Gjyqtari Sokol Ngresi duke dalë nga KPA | Foto : LSA
KPA Lajme Vendi

Bie falsifikimi, KPA konfirmon gjyqtarin Sokol Ngresi

Gjyqtari Sokol Ngresi i mbijetoi komplotit me letra false që synonte të ndikonte procesin e rivlerësimit të tij në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, i cili e konfirmoi në detyrë. KPA vlerësoi se bilanci negativ në blerjen e një shtëpi, ishte i vogël dhe jo shkarkues.

Gjyqtari Sokol Ngresi duke dalë nga KPA | Foto : LSA

Vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Vlorës Sokol Ngresi u la në fuqi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të mërkurën.

Trupa e Kolegjit, e kryesuar nga Albana Shtylla, me relatore Ina Ramën dhe anëtarë Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo  tha se kishte rrëzuar kërkesat e Komisionerit Publik për shkarkimin e Ngresit.

Shtylla lexoi se disa pasaktësi dhe mungesat e burimeve në shumat minus 116 mijë lekë në një vit dhe minus 362 mijë lekë në një rast tjetër, nuk ishin të mjaftueshme për të çuar në shkarkimin e gjyqtarit. “Shkaqet e ngritura në ankim nuk gjetën mbështetje”, tha Shtylla.

Gjyqtarja po ashtu duke iu referuar hetimit të gjerë të Kolegjit, përfshi edhe marrjen e dëshmisë së denoncuesit Flamur Kadëna, tha se pretendimet e ngritura rezultuan të pavërteta. Hetimi gjyqësorë në KPA gjeti se Ngresi ishte viktimë e një komploti me dokumente të falsifikuara të cilat u tentua të përdoreshin kundër tij në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Pas ekspertizës që provoi falsitetin Kolegji kallëzoi penalisht rastin në prokurori.

Shtylla njoftoi se në fund të procesit Kolegji arriti në përfundim se qëndrimi i Komisionit, i cili konfirmoi Ngresin në dhjetor të vitit që shkoi, ishte i drejtë. “Vendimi i KPK është i drejtë dhe i bazuar në ligj”, tha Shtylla që njoftoi se KPA e kishte rikonfirmuar gjyqtarin në detyrë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *