Prokurorja Natasha Prifti pas vendimit të KPK.
Lajme

KPA njihet me kërkimet përfundimtare në çështjen e Natasha Priftit

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh të hënën më 27 qershor me konkluzionet përfundimtare në çështjen e prokurores së Lushnjës, Natasha Prifti (Shallapi). Komisionerja Publike, Irena Nino i qëndroi ankimit dhe parashtrimeve duke kërkuar shkarkimin e prokurores për deklarim të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë.

Prokurorja Prifti, nëpërmjet avokatit të saj Julian Mërtiri, e cilësoi të pabazuar kërkimin e Ninos duke argumentuar se pasaktësitë në deklarimet e gjendjes cash ishin korrigjuar gjatë deklarimeve të mëparshme në ILDKPKI dhe bazuar në parimet e objektivitetit dhe proporcionalitetit, i konsideroi gjetjet të pamjaftueshme për të sjellë pasojë.

Natasha Prifti (Shallapi) u konfirmua në detyrë më 28 maj 2021, pasi mungesat financiare dhe deklarimet e pasakta në kriterin e pasurisë nuk u konsideruan penalizuese. Komisioni u shpreh se e konfirmoi duke aplikuar parimin e proporcionalitetit lidhur me pamjaftueshmërinë financiare.

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ONM vlerësoi se vendimi për konfirmimin në detyrë të Priftit ka mangësi serioze logjike në pjesën arsyetuese dhe i kërkoi institucionit të Komisionerëve Publikë që ta ankimonin atë. Objekti i rekomandimit lidhet me rezultatet e dala nga hetimi administrativ në raport me përfundimet e arritura nga Komisioni për kursimet cash në vlerën 4 milionë lekë të deklaruara nga bashkëshorti i subjektit, ku u bazua dhe ankimi.

Komisionerja Irena Nino deklaroi të hënën se u qëndronte shkaqeve të ankimit dhe parashtrimeve të paraqitura në seancën publike të mëparshme më 20 qershor. Sipas Ninos, parashtrimet e subjektit të rivlerësimit për likujditetet jashtë sistemit bankar nuk përputhen me deklarimet e mëparshme dhe për rrjedhojë mbeten në nivelin e pretendimeve deklarative.

Nino theksoi se pasaktësitë e subjektit në deklarime e bëjnë të pamundur verifikimin e likujditeteve cash. Ajo shtoi se Prifti nuk arriti të provojë një pjesë të burimeve të vlerës 4 milionë lekë të deklaruar nga bashkëshorti në vitin 2013, si kursime të akumuluara në vite nga të ardhurat e aktivitetit të tij tregtar.

Po ashtu, Komisionerja Nino i qëndroi shkakut të ankimit për pamundësinë e burimeve financiare për blerjen e një automjeti tip Benz, pasi nuk është deklaruar pakësimi i kursimeve në atë vit.

Avokati Julian Mërtiri i kundërshtoi konkluzionet e Komisioneres Publike. Ndryshe nga Nino, ai e konsideroi si hipotetike balancën negative të konstatuar nga Komisioni dhe institucioni i Komisionerëve Publikë për krijimin e kursimeve cash, si dhe vërejti se kjo pamundësi nuk ka shërbyer për krijimin e asnjë lloj pasurie.

Në vijim ai solli në vëmendje faktin se kursimet cash në shumën 4 milionë lekë janë krijuar nga bashkëshorti i subjektit para lidhjes së martesës mes tyre, për një periudhë 12-vjeçare. Sipas Mërtirit, është vërtetuar me dokumentacion të Bashkisë Lushnjë se bashkëshorti i subjektit ka paguar taskat vendore.

Sipas një analize financiare të kryer nga një auditues ligjor i pajtuar nga Prifti, analiza financiare ka dalë ndryshe nga ajo e Komisionit, duke rezultuar pozitive. Mërtiri vërejti se bashkëshorti i subjektit për shkaqe të pavarura prej tij nuk ka arritur të sigurojë prova për burimet. Ai theksoi se të ardhurat nga aktiviteti tregtar rezultojnë rreth 59 mijë lekë në muaj, por për shkak të mungesës së dokumentacionit nga organet tatimore, nuk mund të përjashtohet marzh më i lartë.

“Përgjatë gjithë periudhës rezulton vetëm një balancë negative në shumën 248 mijë lekë që nuk mund të përbëjë shkak shkarkimi,” theksoi Mërtiri.

Ai këmbënguli se deklarimet e subjektit në vitin 2016 para ILDKPKI-së kishin shëruar pasaktësinë e mëparshme në një deklarim po të vitit 2016, kur kishte pohuar se bashkëshorti dispononte shumën 4 milionë lekë. Avokati Mërtiri sqaroi se Prifti nuk kishte pasur dijeni për pakësimet e likujditeteve nga bashkëshorti, pasi ato shuma kishin si burim të ardhurat nga aktiviteti i tij tregtar dhe janë përdorur edhe për atë qëllim. Ai shtoi se kur janë dhënë këto shpjegime, nuk ishte plotësuar ende deklarata e vitit 2015, ku bashkëshorti duhej të shënonte pakësimet.

Mërtiri solli në vëmendje faktin se edhe një automjet i blerë në vitin 2015 me burim nga kursimet e bashkëshortit, ka qenë në funksion të aktivitetit të tij tregtar. “Që pasaktësitë në deklarimet vjetore të ngarkojnë me përgjegjësi për t’u ngritur në një shkak shkarkues, duhet të lidhen me deklaratën ‘veting’. Në vitin 2016, subjekti ka korrigjuar deklarimet e mëparshme, gjë që tregon se nuk ka pasur ndonjë qëllim për shmangien e verifikimeve,” pohoi Mërtiri dhe renditi vlerat e të ardhurave të bashkëshortit të subjektit që sipas tij janë të mjaftueshme për krijimin e kursimeve.

Sipas Mërtirit, nuk qëndron as konstatimi për pamundësinë e burimeve të krijimit të një automjeti tip Benz të blerë në vitin 2014, për shkak të mosdeklarimit të pakësimit të gjendjes cash. Ai shpjegoi se mosdeklarimi i pakësimit të likujditeteve ka ardhur si pasojë e shtesës së krijuar nga shitja e automjetit po në vitin 2014.

Mërtiri vërejti se Komisioneri Publik përllogarit vetëm blerjen e makinës, por jo shitjen. Sipas tij, nëse do të përllogaritej edhe e ardhura e përfituar nga shitja, atëherë likujditeti cash do të rezultonte i njëjtë dhe për këtë pasuri të luajtshme balanca do të ishte pozitive.

“Nuk ka deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë. Subjekti i rivlerësimit ka arritur nivel të besueshëm”, theksoi Mërtiri dhe solli në vëmedje faktin se prokurorja Prifti është vlerësuar pozitivisht edhe për figurën dhe profesionalizmin. Ai kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit për konfirmimin në detyrë të prokurores Natasha Prifti.

Në përfundim, Kolegji vendosi të mbylli shqyrtimin gjyqësor dhe njoftoi se vendimi do të shpallet më 4 korrik, në orën 09:30.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *