidhur.

“Në kushtet kur pasuritë objekt shqyrtimi dhe njëri prej burimeve të krijimit të tyre (dhurimi i shumës prej 40.000 eurosh) janë deklaruar në deklaratën e pasurisë vetting, subjekti ka detyrimin ligjor të shpjegojë bindshëm burimin e krijimit të saj”, vlerëson Kolegji.

Sipas KPA, edhe nëse do të pranohej pretendimi i subjektit lidhur me kualifikimin e marrëdhënies që nëna e ish-bashkëshortes nuk është person tjetër i lidhur me të, kjo nuk e përjashton nga detyrimi për të provuar ligjshmërinë e burimit të shumës së dhuruar, që çmohet se prevalon në raport me kualifikimin e marrëdhënies.

Kolegji rrëzon dhe pretendimin tjetër të Sallakut se, për përcaktimin e pasurisë dhe regjimit pasuror duhet referuar në dispozitat e Kodit të Familjes, sipas së cilit dhurimi në favor të ish-bashkëshortes së tij është pasuri vetjake e saj dhe si e tillë, nuk bën pjesë në bashkësi. Trupi gjykues çmon se vlera 40 mijë euro që i është dhuruar ish-bashkëshortes nuk mund të konsiderohet pasuri vetjake e saj në kuptim të dispozitave të Kodit të Familjes, duke u vlerësuar në harmoni dhe me dokumentacionin e administruar dhe faktet e konstatuara gjatë procesit të vetingut të subjektit.

“[…]Edhe në versionin që kjo pasuri do t’i takonte bashkëshortes së subjektit, përsëri ai ka detyrimin ligjor për të provuar burimet e ligjshme të krijimit të saj”, çmon KPA.

I pabazuar është gjetur dhe pretendimi se nuk ka pasur kontribut në blerjen e kësaj pasurie, pasi të gjithë pagesat janë kryer nga ish-bashkëshortja me paratë e saj të përfituara si pasuri personale me dhurim dhe me trashëgimi, ndërsa kontributi i tij ka qenë vetëm në blerjen e garazhit.

Kolegji konstaton se deklarimet e subjektit lidhur me burimin e krijimit të kësaj pasurie janë kontradiktore, pasi në vtin 2014 ka shënuar si burim krijimi gjendjen cash për pagesat e kryera, ndërsa në vitimn 2016 dhe në deklaratën e pasurisë veting ka deklaruar të ardhurat nga paga e tij, të ardhurat nga paga e ish-bashkëshortes bashkëjetuese, dhuratën e bërë në favor të kësaj të fundit nga nëna e saj, si dhe pjesën e trashëgimisë nga babai i saj.

Në përgjigje të pyetësorit nr.5, ai ka shpjeguar se për blerjen e shtëpisë dhe garazhit kanë kontribuar ish-bashkëshortja që ka paguar për apartamentin 45 mijë euro dhe pjesën tjetër prej 1323 eurosh është paguar nga ana e tij me me të ardhurat nga paga, ndërsa garazhin e kanë shlyer së bashku.

“[…]Pra, edhe referuar përgjigjeve të vetë subjektit, rezulton se ai ka kontribuuar për apartamentin dhe për garazhin minimalisht në vlerat e deklaruara prej tij”, evidenton KPA.

Një fakt tjetër që sipas Kolegjit rrëzon pretendimin e subjektit janë dhe deklarimet e tij se, si burim krijimi për këtë pasuri kanë shërbyer dhe të ardhurat nga paga dhe nga pakësimi i gjendjes cash, që ka filluar të deklarohen që në vitin 2010 e 2011, para martesës me ish-bashkëshorten.

Në vijim konstatohet se në deklarimin e vitit 2012, Sallaku e ka shënuar shumën e dhuruar 40 mijë euro në përqëindje të barabrtë më ish-bashkëshorten.  Nisur dhe nga mosdeklarimi i dhurimit të kësaj shume nga bashkëshortja e tij në 2012, Kolegji vlerëson se vërtetohet fakti se për krijimin e kësaj pasurie kanë kontribut të të dy, si gjyqtari Sallaku, ashtu dhe ish-bashkëshortja.

Sallaku ka kundërshtuar dhe konstatimin e Komisionit se apartamenti është përfituar kur ai ka qenë në martesë dhe në detyrë nëpërmjet kontratës së shitblerjes në ttor të 2016-ës. Sipas tij, ëshë provuar me vendim gjyqësor se është divorcuar në qershor të vitit 2015. Subjekti ka shpjeguar se apartamenti ka kaluar në pronësinë e tij, pasi i ka paguar ish-bashkëshortes shumën prej 45 mijë eurosh në vitin 2016, duke ia blerë asaj këtë pasuri.

KPA vëren se është i vërtetë fakti se kontrata e shitblerjes është nënshkruar një vit pas divorcit, por kjo rrethanë nuk konsiderohet e veçantë, me argumentin se vetë ish-bashkëshortja e ka deklaruar pasurinë në deklaratën veting në cilësinë e personit të lidhur, për shkak të bashkëjetesës me subjektin e rivlerësimit.

Po ashtu, ka rezultuar se likuidimi i dy kësteve lidhur me këtë pasuri është kryer gjatë martesës, në vitin 2014.

Për rrjedhojë theksohet se, për sa kohë kjo pasuri është deklaruar dhe është në pronësi të subjektit, i cili dhe banon aktualisht, ai ka detyrimin të deklarojë dhe justifikojë burimin e ligjshëm të kësaj pasurie.

Trupi gjykues vlerëson se veprimet e kryera nga subjekti dhe ish-bashkëshortja e tij mbi pasuritë apartament dhe garazh tregojnë se janë krijuar gjatë martesës, pavarësisht se sa ka qenë kontributi i secilit bashkëshort.

Provat dhe shpjegimet e Sallakut për mundësinë e ish-vjehrrës për krijimin e vlerës së dhuruar vlerësohen jo bindëse dhe nga Kolegji. “Vetëm fakti se ish-vjehrra e tij në vitin 2004 ka tërhequr në bankë, 8 (tetë) vite para dhurimit të shumës, një sasi të konsiderueshme në monedhën euro, jo vetëm që nuk provon ekzistencën dhe ruajtjen/mbajtjen e kësaj shume për tetë vite në banesë, por nuk vërteton edhe burimin e ligjshëm të krijimit të saj”, argumenton KPA dhe cilëson të pabesueshëm pretendimin  e subjektit për dhurimin e shumës nga ish-vjehrra e tij me rastin e martesës, kur nga hetimi i Komisionit ka rezultuar se në vitin 2006, ish-bashkëshortja ka pasur një martesë tjetër deri në vitin 2010, kur dhe është divorcuar.

Kolegji konstaton se megjithëse Sallaku ka pasur gjithë kohën e mjaftueshme për të provuar burimin e ligjshëm të shumës së dhuruar prej 40 mijë eurosh në vitin 2012, nuk rezulton të ketë bërë përpjekje, duke mos u arritur të provohet ligjshmëria e kësaj vlere monetare të dhuruar nga nëna e ish-bashkëshortes së tij.

Po ashtu, kanë rezutuar dhe pamundësi të tjera financiare, që sipas Kolegjit e çojnë bilnacin negativ total në vlerën 6.1 milionë lekë.

Ndërkohë, Kolegji gjen të drejtë pretendimin e subjektit se është i pavërtetë konstatimi i Komisionit se e ka poseduar apartamentin në mënyrë të vazhdueshme prej vitit 2012. Duke iu referuar dokumenteve të administruaram Kolegji vëren se duket se Sallaku nuk ka jetuar në këtë apartament gjatë periudhës 2012-2016. Megjithatë, KPA vlerëson se ky fakt i renditur në vendimin e Komisionit ka qenë një konstatim i përgjithshëm, pa peshë përcaktuese në analizën e pasurive. Për rrjedhojë çmohet se edhe pse pretendimi i subjektit është i drejtë, ai rezulton pa efekt për vendimmarrjen e Komisionit dhe të Kolegjit.

Në përfundim Kolegji konkludon se gjyqtari Lazër Sallaku ka mungesë të burimeve të ligjshme për të justifikuar pasuritë e krijuara dhe shpenzimet e kryera dhe se ka bërë deklarim të pamjaftueshëm. Për këto arsye, vendimarrja e Komisionit për shkarkimin e këtij subjekti rivlerësimi është gjetur e drejtë dhe është lënë në fuqi.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *