Gjyqtari Dritan Banushi në KPK më 28 Janar 2020. Foto: Edmond Hoxhaj/BIRN
Artikull kryesor Lajme KPK Lajme Në Fokus

Kryetari i Apelit të Gjirokastrës Dritan Banushi, konfirmohet në detyrë

KPK shpalli vendimin e konfirmimit pasi duket se u bind nga shpjegimet e Banushit mbi pikëpyetjet e lindura mbi blerjen e një apartamenti dhe vërtetësinë e deklarimeve të personave të lidhur.  

Gjyqtari Dritan Banushi në KPK më 28 Janar 2020. Foto: Edmond Hoxhaj/BIRN

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shpalli të martën më 28 janar vendimin për konfirmimin në detyrë të Kryetarit të Gjykatës së Apelit Gjirokastër, Dritan Banushi. Në seancën dëgjimore të zhvilluar një ditë më parë, ai u vlerësua pozitivisht për kriterin e pastërtisë së figurës dhe profesionalizmin, ndërkohë që u relatuan disa gjetje lidhur me kriterin e pasurisë. Trupa gjykuese që kreu rivlerësimin e Banushit përbëhej nga Brunilda Bekteshi kryesuese, Suela Zhegu relatore dhe Valbona Sanxhaktari anëtare.

Komisioni ngriti dyshime mbi vlerën e një apartamenti të blerë nga babai i gjyqtarit si edhe për shtesën e një apartamenti tjetër të trashëguar nga bashkëshortja e tij. Relatorja Zhegu tha gjatë seancës dëgjimore se nga analiza financiare ishte konstatuar mungesë e burimeve të ligjshme për periudhën 2013-2016.

Kryetari i Gjykatës së Apelit i kundërshtoi gjetjet e KPK-së për sa i përket pasurisë duke dhënë shpjegime për pronat e paluajtshme, vërtetësinë e deklarimeve për personat e lidhur dhe duke paraqitur një analizë financiare të përpiluar nga një ekspert i jashtëm për të hedhur poshtë bilancin negativ të KPK-së.

Banushi tha se babai e kishte blerë shtëpinë karabina dhe depozitoi në Komision kontrata të tjera shitje të asaj periudhe që sipas tij kishin të njëjtën vlerë. Ai kërkoi rivlerësimin e analizës financiare dhe që t’i zbriteshin një pjesë e shpenzimeve të udhëtimeve jashtë vendit, të dalluara nga sistemi i regjistrimit të hyrje-daljeve në kufi, TIMS, pasi ishin kryer për shkak të detyrës. Gjithashtu, Banushi i kërkoi Komisionit që të zbriste njërin prej zërave të shpenzimeve të dyfishta të llogaritua për jetesën e vajzës kur ajo ishte me studime.

Dritan Banushi e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993 dhe përgjatë gati tre dekadave ka punuar si gjyqtar i Shkallës së Parë dhe Apelit Gjirokastër. Në vitin 2014 ai është emëruar si kryetar i Gjykatës së Apelit Gjirokastër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *