Prokurorja Mariola Mërtiri pas seancës në KPK. Foto:BIRN
KPK

‘Afera e inceneratorëve’ në qendër të vetingut të prokurores Mariola Mërtiri

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit prezantoi si gjetje të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit në kriterin e figurës së prokurores së Tiranës, Mariola Mërtiri dhe i kërkoi asaj shpjegime për lidhjet e saj dhe të bashkëshortit me personat e shpallur në kërkim për akuza të korrupsionit në aferën e inceneratorëve.

Siç lexoi relatori Roland Ilia, prokurores i ishin kërkuar shpjegime për lidhje “të drejtpërdrejta dhe të tërthorta” me Stela Gugalljan, Klodian Zoton dhe persona të tjerë të shpallur në kërkim apo marrë nën hetim nga SPAK me akuza të korrupsionit. Ilia vuri në dukje se këto kontakte nuk ishin deklaruar, pavarësisht se bashkëshorti i subjektit kishte punuar për kompanitë e drejtuar nga Zoto e Gugallja.

Prokurorja Mariola Mërtiri është kunata e Mirel Mërtirit dhe Stela Gugalljes, por ajo mohoi në fjalën e saj të kishte kontakte të papërshtatshme.  Ajo i tha KPK-së se njohjet e saj me kunatën  kishin qenë të përcipta dhe lidheshin vetëm prej faktit se ajo ishte bashkëjetuese e vëllait të bashkëshortit të saj. Ndërsa mohoi të njihte Zoton dhe personat e tjerë të përmendur në aferë.

Mërtirit iu kërkuan po ashtu shpjegime mbi blerjen e një apartamenti në Fier, ndërsa iu vunë në dukje dyshimet e ngritura për kontakt të papërshtatshëm me shitësin e apartamentit dhe iu bënë pyetje në lidhje me tre dosje që kishte hetuar.

Hetimi administrativ po kryhet nga trupa e kryesuar prej Etleda Çiftjas, me relator Roland Ilia dhe anëtare Pamela Qirko, ndërsa vëzhgues ndërkombëtar ishte Willem Brower.

Mariola Mërtiri përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2009 dhe punoi si prokurore pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier. Prej vitit 2016, Mërtiri e ushtron funksionin pranë Prokurorisë së Tiranës.

Hetimi mbi figurën

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, kishte sjellë një raport pozitiv për prokuroren Mariola Mërtiri. Po ashtu edhe në raportin e dytë, pas kërkesës për përditësim nga KPK, DSIK nuk kishte vënë në dukje probleme sa i përket prokurores, duke e cilësuar atë të përshtatshme për vazhdimin e detyrës.

Përkundër këtyre raporteve, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i kishte paraqitur Komisionit gjetje në lidhje me kontakte të Mërtirit me një person të dënuar në Itali për shfrytëzim prostitucioni dhe trafik narkotikësh. Komisioneri Roland Ilia përmendi inicialet A.G dhe V.Z  të personit në fjalë. Ilia tha se Mërtiri nuk e kishte deklaruar këtë kontakt.

Sipas KPK, A.G., ishte personi që i kishte shitur Mërtirit dhe bashkëshortit të saj apartamentin në Fier për 4.5 milionë lekë në vitin 2011. Ilia vuri në dukje më herët edhe dyshimet se apartamenti ishte blerë me një çmim më të lirë dhe po ashtu edhe se ndaj personit kishte pasur hetime në prokurorinë e Fierit.

Prokurorja Mërtiri kundërshtoi të kishte pasur njohje apo kontakt me këtë person. Sipas saj, ai ishte thjesht personi me prokurë që kishte të drejtë të shiste apartamentin. Ajo kundërshtoi që apartamenti të ishte blerë më lirë dhe iu referua disa fakteve që sipas saj kishin ndikuar në çmim. Ajo mohoi po ashtu të kishte hetuar personin në konflikt interesi dhe tha se kishte dhënë dorëheqjen nga dosja që përfshinte këtë person.

ONM kishte referuar po ashtu mbi lidhjet e subjektit me Klodian Zoton, Stela Gugalljan dhe Arenc Myrtezanin, dy të parët të shpallur në kërkim dhe i treti i arrestuar në atë që njihet si afera e inceneratorëve. Raporti i ONM përfshinte edhe Mirel Mërtirin, kunat i subjektit, por KPK nuk i kishte kaluar barrë prove prokurores, duke qenë se SPAK nuk e kishte atë të pandehur në momentin e kalimit të barrës së provës.

Emrat e personave në fjalë u përmendën me iniciale nga Ilia, që lexoi raportin, por ata janë të njohur botërisht dhe nën akuzë nga SPAK për korrupsion aktiv dhe pastrim parash. Zoto e Gugallja janë të shpallur në kërkim, ndërsa Myrtezani është i arrestuar në cilësinë e ish-administratorit të inceneratorit të Fierit.

Sipas ONM-së, Mërtiri dhe bashkëshorti i saj kishin lidhje të drejtpërdrejta dhe të tërthorta dhe kishin pasur përfitime nga personat në fjalë, përfshi pagesën e bashkëshortit në punë nga kompanitë e tyre, përdorimin për udhëtim të makinave të këtyre personave e të ngjashme.

Prokurorja i kundërshtoi gjetjet. Ajo tha se ishte indinjuar nga ato që përmendeshin në fusnotë, ndërsa pretendoi se kontaktet me kunatin dhe kunatën kishin qenë vetëm për shkak të lidhjes familjare. Ajo tha se kishte ndërprerë çdo lidhje pas akuzave nga SPAK ndaj Gugalljas dhe shtoi se kjo kishte ndodhur “madje edhe para se (akuzat) të bëheshin publike”. Ajo tha se personat e tjerë nuk i njihte, e cilësoi rolin e bashkëshortit si drejtues sigurie në kompani si jo vendimmarrës dhe pretendoi se kishte vetëm një udhëtim familjar me Gugallen në Vjenë.

Vëzhguesi Willem Brower i bëri disa pyetje Mërtirit në lidhje me marrëdhëniet me Gugalljan dhe kërkoi më pas sqarime mbi rolin e bashkëshortit në kompanitë e akuzuara nga SPAK.

Njëlloj Mërtiri mohoi akuzat se kishte hetuar në konflikt interesi një dosje ndaj një kompanie në të cilën një vit pas hetimeve ishte punësuar bashkëshorti. Ajo tha se i shoqi ishte punësuar nga administratori i ri i kompanisë dhe jo nga personi i cili ishte hetuar prej saj.

Hetimi pasuror

Hetimi për pasurinë e prokurores duket se ishte fokusuar në një apartament të blerë në Fier në vitin 2011, përmes 2.2 milionë lekëve të marra dhuratë nga vjehrri dhe vëllai i bashkëshortit dhe 2.2 milionë të marra si kredi e butë nga Bashkia e Fierit.

KPK vuri në dukje fillimisht se kishte hetuar për mundësinë e dhuruesve. Sipas analizës së bërë nga Komisioni, vëllai i bashkëshortit, Mirel Mërtiri nuk kishte pasur mundësi të dhuronte shumën 1 milionë lekë në vitin 2011.

Po ashtu, as vjehrri nuk kishte pasur mundësi të dhuronte shumën prej 1.2 milionë lekësh. Analiza financiare e bërë nga KPK, duke mos i marrë parasysh këto shuma e nxirrte prokuroren me një bilanc negativ prej 1.6 milionë lekësh.

Mërtiri e cilësoi analizën si pa logjikë ekonomike. Ajo tha se hetimi ndaj dy dhuruesve ishte bërë njësoj sikur të ishin subjekte rivlerësimi, ndërsa këmbënguli se të ardhurat e tyre nuk ishin marrë parasysh.

Mërtiri tha se si kunati dhe vjehrri kishin pasur të ardhura. Duke iu referuar Mirel Mërtirit, ajo tha se KPK kishte konsideruar shpenzim një investim në vitin 2004, por që sipas saj nuk mund të ndikonte në analizën e vitit 2011. Ajo tha se kunati kishte shitur aksione dhe po ashtu ai dhe bashkëjetuesja, kishin pasur të ardhura dhe vetëm pagat e tyre ishin të mjaftueshme për të siguruar shumën e dhuruar.

Për vjehrrin ajo tha se KPK nuk kishte marrë parasysh përfitimet nga blegtoria dhe një kthim huaje të dhënë në vitin 95’ dhe kthyer në vitin 2009. Mërtiri tha se ishin paraqitur prova të plota për këto burime dhe se i kishte deklaruar ato në vijim. Ajo iu referua precedentëve të vendosur nga KPA në lidhje me burimet financiare të personave të lidhur. Mërtiri shtoi se ky ishte bilanci i vetëm negativ dhe kishte të bënte me blerjen e shtëpisë.

Prokurores iu kërkuan shpjegime në lidhje me përfitimin e kredisë së butë. Ajo pretendoi se në momentin e aplikimit kishte plotësuar kriteret ligjore.

Mërtiri po ashtu dha përgjigje në lidhje me mos deklarimin në deklaratën veting të aksioneve të bashkëshortit në një kompani. Ajo tha se ato ishin krijuar para martese, ajo nuk kishte pasur as kontribut në to dhe as përfitim dhe në kohën që ishte bërë deklarimi këto aksione nuk kishin asnjë vlerë pasi kompania ishte mbyllur.

Prokurores iu kërkua llogari edhe në lidhje me hetimet e kryera prej saj në tre raste. KPK vuri në dukje se ajo nuk kishte kryer veprime në hetimin e një dosje dhe nuk kishte bërë përgjime. Mërtiri kundërshtoi duke vënë në dukje se vepra penale dënohej më pak se limiti i kërkuar për të autorizuar përgjime.

Ajo këmbënguli se kishte kryer detyrën me përgjegjësi dhe kërkoi të konfirmohej në detyrë. Vendimi do të shpallet në datën 7 në orën 9.30.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *