Prokurori Anton Martini pas seancës dëgjimore në KPK. Foto:Vladimir Karaj/BIRN
Artikull kryesor Lajme KPK Lajme Vendi

Prokurori Anton Martini konfirmohet në detyrë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë me shumicë votash prokurorin Anton Martini, kandidat për Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Prokurori Anton Martini pas seancës dëhjimore në KPK. Foto:Vladimir Karaj/BIRN

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi të mërkurën në detyrë më shumicë votash prokurorin Anton Martini, kandidat për Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimet të Organizuar.

Trupa gjykuese e KPK-së përbëhej nga Genta Tafa Bungo, Etleda Çiftja dhe Pamela Qirko dhe vëzhgues i ONM-së, Hans Kijlstra.

Anton Martini e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe është emëruar prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në vitin 2004. Në vitin 2015, Martini u transferua në Shkodër nga Këshilli i Prokurorisë së kohës, vendim të cilin ai e kontestoi për parregullsi. Në qershor 2018, Martini u rikthye në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Prokurori Anton Martini është renditur i dyti nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme. Për të marrë emërimin në SPAK, atij i duhet të kalojë si barrierë të fundit procesin e vetingut në të dy shkallët.

Seanca e parë dëgjimore ndaj subjektit u mbajt në dhjetor, gjatë së cilës prokurori u përball me pyetje mbi këstet për blerjen e një apartamenti në Tiranë në vitin 2016 si dhe disa dhurata nga të vëllezërit e tij. Martini u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi të hënën një seancë të dytë dëgjimore ndaj prokurorit Martini, pas riçeljes së hetimeve prej një denoncimi mbi shortimin e çështjeve në Prokurorinë e Shkodrës, gjatë kohës që ai ishte drejtues.

Sipas denoncimit, Martini kishte riorganizuar punën në prokurorinë e Shkodrës dhe më pas kishte ndarë çështje, duke ua hequr disa prokurorëve dhe vendosur të tjerë pa respektuar procedurat e shortimit. Në një rast, ai akuzohej se kishte pranuar dorëheqjen e një prokurori nga një çështje dhe kishte bërë caktimin e një prokurori tjetër.

Martini dha një panoramë më të detajuar të procesit të shortimit në prokurorinë e Shkodrës. Ai tha se kishte marrë pa dëshirën e tij detyrën e drejtuesit, pasi “kishte pasur çështje të rëndësishme në hetim në Tiranë” dhe se kishte gjetur probleme të organizimit në prokurorinë ku ishte dërguar.

“Gjeta një prokurori që kishte humbur besimin te qytetarët dhe institucionet me të cilat duhej të punonte,” tha Martini, duke shtuar se kishte pasur informacion edhe për kontakte të prokurorëve me eksponentë të krimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *