Prokurori Arben Sharra pas seancës dëgjimore me KPK. Foto: Vladimir Karaj.
KPK Lajme Veting

KPK ngre dyshime për pasuri të fshehura ndaj prokurorit Arben Sharra

Në raportin e lexuar në fillim të seancës dëgjimore, që zgjati 4 orë e 30 minuta, relatorja Genta Tafa (Bungo) vuri në dukje ato që i cilësoi ‘përpjekje të përsëritura për të fshehur pasuri’ nëpërmjet prindërve të prokurorit të Durrësit, Arben Sharra.

Relatorja përmendi si të tilla një shtëpi në Kodër Kamëz të ndërtuar nga babai, por legalizuar në emër të prokurorit, një apartament të blerë nga babai ngjitur me apartamentin e tij,  një makinë blerë nga e ëma, por që ishte përdorur nga subjekti dhe i biri, një makinë të dytë që subjekti e kishte blerë prej kunatit si dhe një shumë prej 100 mijë dollarësh derdhur në bankë nga babai.

Mbrojtësja e Sharrës, Antoneta Sevdari dhe vetë prokurori i kundërshtuan gjetjet. Sevdari tha se pretendimet e KPK-së për pasuri të fshehura ishin mbështetur në “gjetje seriozisht të pabazuara”. Ajo këmbënguli se pasuria e subjektit ishte e deklaruar dhe lidhjet që KPK bënte mes disa prej tyre dhe subjektit tejkalonin tagrat e Komisionit dhe shkonin përtej precedentëve të vendosur nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit mbi hetimin e personave të lidhur.

Vetë subjekti këmbënguli në ligjshmërinë e të ardhurave të tij dhe familjes dhe u përgjigj edhe për gati një orë pyetjeve dhe komenteve nga relatorja dhe kryesuesi, në lidhje me përpjesëtimin e saj pas vdekjes së babait dhe pjesët që ai kishte përfituar pavarësisht se nuk ishte fëmijë i vetëm.

Veç Tafës në cilësinë e relatores, trupa që hetoi rastin kryesohej nga Lulzim Hamitaj, ndërsa anëtare ishte Suela Zhegu. Vëzhgues ndërkombëtar ishte Gerrit Sprenger.

Prokurori i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, Arben Sharra e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1996 si oficer i Policisë Gjyqësore. Ai u emërua prokuror në vitin 2004 dhe e kreu detyrën fillimisht në Prokurorinë e Tiranës dhe më pas në atë të Dibrës. Sharra e ushtron funksionin e Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës prej vitit 2010.

Shtëpia në Kodër Kamëz

Pasuria e parë e subjektit, prej të cilës rridhnin edhe përfitime të tjera të tij ishte një shtëpi banimi në Kodër Kamëz, me dy kate plus papafingo. Sipas asaj që u relatua në Komision, kjo shtëpi ishte ndërtuar në vitet ‘96 dhe ‘97. Relatorja tha se në vitin 1997 babai i kishte dhuruar subjektit njërin kat të banesës.

Relatorja tha se KPK fillimisht e kishte hetuar mundëinë e babait të subjektit për të ndërtuar shtëpinë dhe ky i fundit kishte rezultuar me një bilanc negativ për të ndërtuar godinën dy katëshe në një total prej 4.5 milion lekësh.

Por kjo gjetje u kundërshtua nga Sharra. Avokatja tha se kati përdhes dhe kati i parë i ndërtesës, që më pas i ishte dhuruar subjektit ishin ndërtuar në vitin 1990. Ajo tha se në këtë kohë në Shqipëri nuk kishte rënë ende diktatura dhe të ardhurat  e prindërve nuk mund të ishin veçse të ligjshme. Avokatja tha se kishte një dokument gjyqësor që tregonte për kohën kur ishte kryer ndërtimi. Sevdari vuri në dukje se subjekti nuk mund të ngarkohej me përgjegjësi për këtë kohë, kur ishte ende fëmijë.

Sevdari po ashtu këmbënguli se në bazë të një analize financiare të përpiluar prej tyre, babai i subjektit kishte pasur të ardhura të mjaftueshme për të përfunduar ndërtimin.

Shtëpia në fjalë, sipas relatimit kishte qenë godinë e palegalizuar. Sipas Tafës, kur kishte përfunduar legalizimi, shtëpia dhe trualli i saj ishin shënuar të gjitha në emër të prokurorit, pavarësisht se ai kishte deklaruar në pronësi vetëm një kat të saj. E njëjta banesë ishte shitur për 150 mijë euro, në një proces që kishte filluar me dy parapagesa në vitin 2014 e 2015,  dhe ishte përfunduar pas legalizimit të saj në vitin 2017.

Relatorja theksoi se subjekti rezultonte pronar i vetëm i kësaj shtëpie dhe se ai nuk e kishte deklaruar këtë pronësi në deklarimet vjetore dhe as në deklarimin ‘veting’. Të njëjtën gjë ajo tha edhe për truallin prej 500 metra, që nuk ishte deklaruar në asnjë prej deklaratave.

Ndërkohë, avokatja Sevdari i tha KPK se subjekti kishte sjellë prova që dëshmonin se shënimi i gjithë shtëpisë në emër të tij ishte një gabim administrativ i ALUIZNI-t. Ajo tha se kërkesa për legalizim ishte paraqitur prej tij dhe babait sipas pjesëve, por se në fund punonjësi ka vendosur vetëm emrin e subjektit. Sevdari tha se fakti që 75 mijë euro nga shifra e përfituar prej shitjes përfundimtare i kishin kaluar nënës së subjektit, provonte se ai nuk kishte qenë zotërues i të gjithë ndërtesës.

Ky pretendim u pasua me diskutime në KPK. Hamitaj dhe relatorja Tafa kërkuan shpjegime se përse Sharra dukej si përfituesi më i madh në pasuritë e prindërve, ndërsa motrat e tij dhe vëllai nuk përmendeshin. Sipas Hamitajt, edhe ndarja 50 me 50 që rezultonte nga shitja “penalizonte” subjektin, të cilit praktikisht i takonte një pjesë më vogël e vlerës, duke qenë se në pronësi kishte vetëm një kat, ndërsa prindërit kishin pjesën tjetër plus papafingon.

Sharra dhe avokatja këmbëngulën se këto ishin marrëdhënie brenda familjes. Prokurori tha se ai ishte djali i vogël dhe se ai ishte kujdesur për prindërit dhe kishte qëndruar me ta dhe i mëshoi të drejtës zakonore.

Sevdari tha se mosdeklarimi i truallit dhe shtëpisë siç ishin përfituar prej legalizimit ishte një pasaktësi formale, ndërsa argumentoi se deklarimi veting kishte bashkëngjitur certifikatën e pronës që tregonte se si ishin regjistruar këto pasuri. Ajo tha se bazuar në këtë fakt, mosdeklarimi ishte formal dhe jo penalizues.

Shitja dhe shtëpia ngjitur

KPK ngriti dyshime sa i përket edhe kontratës së shitjes se kësaj shtëpie. Sipas Komisionit, subjekti kishte deklaruar se kishte marrë dy këste prej 20 mijë dhe 30 mijë eurosh para se shtëpia të shitej përfundimisht. Këto parapagesa ishin bërë pa kontrata noteriale dhe ishin përdorur në blerjen e një apartamenti në Tiranë. Relatorja tha se këto ishin shuma të mëdha të dhëna pa asnjë dokument.

Subjekti pranoi se për pagesat nuk kishte pasur marrëveshje, por këmbënguli te lidhja familjare mes tij dhe blerësit. Ndërsa avokatja e tij tha se kishin sjellë prova se në kohën e parapagesave, blerësi e gëzonte de fakto banesën, pasi jetonte aty.

KPK tha se pavarësisht dyshimeve, këto të ardhura ishin marrë parasysh në analizë financiare, megjithëse relatorja vuri në dukje dy herë se për këto kishte rezervë.

Nga ana tjetër, KPK tha se në të njëjtën zonë, ngjitur me shtëpinë në fjalë ishte bërë një ndërtim në një parcelë tokë shtet. Tafa lexoi se për këtë ndërtim kishte aplikuar për legalizim babai i subjektit, i cili në atë kohë ishte sipas saj i verbër, duke bërë të paqartë se si e kishte firmosur ai dokumentin. Ndërkohë, në formularët e kërkesës për legalizim ndodhej numri i telefonit të subjektit. Edhe për këtë pasuri, Sharrës i ishin kërkuar shpjegime dhe ishin ngritur dyshime mbi pasuri të fshehur.

Sevdari tha në seancë se subjekti nuk kishte pasur dijeni për këtë aplikim. Ajo tha se kjo ndërtesë ishte bërë nga blerësi i banesës së parë dhe subjekti nuk kishte lidhje me të. Avokatja shtoi se ata hamendësonin që babai i ndjerë dhe blerësi mund të kishin përdorur numrin e prokurorit, duke shpresuar që kjo do u lehtësonte punë, por përsëriti disa herë padijeninë e tij për ndërtimin.

Apartamenti në Tiranë

Bazuar në relatimin e bërë nga Tafa, Sharra kishte blerë një apartament në Tiranë, i cili ishte paguar pjesërisht me kredi, pjesërisht me të ardhurat nga shitja e shtëpisë në Kodër Kamëz dhe mbetej i papaguar në rreth 13 mijë euro.

Tafa vuri në dukje një sërë mungesash fianciare sa i përket pagesës së kësteve të kredisë nga subjekti që u gjet sipas saj në mungesë të ardhurash. Ajo po ashtu vuri në dukje ndryshime në sipërfaqe dhe ngriti dyshime për shumën e papaguar ende.

Bilancet negative, siç doli në relatim rezultonin kryesisht për shkak të mosnjohjes nga KPK të përfitimeve të pretenduara nga Sharra prej tokës bujqësore në një fshat të Shëngjergjit në Tiranë. Relatorja iu rikthye edhe këtu faktin se ndërsa përfitues të tokës bujqësore kishin qenë 5 anëtarë të familjes, përfituesi i vetëm i të ardhurave rezultonte prokurori.

Tafa tha se për këto të ardhura nuk ishin paguar detyrime tatimore dhe solli si provë një shkresë nga Drejtoria e Tatimeve e Tiranës, sipas të cilës Sharra kishte pasur detyrim të paguante tatime dhe se ai nuk ishte i regjistruar si subjekt. Tafa tha se aktiviteti i prokurorit si tregtar i produkteve bujqësore, binte ndesh edhe me statusin e tij.

Avokatja Sevdari këmbënguli se analiza financiare e sjellë prej tyre ose i eliminonte bilancet negative, ose linte shumë pak në dy vite që sipas saj nuk mund të konsideroheshin penalizuese. Ajo tha se pagesa prej 13 mijë euro ishte kushtëzuar nga bllokimi i llogarive të kompanisë dhe sepse subjekti këmbëngulte ta bënte atë përmes bankës.

Vetë Sharra këmbënguli se babai ia kishte lënë atij në shfrytëzim tokën dhe se ai kishte qenë përfitues i vetëm i të ardhurave prej saj. Sevdari tha se ekspertiza e bërë prej Drejtorisë Bujqësore tregonte se toka në fjalë kishte pemëtari, përfshi arra, gështenja e thana, bimë që kërkonin pak kujdes, por  që sillnin të ardhura. Po ashtu, Sevdari tha se ndryshe nga sa pretendonte Drejtoria Rajonale e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme i kishte kthyer subjektit një përgjigje në të cilën saktësohej se ai nuk kishte pasur detyrime tatimore për të ardhurat nga toka.

Sevdari kundërshtoi argumentet e KPK-së se këto përfitime binin ndesh me statusin e prokurorit dhe vuri në dukje se pretendimi nuk përkonte me kërkesat e ligjit. Ajo tha se përfitimet nga toka nuk parashikoheshin të ndaluara dhe kërkoi që të ardhurat prej 4.2 milion lekësh për vitet 2005-2016 të njiheshin si të ligjshme.

Relatorja dhe Sevdari debatuan po ashtu mbi qëndrimin e Tatimeve. Tafa këmbënguli se në përgjigje për KPK-së ata kishin deklaruar detyrimin për të paguar të subjektit, ndërsa në qëndrim për subjektin të kundërtën.  Po ashtu relatorja këmbënguli se krahasimi i rastit me atë të gjyqtares Irena Gjoka, për të cilën kishte një vendim të Kolegjit që njihte të ardhurat nga toka, ishte i hershëm. “Do duhet të shohim vendimin e zbardhur të Kolegjit”, tha Tafa.

Dyshimet për fshehje

Gjatë seancës dëgjimore, KPK ngriti dyshime edhe për një sërë pasurish të tjera të personave të afërt me subjektin. Dyshimi kryesor kishte të bënte me dy pasuri të nënës; apartamenti i blerë ngjitur me atë të subjektit, me pjesën e saj të parave të  përfituara nga shitja e shtëpisë në Kodër Kamëz dhe një makinë.

KPK arsyetoi se në të dy rastet kishte dyshime për pasuri të fshehura të Sharrës. Në rastin e banesës, Komisioni tha se ajo praktikisht ishte porositur nga babai dhe pas vdekjes së tij, në vend që të ndahej në pjesë sipas dëshmisë së trashëgimisë, i ishte kaluar në tërësi nënës së subjektit.

Sevdari tha se kjo kishte qenë një dëshirë e shprehur e babait të subjektit para vdekjes, shprehur edhe kjo në shkresat dërguar ALUIZNI-t, pasi apartamenti kishte kaluar në procedura legalizimi pasi kompania ndërtuese kishte pasur probleme me lejen.

Pasuria e dytë ishte një makinë blerë nga e ëma në moshën 80-vjeçare. KPK tha se gruaja e moshuar nuk kishte leje drejtimi dhe makina ishte përdorur nga djali i subjektit dhe prokurori dhe se ishte aksidentuar prej subjektit.

Sevdari  tha në mbrojtje të prokurorit se makina ishte blerë nga e ëma me një pjesë të parave prej 75 mijë eurosh dhe ishte blerë me qëllim që nipërit dhe fëmijët të mund ta ndihmonin kur ajo kishte nevojë. Sevdari këmbënguli se paratë e përfituara nga shitja e saj i ishin kaluar në llogari bankare nënës së subjektit.

Dyshime të ngjashme u ngritën nga KPK për rinovimin e shtëpisë në Shëngjergj. Komisioni pretendoi mungesë bashkëpunimi nga subjekti për të dëshmuar gjendjen e kësaj ndërtese dhe këmbënguli se në të ishin bërë riparime që nuk ishin deklaruar. Po ashtu, KPK pretendoi se subjekti nuk e kishte deklaruar atë edhe pse e kishte poseduar sëbashku me tokën bujqësore.

Sevdari kundërshtoi gjetjet, duke vënë në dukje se prokurori nuk kishte zotërim një shtëpi dhe secili prej anëtarëve të familjes mund të shkonte dhe të qëndronte në të apo merrte pjesë prej produkteve të tokës. Ajo tha se i kishin sjellë së fundmi Komisionit foto të shtëpisë, gjendjen e saj, faktin që gjysma e saj banohej nga një i afërm dhe faktin që disa godina shoqëruese ishin në përdorim të kushëririt.

Avokatja pretendoi se punimet izoluese në shtëpi ishin kryer nga nëna e subjektit dhe jo nga ai, ndërsa solli si provë edhe kërkesën në komunë për leje për ndërhyrje.

Dyshime për fshehje u ngritën edhe mbi një llogari bankare prej 100 mijë dollarësh të babait të ndjerë. Sipas KPK-së, këto para ishin deklaruar në bankë si trashëgimi e kursime, por që nga hetimi kishte rezultuar se ishin marrë si parapagesë për shitjen e një toke në Shëngjergj.

Sevdari këmbënguli se deklarimi si trashëgimi i referohej faktit se toka që do shitej ishte pasuri e trashëguar brez pas brezi dhe mbante emrin “Zabeli i Sharrës”. Ajo tha se blerësi ishte interesuar pasi bëhej fjalë për një zonë piktoreske, por më pas duke qenë se pronësia e saj nuk ishte zgjidhur, ai ishte tërhequr dhe kishte marrë pas edhe paratë.

KPK vuri në dukje probleme edhe për një makinë blerë prej subjektit nga kunati dhe çështje të tjera të ngjashme që u kundërshtuan nga Sharra.

Ndërkohë, Komisioni nuk gjeti probleme në kriterin e figurës dhe as atë të profesionalizmit. KPK tha se për tre denoncime dhe disa çështje i ishin kërkuar shpjegime subjektit. Ky i fundit relatoi me detaje kundërshtimin e tij mbi shpjegimet që i ishin kërkuar, por në seancë edhe pas ndërhyrjeve të herëpashershme të trupës për lexim më të kujdeshëm dhe të përmbledhur nga subjekti, nuk qe e mundur të kuptohej gjerësisht mbi çështjet në fjalë.

Në fund të seancës, relatorja, avokatja dhe prokurori Sharra u përfshinë në disa diksutime, kryesisht mbi mosçelje deri para pak ditësh të dëshmisë së trashëgimisë së babait që përjashtonte trashgimtarët e tjerë nga disa pasuri, përfshi tokën në fshat dhe vlerën e qëndrimeve të marra nga tatimet.

Debat pati edhe sa i përket një adrese të deklaruar nga subjekti në Njësinë Bashkiake Nr.2 në Tiranë. KPK ngriti dyshime se kjo mund të ishte pasuri e fshehur, por siç doli nga diskutimi bëhej fjalë për një adresë të vënë nga subjekti për të lehtësuar regjistrimin e fëmijëve në shkolla në qendër të Tiranës.

Në fund, pasi subjekti kërkoi konfirmim në detyrë, KPK njoftoi se do të shpallë vendimin në datën 30 qershor.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *