Prokurori Naim Tota pas seancës në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPA Lajme Veting

Kolegji shkarkon prokurorin e Tiranës Naim Tota

Kolegji i Posaçëm i Apelimit njoftoi të mërkurën ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit si ta pa bazuar në prova dhe ligj dhe shkarkoi prokurorin e Tiranës Naim Tota, pasi e gjeti atë me deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë.

Tota u konfirmua në detyrë prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK me shumicë votash më 10 mars 2023, pasi shpjegimet e tij për barrat e provës në kriterin e pasurisë dhe gjetjet për profesionalizmin, u konsideruan bindëse nga shumica e përbërë nga komisioneret Brunilda Bekteshi dhe Pamela Qirko. Anëtari në pakicë, Roland Ilia kërkoi shkarkimin e Totës, duke çmuar se ai nuk kishte arritur nivel të besueshëm për pasurinë.

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit rekomandoi apelimin e çështjes dhe Komisionerja Publike Irena Nino e ankimoi atë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit në maj 2023.

Trupa e kolegjit e kryesuar nga Sokol Çomo, me relatore Ina Rama, me anëtarë Mimoza Tasi, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz që shqyrtoi çështjen ra dakord me pjesën më të madhe të ankimit të Komisioneres Publike dhe vendosi shkarkimin e Totës.

Gjatë leximit të vendimit të shkurtuar kryesuesi Sokol Çomo vuri në dukje se Tota kishte qenë pronar de fakto i apartamentit në të cilin jeton, të cilin nuk e kishte deklaruar deri në vitin 2016 dhe arsyetoi se sipas Kolegjit ai e kishte fshehur këtë pasuri.

Çomo po ashtu tha se “subjekti ka bërë deklarime të pamjaftueshme”.  KPA arsyetoi se vendimi i KPK “nuk është marrë në vlerësim të drejtë të provave”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *