Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, GJEDNJ konkludoi se gjyqtari Shkëlzen Selimi, i shkarkuar nga institucionet e vetingut, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit, për kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, nuk është informuar gjatë procesit të hetimit dhe gjykimit administrativ të çështjes së tij lidhur me akuzat që i’u ngritën. Po ashtu, GJEDNJ konkludon se Selimit nuk iu dha një mundësi e mjaftueshme për t’i kundërshtuar gjetjet për figurën.
“Qasja e organeve të verifikimit ndaj vlerësimit të komponentit të dytë të procesit të verifikimit (i cili rezultoi në gjetje të gjera që konsideroheshin të mjaftueshme për të justifikuar shkarkimin e tij nga detyra) ndikoi në vetë thelbin e të drejtave procedurale të aplikantit dhe se, në rastin akutal, nuk përmbushi kërkesën e drejtësisë të Nenit 6 § 1 të Konventës”, arsyeton gjykata e Strasburgut.
Në vendimin e gjykatës së Strasburgut, evidentohet se Selimit nuk iu dha mundësia që gjatë procesit të rivlerësimit të tij, të njihej me aktet e institucioneve ligjzbatuese ku ngriheshin dyshimet për kontaktet e tij të papërshtatshme.
Në vijim, argumentohet se ankuesi ka të drejtë për rimbursim të kostove dhe shpenzimeve vetëm për aq sa është vërtetuar se ato kanë qenë realisht. Duke iu referuar akteve të administruara në këtë proces, GJEDNJ ka caktuar që shteti shqiptar ti shlyejë Selimit një shumë prej 6500 eurosh, si dhe çdo taksë që mund t’i ngarkohet.
Në përfundim, GJEDNJ ka vendosur të shpalli të pranueshme ankesat në lidhje me të drejtat e ankuesit për një seancë të drejtë dëgjimore dhe për respektimin e jetës private; se ka pasur shkelje të nenit 6 të Konventës ndërkohë që ka çmuar se nuk është e nevojshme të shqyrtohet ankesa sipas nenit 8 të Konventës. Po ashtu, është vendosur se konstatimi i një shkeljeje përbën në vetvete një shpërblim të drejtë të mjaftueshëm për çdo dëm jo-material të pësuar nga ankuesi dhe se shteti duhet ti paguajë atij shumën 6500 euro brenda tre muajve pasi vendimi të marrë formë të prerë, si dhe çdo taksë që mund t’i ngarkohet në lidhje me kostot dhe shpenzimet. Në përfundim, GJEDNJ ka rrëzuar pjesën tjetër të kërkesës së Selimit për shpërblim të drejtë në vlerën 150 mijë euro.
I pyetur për koment, ish-gjyqtari Shkëlzen Selimi e cilësoi vendimarrjen e gjykatës së Strasburgut për çështjen e tij si një fitore morale. “Eshtë vendimi i dytë mbas atij që dha GJKKO ku, si pak gjyqtarë të shkarkuar u ndoqa penalisht dhe mora pafajësi, jo se nuk u provua, por se fakti nuk egziston. Do pres që vendimi të marrë formë të prerë dhe do kërkoj rihapjen të procesit të vetingut se nuk kam asgjë për të fshehur”, shkroi ai.
KPA nuk iu përgjigj deri në publikimin e këtij shkrimi pyetjes për koment lidhur me këtë vendimarrje të gjykatës së Strasburgut.
Kolegji e gjeti të bazuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili kishte vendosur në korrik 2018 shkarkimin e gjykatësit të Gjykatës së Lartë Shkëlzen Selimi, bazuar vetëm në kriterin e pastërtisë së figurës. KPK në vendimin e saj të korrikut tha se shkarkimi i Selimit vinte pasi ai u gjet me kontakte me persona të “përfshirë në krimin e organizuar” dhe se ai ishte “përpjekur t’i fshihte këto kontakte”.
Selimi ishte i pari ndër gjykatësit që u përfshinë në rivlerësim i cili u shkarkua vetëm bazuar në kriterin e figurës. Në vendimin e arsyetuar të Komisionit u evidentua kontakti i Selimit me Arben Isufajn, një person i dënuar për trafik narkotikësh.
Ndaj Selimit filloi dhe një proces penal nga Struktura e Posaçme për fshehje pasurie, por pas disa vitesh hetim e gjykim, më 7 korrik ai u deklarua i pafajshëm.




