Prokurori Gëzim Çopa pas seancës në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPA Lajme

Drejtuesi i SPAK kërkon shkarkimin e prokurorit Gëzim Çopa

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh të mërkurën më 5 nëntor me parashtrimet në vetingun e prokurorit të Durrësit, Gëzim Çopa. Prokurori Adnan Xholi, i cili përfaqëson drejtuesin e SPAK, Altin Dumani në këtë çështje kërkoi shkarkimin e Çopas për probleme në kriterin e pasurisë dhe për cënim të besimit të publikut në vlerësimin tërësor të gjetjeve për profesionalizmin e figurën. Prokurori Çopa dhe përfaqësuesja e tij ligjore, avokatja Romina Zano vërejtën se pasuritë janë krijuar para fillimit të detyrës dhe se aktet provojë burimet e ligjshme të tyre. Subjekti dha shpjegime edhe për gjetjet në kriterin profesional.

Çopa u konfirmua në detyrë më 22 shkurt me shumicë të trupës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, pasi i ishte kaluar barrë prove për një balancë negative totale në vlerën 25.8 milionë lekë. Ai deklaroi në Komision se pasuritë janë fituar me trashëgimi ligjore dhe se janë krijuar para fillimit të detyrës.

Komisionerja Publike, Irena Nino e ankimoi vendimarrjen e Komisionit duke kërkuar në Kolegj shkarkimin e tij nga detyra për mungesë burimesh e deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë, si dhe për gjetjet në kriterin e figurës dhe profesionalizmit që në vlerësimin tërësor i konsideroi në cënim të besimit të publikut tek drejtësia.

Xholi vërejti se u qëndronin shkaqeve të ankimit. Lidhur me pasuritë e deklaruara se janë krijuar me burim financiar të ardhurat nga qiraja dhe punësimi pranë një shoqërie, Xholi vërejti se subjekti ka kryer deklarime kontradiktore, si për shumat e fituara, ashtu dhe për kohën e realizimit të këtyre. Sipas Xholit, mungesa e akteve dhe provave të kohës mbi mënyrën e arkëtimit të këtyre të ardhurave, e bëjnë të vështirë përllogaritjen.

Lidhur me këtë shkak ankimi, drejtuesi i SPAK konkludon se subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë, si përfitimin e këtyre të ardhurave në kohën dhe shumën e pretenduar, ashtu dhe shlyerjen e detyrimeve tatimore, për të vërtetuar ligjshmërinë e tyre sipas përcaktimeve ligjore të vetingut të magjistratëve.

Avokatja Romina Zano, e cila kreu mbrojtjen për shkaqet e kriterit të pasurisë, solli në vëmendje të Kolegjit se një nga pasuritë e krijuar me të ardhurat nga qiraja e punësimi në këtë shoqëri, e llojit tokë bujqësore dhe truall, në fshatin Shkallnur Durrës, është blerë në vitin 2002 për vlerën 480 mijë lekë, shumë kohë para se subjekti të fillonte detyrën në 2015-ën. Ajo argumentoi se distanca kohote dhe investimi modest, duhet të trajtohen nën dritën e parimit të proporcionalitetit.

Lidhur me të ardhurat e përfituara nga qiraja prej marrëveshjes më shoqërinë ES-Ko Group për periudhën 1998-2003, Zano evidentoi se subjekti ka shënuar në deklaratën veting përfitimin e këtyre të ardhurave nga qiradhënia e banesës trikatëshe si dhe punësimi me kohë të pjesshme si economist, po tek kjo shoqëri, në shumën totale prej 156 mijë e 800 USD. Po ashtu, Zano nënvizoi se subjekti ka dorëzuar edhe dokumentacionin që vërteton këto marrëdhënie, kontratat e qirasë të lidhura mes shoqërisë dhe nënës së tij, ajo argumentoi se ekzistenca e marrëdhënies dhe e të ardhurave përkatëse provohet nga kontratat e viteve pasuese, listat e personelit dhe dokumentacioni i për pagesën e sigurimeve shoqërore e shëndetësore.

Për mosshlyerjen e detyrimeve tatimore për të ardhurat nga qiradhënia, u parashtrua se legjislacioni përcaktonte se duhej të paguheshin nga qiramarrësi. Sipas Zanos, këto prova dhe shpjegime e konfirmojnë burimin e ligjshëm dhe vërtetësinë e të ardhurave të deklaruara për periudhën 1998-2003. Tjetër rrethanë që paraqiti subjekti, ishte dhe fakti se kontratat ishin lidhur nga prindërit, dhe se ai nuk mund të ngarkohet me detyrimin tatimor për këto të ardhura.

Sipas Zanos, banesa dhe të ardhurat nga qiraja kanë kaluar si pasuri të trashëgueshme të subjektit pasi prindërit kanë ndërruar jetë dhe se nuk kanë lidhur me funksionin e subjektit si prokuror.

Duke iu referuar akteve të hetimit administrative në KPK, u pretendua se ka dokumente shkresore të plota që provojnë marrëdhënien dhe rrjedhën e këtyre të ardhurave të fituara dy dekada më parë. Ndërsa mangesitë e arkivave, pas kalimit të një kohe kaq të gjatë, u cilësua se nuk mund të kthehet në dyshim për realitetin dhe ekzistencën e qiradhënies.

Zano nënvizoi se kanë dpozituar akte origjinalë dhe jo fotokopje ashtu si pretendon Komisioneri. Ndërsa për pagesën e pagimit të detyrimeve tatimore për këto të ardhura, u pretendua se subjekti gjendet në kushtet e pamundësisë objektive, megjithëse janë ndërmarrë të gjitha veprimet e mundshme për të siguruar dokumentacion tatimor.

Subjekti kërkon që të ardhurat nga qiraja të mos përjashtohen nga analiza financiare, me pretendimin se plotësojnë standartin kushtetues së të ardhurës së ligjshme.

Për një apartament me sipërfaqe 150,9 m2 , e ndarë në dy apartamente, si dhe për tre garazhe, drejtuesi i SPAK vlerëson ndryshe nga KPK për burimet e krijimit të kësaj pasurie. Sipas Xholit, arsyetimi i Komisionit mbi përfshirjen si të ardhura nga shitja e pasurisë tokë arë + fushë minifutbolli, të vlerës së investimit prej 47 mijë euro, nuk mbështetet në aktet në dosje dhe se nuk mund të konsiderohet si e ardhur e ligjshme. Ai nënvizoi se pretendimet e subjektit për përfitimin në total të shumës 95 mijë euro nga shitja e kësaj pasurie, mbeten të karakterit deklarativ. Po ashtu mbetet e paprovuar pagesa e detyrimeve tatimore për vlerën shtesë të pretenduar të përfituar.

Për rrjedhojë, nga verifikimi i analizës financiare duke mospërfshirë të ardhurat nga shitja e tokës së fushës së minifutbollit, rezulton bilanc negative në vlerë prej rreth 8.9 milionë lekësh, e konstatuar fillimisht dhe prej Komisionit.

Avokatja Zano vërejti se të gjitha pagesat për këtë pasuri janë kryer brenda vitit 2006 dhe janë të gjurmueshme. Ajo theksoi se investimet e kryera tregojnë ligjikën ekonomike dhe rritjen e çmimit të pasurisë.

Lidhur me konstatimin e komisionerit se përfitimi vlerës 85 mijë euro mbetet deklarative dhe se nuk provohet pagesa e detyrimeve tatimore për diferencën rreth 70 mijë euro, Zano parashtroi se objekti ekonomik i transaksionit ka qenë i dyfishtë, për pasuritë e paluajtshme dhe ato të luajtshme. Sipas saj, çmimi i pasurisë së paluajtshme përcaktohet në kontratën noteriale dhe instalimet në dokumentacion të veçantë furnizimi.

Avokatja tha se këto rrethana shpjegojnë pse në aktin notarial shënohet vetëm shuma 3 milionë lekës, ndërkohë që vlera e përgjithshme e shitjes ka qenë 95 mijë euro.

Sipas Zanos, vërtetohet se ekziston vijueshmëri faktike dhe e dokumentuar midis lejes së ndërtimit në vitin 2004, nisjes së investimit në vitin 2005 dhe përmbylljes së pagesave një vit më vonë. Për cminin total prej 95 mijë euro ajo rithkesoi se shpjegohet nga struktura e dyfishtë, ku pjesa e pajisjeve është trajtuar jashtë aktit notarial. Për rjedhojë, kërkesa e Komisionerit për të kufizuar të ardhurën vetëm në shumën 3 milionë lekë u cilësua nga subjekti si e pambështetur në provat e administruara dhe as në logjikën ekonomike të transaksionit.

Nga subjekti u pretendua se nuk ka pasur qëllim për shmangie nga taksat dhe u soll në vëmendje se në atë periudhë nuk ka qenë subjekt deklarues.

Sipas Xholit, nuk provohen as burimet e ligjshme që kanë shërbyer për krijimin e një depozite 13 milionë lekë në vitin 2014, me burim shitjet e tokave, si dhe të ardhurat nga shoqëria ku ka qenë i punësuar subjekti, si dhe me të cilën prindërit kanë pasur marrëdhënie qiradhënieje. Sipas drejtuesit të SPAK, toka rezutlon të jetë shitur shumë herë më pak nga sa është deklaruar, ndërkohë që të arhdurat nga shoqëria nuk janë provuar në pjesën më të madhe.

Sipas analizës financiare të verifikuar nga drejtuesi i SPAK, rezulton një bilanc negative në vlerën totale 2.4 milionë lekë për vitet 2011, 2014 e 2015.

Subjekti kërkon nga Kolegji që të konstatohet se të ardhurat nga toka janë në shumën 210 mijë euro dhe se plotësojnë kriteret se janë të ligjshme, ndërsa për mosshlyerjen e detyrimeve tatimore vërejti se nuk u paraqit asnjë provë që të vërtetojë mospërmushjen e detyrimeve prej tij. Avokatja Zano kërkoi që dhe ky shak të rrëzohet si i pabazuar në ligj e në prova.

Subjekti parashtroi se pasuritë për të cilat shtrohen probleme janë krijuar para detyrës si prokuror dhe se në atë kohë ai nuk ka qenë as subjekt deklarues. Ai theksoi se këto pasuri nuk janë krijuar nga puna e tij, porn ga trashëgimia e lënë prej prindërve.

Profesionalizmi dhe figura

Një prej çështjeve që u trajtua në këto kritere kishte të bënte mne një procedim të regjistruar nga prokurori Gëzim Çopa në vitin 2019 për veprat penale “Vrasje në rrethana cilësuese”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Moskallëzimi i krimit”. Pas pas kryerjes së disa veprimeve hetimore, prokurori Çopa ka urdhëruar ndryshimin e të dhënave në regjistrin e veprave penale duke vendosur marrjen si të pandehur dhe njoftimin e akuzës për personin nën hetim për veprat penale “Vrasje nga pakujdesia” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Për këtë të pandehur, Çopa ka kërkuar dënimin me 7 vjet e 6 muaj burgim dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar 5 vjet heqje lirie. Po ashtu, Çopa ka ndryshuar akuzën për një tjetër të pandehur, ndërsa për dy të proceduar ka pushuar hetimin.

Komisoni e ka dërguar këtë çështje për verifikim të mëtejshëm pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Ndërsa drejtuesi i SPAK, vlerëson se gjetjet e konstatuara në rezultatet e hetimit lidhur me këtë procedim penal janë të tilla, që nuk duhen transferuar pranë organit kompetent për inspektim. Sipas tij, këto konstatime, së bashku me gjetjet e tjera në kontrollin e pasurisë, si dhe të aftësive profesionale, duhen konsideruar në vlerësimin tërësor.

Prokurori Xholi konstatoi se subjekti nuk arriti të argumentojë arsyet dhe faktet që çuan në ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale për dy të pandehur dhe kërkesën për pushimin e hetimeve për dy nga personat nën hetim, duke minimizuar rëndësinë e faktit penal dhe rrezikshmërinë e veprës penale.

Prokurori Gëzim Çopa u paraqiti vetë parashtrimet për aspektin profesional. Lidhur me gjetjet e Komisionerit në këtë çështje, ai pretendoi se provat e grumbulluara në fazën e hetimit paraprak nuk arriinin të provonin ekzistencës e dashjes direkte të të pandehurve për t’i marrë jetën një personi.

Sipas tij, megjithëse autori ka shkuar i armatosur në vendjgarje dhe ka hyrë në një ambient publik të frekuentuar nga shumë njerëz, nuk ka shfaqur që në fillim një mendim të formuar më parë, për të shtënë mbi ndonjë person.

Sipas Çopas, zbritja nga mjeti me armë në dorë dhe lëvizja drejt tavolinave të lokalit, pa qitje paraprake të armës, përpara se të ndodhte një përplasje fizike me një shtetas tjetër për kontrollin e saj, dëshmojnë mungesën e një dashje të paramenduar për kryerjen e vrasjes.

Ai argumentoi se po të ekzistonte qëllimi për të vrarë, qitja do të ishte kryer sapo autori të zbriste nga automjeti. Për të pandehurin tjetër, subjekti shpjegoi se ai ka ndërhyrë duke ulur poshtë armën automatike, që tregon se nuk ka pasur si qëllim të vrasë dikë.

Kjo sjellje sipas prokurorit Çopa, ka synuar neutralizimin e armës në një mjedis të populluar.  Po ashtu, qitjet veritkale të autorëve kur janë larguar, sipas tij ka treguar se ata nuk kanë dashur të vrasin ndonjë.

Çopa argumentoi se vrasja ka ndodhur pasi autori ka humbur kontrollin mbi automatikun që kishte me vete për shkak të përplasjes me personin që ishte konfliktuar. Sipas subjektit, tjetër rrethanë që ai kishte konsideruar në ndryshimin e akuzës ishte dhe fakti se viktima nuk ishte ai me të cilin autori ishte konfliktuar fizikisht, por një tjetër. Prokurori Çopa nënvizoi se vdekja e viktimës ka ardhur si pasojë e goditjes nga një plumb rikoshetë, gjë që ishte konfirmuar dhe nga akt ekspertimi.

Drejtuesi i SPAK evidentoi dhe gjetje të tjera, ku në një rast subjekti nuk ka përmbushur detyrat e lëna nga gjykata, si dhe se nuk ka respektuar afatet ligjore gjatë ushtrimit të detyrës. Këto gjetje, të konsideruara në vlerësimin tërësor, çmohen prej drejtuesit të SPAK në kuadër të cënimit të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë. Në përfundim, prokurori Adnan Xholi kërkoi ndryshimin e vendimit të KPK dhe shkarkimin nga detyra të subjektit.

Çopa dha shpjegime dhe për gjetjet e tjera dhe kërkoi lënien në fuqi të konfirmimit të tij.

Kolegji bëri me dije se aktet e depozituara nga subjekti do të mbahen në konsideratë gjatë vlerësimit të çështjes. Seanca kur do të paraqiten konkluzionet përfundimtare u shty për më datë 26 nëntor, në orën 10:00.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *